E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diamantopullos, letër “Uashington Post-it” për Vorioepirin

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Letra e ambasadorit grek K. Diamantopullos, drejtuar gazetës “Uashington Post” më 26 shtator 1943
“Greqia dhe Shqipëria”

Në një lajm nga Stambolli botuar në numrin e gazetës suaj të datës 19 shtator 1943, që u referohej zhvillimeve të mundshme të luftës në Gadishullin e Ballkanit, përmenden emrat e vendeve mike ndaj aleatëve që ndahen nga satelitët e aksit. Çdo njeri do të habitej që emri i Shqipërisë figuronte në grupin e parë të shteteve dhe u ngritën pyetjet se çfarë kishte bërë ky vend për ta merituar një vend të tillë nderi. Populli grek nuk bart asnjë armiqësi ndaj shqiptarëve dhe ua njeh të drejtat e plota për të pasur një vend të favorshëm. Por ende, duket e rekomandueshme të thuhet se lajmet që çojnë vetëm në këndvështrime konfuze dhe të pasakta duhet të shmangen. Është fakt i njohur tashmë që Shqipëria u krijua si shtet në vitin 1913, për shkak të presionit politik të ushtruar nga Austro-Hungaria dhe Italia. Kur kjo e para pushoi së ekzistuari, ndërsa e dyta shfrytëzoi rastin dhe në fund të luftës së mëparshme ia doli të siguronte disa lëshime nga aleatët, të cilët i mundësuan këtij vendi mundësinë që ta shndërronte Shqipërinë në një pikë penetrimi në Ballkan. Shqiptarët nuk bënë asgjë për ta kundërshtuar dominimin italian, madje as protestuan, përkundrazi përfituan nga zemërgjerësia e tepruar e fashizmit. Pushtimi ushtarak i Shqipërisë, nuk erdhi për shkak të kundërshtimit politik ndaj Italisë, siç ndodhi në rastet e Greqisë dhe Jugosllavisë, por erdhi vetëm nga fakti që Musolini mendoi se kishte ardhur koha të hiqte maskën dhe të sundonte Shqipërinë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të arritur qëllimet e tij, dhe jo me anë të Zogut, ndërmjetësit të tij të bindur. Por shqiptarët nuk u dhanë as edhe një ndihmë grekëve gjatë agresionit italian, përkundrazi, morën një rol shumë aktiv duke luftuar në krahun e italianëve. Përmendja e luftimeve të rastësishme të gueriljeve shqiptare mund t u referohet vetëm grupeve të paligjshme, të cilët sulmojnë dhe plaçkisin popullin grek në rajonin e Shqipërisë, fqinjë me Greqinë dhe i njohur si Vorioepiri.
Në fakt, qeveria greke e pa të nevojshme të kundërshtonte këto grabitje të kryera ndaj popullit në fjalë, i cili njihet tashmë se ka kërkuar gjithnjë të bashkohet me Greqinë. Karakteri grek i kësaj popullsie u njoh nga Konferenca e Paqes, më 17 maj 1920, ndërsa Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u deklarua njëzëri në favor të bashkimit të tyre me Greqinë.

Një ditë më pas
Departamenti Jugor i Ministrisë së Jashtme Britanike, hartoi një memorandum më 27 shtator 1943 për ministrin e Jashtëm, Antoni Eden, i cili në radhë të parë përsëriti politikën e Ministrisë së Jashtme për sa i përket Shqipërisë që të mos mërziste grekët dhe në radhë të dytë, duke mos e njohur shtetin shqiptar të tanishëm dhe asnjë qeveri tjetër shqiptare në mërgim. Memorandumi përmendte se Mbreti Zog kishte planifikuar krijimin e një qeverie të përkohshme “në mënyrë që të kundërshtonte një front të bashkuar shqiptar ndaj pretendimeve greke dhe jugosllave”. Memorandumi vazhdon si më poshtë:
“Edhe nëse situata do të tensionohej, do të ishte gjëja më e papërshtatshme për ne që të njihnim qeverinë e caktuar nga ai. Një lëvizje e tillë nuk do të ishte shumë rezultative në stimulimin e rezistencës në shumë qarqe shqiptare. Ajo do t u shkaktonte një dëm të madh marrëdhënieve tona me qeverinë greke. Mund të ndodhë që pas largimit të forcave të Aksit nga Shqipëria, në Shqipëri do tentohet të vetëngrihen qeveri të ndryshme. Kjo qeveri mund të bashkohet me emigrantët shqiptarë dhe mundësia që Mbreti Zog të kthehet në fron nuk duhet përjashtuar. Por kthimi i tij mund të ketë dhe avantazhet e veta, nëse shqiptarët janë të gatshëm ta presin, duke qenë se dhe vendit do t i nevojitet një sundimtar i fortë për periudhën e pas luftës. Deri më tani, lufta nuk ka mundur do të nxjerrë ndonjë udhëheqës të shquar që të marrë drejtimin e vendit të tij. Ne duhet të presim dhe të shikojmë më parë se çfarë do t u ndodhë italianëve. Me rënien e Italisë dhe afrimin e mundësisë së veprimeve ushtarake të aleatëve në bregdetin shqiptar, mund të jetë e nevojshme së shpejti për ne që ta rishikojmë politikën tonë. Mundësia e kthimit përfundimtar të Mbretit Zog, është larg të qenit e përjashtuar”.

Lobi shqiptar
Peter Tiko, redaktor i gazetës “Dielli” në Amerikë, i drejtoi një letër gazetës “Uashington Post”, si përgjigje ndaj letrës së botuar në këtë gazetë, në 26 shtator të Kimon Diamantopullos, ambasadorit grek në Uashington. Letra e tij u botua në 5 tetor:
“Unë sapo lexova me shumë habi letrën për Shqipërinë të shkruar nga zoti K.Diamantopullos, ambasador i Greqisë, botuar më 26 shtator në gazetën “Uashington Post”. Kjo letër është plot me formulime të habitshme të pasakta, nën nivelin e një diplomati si zoti Diamantopullos. Ai bën shumë gabime në ato që ai thotë për gueriljet shqiptarë. Por zoti Diamantopullos është edhe më i padrejtë dhe i gabuar, kur ai flet për “karakterin grek” të Shqipërisë Jugore, të cilën ai e quan Vorioepir. A mos ndoshta zoti Diamantopullos e ka harruar se kjo zonë ka një popullsi prej 250.000 banorësh dhe të paktën 150.000 nga këta janë myslimanë, të cilët edhe në periudhën më të papërmbajtur të imagjinatës, nuk mund të thuhet se janë grekë në karakter? A mos ndoshta ai e ka harruar se Shqipëria e Jugut, apo Vorioepiri, ka qenë qendër e nacionalizmit shqiptar gjatë këtyre 30 viteve të fundit? A mos ndoshta ai e ka harruar se liderët më militantë të nacionalizmit shqiptar kanë dalë nga Shqipëria e Jugut dhe që shumica e tyre kanë qenë kristianortodoksë? A ka harruar ai që kur “ushtria çlirimtare greke” hyri në qytetin e Korçës gjatë luftës italo-greke, një nga veprimet e para të tij ishte djegia e arkivës së kishës, sepse ato ishin të shkruara në shqip? A e ka harruar ai Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1923, dhe Protokollin e Firences në 1913-ën? Në rast se i ka harruar, unë marr guximin t ia kujtoj këtu.

Peter Tiko, 29 shtator
Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›