Përditë zbulohen arsye të reja pse Rama i qan hallet e Shqipërisë në Greqi
Është konstatim i thjeshtë fakti që kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, po viziton ca si shpesh përgjatë kësaj krize ekonomike, Greqinë. Me ftesë apo pa ftesë zyrtare, kryetari i Partisë Socialiste sapo gjen mundësinë udhëton drejt vendit fqinj jugor për të marrë pjesë në konferenca politike, nga ku dhe sulmon jashtë kontekstit qeverinë e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha. Dje, për shembull Rama mori pjesë në forumin “Europa mes meje dhe teje”, ku u qau hallin të pranishmëve për marrëdhëniet e vështira me maxhorancën. “Qeveria dhe kryeministri nuk po i përgjigjen, kërkesës së natyrshme publike për ta pasur statusin e kandidatit në vjeshtë, as thirrjeve të Parlamentit Europian, as thirrjeve të Komisionit Europian, as thirrjeve të opozitës për ti bërë ato reforma që janë përcaktuar si kusht”, u tha Rama organizatorëve grekë, që kishin ftuar dhe kryetari i grupit parlamentar socialist e demokrat në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda si dhe Stavro Lambrinisids, ish-ministri i jashtëm grek.
Ndërkohë, Greqia që për vite me radhë ka jetuar mbi mundësitë e saj reale, në sajë të trukimit të statistikave financiare dhe marrjes borxh nga kreditorët privatë apo institucionet ndërkombëtare, është në prag të falimentimit si shtet. Vendi fqinj gjendet sot i zhytur në një kaos ekonomik dhe pensionet e rrogat janë gjithnjë e në ulje. Mundësia e saj për të shlyer borxhet janë të pakta, aq sa kohët e fundit po flitet për dalje të saj nga eurozona dhe rikthimin tek dhrahmia. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 majit, favorizuan më shumë partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë, çka detyroi ri-thirrjen e zgjedhjeve të reja me 17 qershor, pas dështimit të negociatave për formimin e një qeverie.
Kuptohet vetiu, Greqia është vendi i fundit ku mund të shkohet për të folur për politikë apo për të marrë eksperiencë pozitive. Partia homologe e PS në Greqi, PASOK, është jo fort mirë në sondazhet dhe shihet si një ndër fajtore kryesore të krizës ekonomike. Afërmendsh qeveritë e shumta socialiste e kanë çuar vendin fqinj në një kolaps të vërtetë financiar. E fundit në listë ishte qeveria e majtë “Papandreu”, e cila edhe pse i mori votat për të shpëtuar vendin bëri të kundërtën, duke e çuar Greqinë në një recesion të thellë ekonomik me pasojë të tmerrshme për rajonin dhe eurozonën. Prandaj, Edi Rama bën mirë të shikojë eksperienca të tjera të majta. Kriza e ekonomisë greke po detyron shumë shqiptarë që prej vitesh kanë punuar në Greqi të shohin mundësitë të kthehen në Shqipëri, shkruante para ca javësh revista prestigjiozja britanike, “The Economist”.
Sidoqoftë këto vizita të Ramës në Greqi janë parë në disa funksione. Një prej tyre është rekrutimi i militantëve që lëvizin andej-këtej sa herë thirren për të protestuar në bulevardin e Tiranës. Kjo u pa shumë mirë në demonstratën e dhunshme të 21 janarit, ku u vërtetua fatkeqësisht nga vdekja në rrethana të panjohura e njërit prej protestuesve të ardhur posaçërisht nga Greqia.