E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Xhekson do të varroset në arkivol të artë

Autori i Lajmit: red.
Ylli i Popit, Majkëll Xhekson, do të varroset në një arkivol që kushton plot 20.000 euro, në një nga shfaqjet më të mëdha në tokë. Arkivoli i tij ka një dizenjo të rrallë që quhet “Prometan” dhe është bërë me bronz të plotë, ndërsa jashtë është i gjithi i larë me flori 14 karatësh. Ai është lustruar me dorë dhe brenda është i veshur me kadife. Ai është porositur natën e shkuar dhe do të prodhohet nga kompania “America s Batesville Casket”. Streha e fundit e Xheksonit është identike me arkivolin që u varrosi Xheims Braunin në vitin 2006. Ceremonia e varrimit të këngëtarit do të nisë në pallatin e sportit ku luan ekipi i basketbollit Los Anxhelos Lejkërs, në “Staple Centre”. Në këtë pallat Majkëlli po përgatitej për rikthimin e tij në skenën “O2” në Londër ku ai do të zhvillonte 50 koncertet e tij gjatë një viti. Madje, tri ditë më parë është publikuar dhe videoja e provave ku ai performonte si në kohët e shkuara. Rreth 1.000 bileta do të shpërndahen falas për njerëzit që do të ndjekin ceremoninë në këtë pallat. Ndërkohë që, deri në 1 milion njerëz që nuk do të kenë fatin të hyjnë brenda, mendohet të mblidhen përpara rrugës për të parë në monitorë gjigantë të gjithë ceremoninë që do të nisë në orën 10 paradite ditën e martë. Brenda pallatit do të akomodohen 20.000 veta, ndër të cilët dhe legjenda e aktrimit dhe muzikës. Ceremonia do të nisë me cirkun e kafshëve, (tigrat dhe elefantët e Paradës së Përvitshme të Los Anxhelosit). Kur Xheksonin e pyetën në vitin 2002, se si mendonte se do të ishte funerali i tij, ai tha: “Do të jetë shfaqja më e madhe në tokë. Këtë dua unë. Fishekzjarre dhe gjithçka”. Mes të ftuarve që pritet të jenë të pranishëm në ceremoni pritet të jenë Diana Ros, Elizabet Teilor dhe Sir Pol Mekartni. I ftuar gjithashtu është dhe Presidenti Obama, i cili foli dy ditë më parë për herë të parë për vdekjen e këngëtarit. “I kam ende në “iPod” këngët e tij”, - u shpreh Presidenti. “Xheksoni ka kaluar në shumë aspekte një jetë tragjike personale”. Pas ceremonisë që do të shihet në të gjithë botën, familja do të organizojë dhe një ceremoni private, në varrezat e Forest Lounit në Hollivud, që do të ndiqet vetëm nga familja dhe miqtë e këngëtarit. Miku i tij dhe producenti Kuinsi Xhons tha se ai nuk do të ishte i pranishëm në këtë ceremoni. “Nuk do të shkoj në funeral”, - tha ai. “Sepse atje nuk është ajo që unë dua të shoh”.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›