E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu si mjet, jo si qëllim

Prej më se gjashtë muajsh,vendi dhe shoqëria jonë ndodhen të përfshira në një konflikt që ka gjeneruar një krizë politike. Një krizë të ashpër, e cila ka sjellë si pasojë stopim të ndjeshëm të veprimtarive institucionale, mungesë alternativash zyrtare për kapërximin e vështirësive në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave financiare. Kështu, në një vështrim të gjerë, ky konflikt s’mund të shihet vetëm me profil të ngushtë politik.
Prandaj, mënjanimi ose sheshimi i tij, sa më shpejt dhe sa më plotësisht që të jetë e mundur është në interes të të gjithë qytetarëve tanë. Pra, jo vetëm të mediave, të cilat në raste të tilla kanë rastin që të mbushin dendur programet dhe faqet e tyre. As vetëm të organeve dhe organizmave partiake, që sidomos në vendin tonë zakonisht dhe vazhdimisht ballafaqohen ose ndahen me njëra – tjetra prej lumenjve të tërë akuzash, herë të shtruara dhe herë të rrëmbyera.
Sidoqoftë, gjatë një propagande intensive nga të dy krahët e politikës shqiptare asnjëherë nuk është bërë ndonjë përkufizim i konfliktit në tërësi, aq më pak i këtij të tashmit në veçanti. Ndoshta, duke u menduar këto si gjëra që dihen, pa përfillur interesin dhe dijenitë e masave të gjera të qytetarëve.
Ndërkohë që për konceptin ‘konflikt’ ekzistojnë në kohën tonë dhjetra përkufizime të shkruara, nga më të përhapurit e të cilëve është ai i Kenet Bolldingut: “Ballafaqim situatash, në të cilat palët i shohin mospajtimet e qëndrimeve të ardhshme potenciale dhe në të cilat çdo palë dëshiron të mbajë qëndrim, të papërshtatshëm me dëshirën e tjetrit”. Ndërsa, definicioni i shkurtër i Morton Dojçit na jep të kuptojmë, se: “Kur rreth një çështjeje ekzistojnë dy mendime të kundërta, ky është konflikt”. Këto dhe të tjera shprehje konceptuale mund të thuhet se i shkojnë për shtat edhe natyrës së konfliktit disa mujor në Shqipëri, i cili hë për hë, me gjithë ndërkombëtarizimin e tij, ende nuk ka shënja për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të kënaqshme. Në këto situara, kudo dhe kurdo është i këshillueshëm dialogu midis palëve, me ose pa ndërmjetësimin e dikujt tjetër.
***
Situata të rënda, të ashpra, madje me efekte edhe më të rrezikshme, që shpunë deri në kaos total të vendit, në marrjen e shumë jetëve dhe shkatërrimin e institucioneve shtetërore, u paraqitën edhe pas zgjedhjeve parlamentare të manipuluara të vitit 1996. Por, atëhere vet Presidenti i Republikës kryesonte njërën palë të konfliktit dhe dialogu me palën tjetër të vënë nga ky i fundit në një pozicion tërësisht inferior, nuk mund të ishte i mundur. Në këtë vështrim dukej e arësyshme ndërhyrja e drejtpërdrejtë e ndërkombëtarëve dhe veprimtaria aktive e një ndërmjetësi të huaj, si Vranicki.
Ndërsa tani edhe shtete të veçanta, edhe organizma ndërkombëtarë të rëndësishëm, si Këshilli i Europës apo Bashkimi Europian që ndjekin me interes të veçantë gjendjen aktuale në Shqipëri, me sa duket preferojnë më mirë që moderator i dialogut të jetë kryetari i shtetit, i cili brenda dhe kompetencave që ia atribuon Kushtetuta në raste të tilla është i detyruar të luajë një rol sa të paanshëm, po aq edhe me energji jo të zakonshme të rutinës, të komoditetit honorifik të postit që mban.
Mirëpo, me gjithë këtë vlerësim, palët vazhdojnë të kenë qëndrime të palëkundura, diametralisht të kundërta, çka e vështirëson pozicionin e moderatorit vendas. Sidoqoftë, objekti i tryezës së ngritur nënkupton zgjidhjen e drejtë të një çështjeje themelore për zhvillimet demokratike: transparencën e procesit të vjetshëm zgjedhor, për të cilën opozita është e predispozuar ta arrijë.
E predispozuar dhe këmbëngulëse jo për ndryshim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, pra për rezultatin e konfigurimit të Parlamentit dhe qeverisjes së dalë prej tij, por për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga periudha e Tranzicionit edhe në këtë fushë, në zhvillimin kurdoherë të zgjedhjeve të lira të drtejta dhe të ndershme. Dhe, kjo kërkesë e saj, pavarësisht kundërshtimeve dhe ‘argumenteve’ mohuese të maxhorancës është e mbështetur në Kushtetutë, se ka të bëjë jo vetëm me respektimin e një prej të drejtave themelore të parasjikuar në Ligjin tonë themelor, siç është e drejta për të votuar etj, etj, por edhe te garantimi i të drejtës së informimit që konsakrohet në neni 23/1 të tij.
Pa hyrë në detaje shpjeguese të dispozitave kushtetuese, për t’u përmendur në këto rradhë është edhe keqinterpretimi që po i bën maxhoranca një vendimi të vitit 2003 të Gjykatës Kushtetuese për situata të tilla të ngjashme, rreth ngritjes dhe objektit të komisioneve hetimore. Në këtë vendim arësyetohet me të drejtë dhe në mbështetje të doktrinës konstitucionale, si edhe të praktikës së vendeve të tjera europiane të botës demokratike se, veç të tjerash, e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit e kufizon kompetencën e shumicës për të ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e pakicës, me përjashtim të rasteve, kur nga qëllimi dhe objekti i hetimit konstatohen se preken parimet kushtetuese.
***
Ngritja e tryezës së presidentit për të zgjidhur konfliktin e rëndë të krijuar ishte vërtet një veprim për t’u përshëndetur. Por, suksesi i kësaj tryeze bisedimesh nuk mund të kufizohet në uljen e njëkohëshme në ‘të të liderve të dy krahëve politikë. Sepse dialogu kudo njihet, përdoret dhe mbetet si mjet për zgjidhjen e një krize, jo si qëllim në vetvete që nuk të çon në një rezultat të efektshëm.
Gjatë zhvillimeve të dialogut nuk mund dhe nuk ka përse të spikatë supremacia reale apo e supozuar parlamentare ose politike e njërës apo tjetrës palë. Të dyja konsiderohen të barabarta dhe, vetëm në këtë kontekst mund të kërkohen pikat e konvergjencës midis tyre. Në këtë kontekst, gjithashtu, mund të pretendohet për zgjidhje të shpejta dhe jo për zvarritje që, sipas të gjitha gjasave, mund të çojnë në përfshirje mjetesh të tjera të padëshirueshme.
Aq më tepër theksohet kjo në kushtet tona të tanishme, kur është e domosdoshme të theksohet shprehja e historianit të shquar antifashist italian, Gulielmo Ferero: “Në demokraci opozita është një organ i sovranitetit popullor po aq jetik sa edhe qeveria”. Sipas tij, zhdukja e opozitës (nënkupto: injorimin e saj) është zhdukja e sovranitetit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›