Shkujdesja e Bashkisë së Tiranës, njësia bashkiake nr 4 në anarshi vendore, 60 mijë banorë vetëqeverisen

“60 mijë banorët e njësisë Bashkiake numër 4 në Tiranë, vetëqeverisen. Qytetarët e kësaj zone kanë kohë që nuk qeverisen nga Bashkia e Kryeqytetit”. Kjo është çfarë dëgjoi sot kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha gjatë takimeve që pati me banorët e disa prej lagjeve të vjetra të Tiranës. Lulëzim Basha, pa nga afër gjendjen e rënduar të infrastrukturës dhe dëgjoi hallet dhe problemet e qytetarëve të kësaj zone. Alliasi është rasti tipik i mungesës së vëmendjes së autoriteteve të Bashkisë së Tiranës. Banorët i thanë Lulzim Bashës se i paguajnë rregullisht taksat, mirëpo nuk marrin asnjë shërbim prej saj. Dhe gjendja është evidente. Nuk ka rrugë, nuk ka shkolla, nuk ka kanalizime, nuk ka lulishte. Mungon infrastruktura më bazike për të jetuar. “Këto rrugë, i kemi shtruar vetë me çakull, kanalizimet i kemi bërë vetë, të gjitha i kemi bërë vetë”- i thanë Bashës banorët, të irrituar nga harresa e Bashkisë. Nga ana tjetër, shumica e qytetarëve të kësaj zone pohuan se i paguajnë taksat, paçka se i gjykojnë si shumë të larta. Pjesa më e madhe e fëmijëve të kësaj zone bëjnë gjysëm ore rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë. Të gjithë banorët që Lulzim Basha takoi, u shprehën se ka 18 vite që në Allias mungojnë investimet. Disa prej tyre hedhin edhe dyshime për abuzime të bashkisë me fondet. “Bëhet një tender, nis puna, por asnjëherë nuk mbaron”, -shprehen banorët. “Unë ju premtoj se do t’i ul taksat, dhe ju do të keni rastin të shihni vetë se ku do të shkojnë taksat që paguani”- u tha Basha. Më tej, kandidati për kryebashkiak shprehu mesazhin e tij në të gjitha takimet që pati, duke u bërë të qartë banorëve se gjendja e mjerueshme e njësisë bashkiake numër 4 vjen si pasojë e teatrit të politikës që nuk kujtohet për qytetarët.
...