Diana Bregu - Dashuritë e majores...
Sonila Merolli
Sonila Merolli
Qasja ndaj uniformës i lindi qysh në vegjëli, teksa kundronte me admirim babain e saj me veshjen e kuruar deri në detaje. E ka të ngulitur aq mirë këtë imazh, saqë përshkrimi është një lojë fëmijësh, edhe tani që vitet kanë lënë gjurmët e tyre. Të njëjtën magjepsje karshi lukut ushtarak, Diana Bregu e ka mbartur për 20 vite me radhë. E duket se ngjyra blu ia shton edhe më shumë hijeshinë. Tanimë mbi spaletat e xhaketës së saj, sheh se yjet kanë arritur gradën “Majore”, por ndryshe nga simotrat e saj të Forcave Tokësore, grada e saj specifikohet si majore në Forcat Ajrore, që jo rrallë e ngatërrojnë me fluturimet apo fantazi të kësilloji. “Një majore apo çfarëdo lloj grade tjetër qoftë, në Forcat Ajrore nuk lidhet assesi me fluturimet, edhe pse ky perceptim mund të jetë tek një pjesë e njerëzve. Përtej gradës dhe formimit tim akademik, unë merrem me logjistikë’ tregon Diana Bregu. Kuptohet se edhe rrugëtimi deri sa iu akordua kjo gradë ka kaluar nëpër të njëjtën rrugë si të çdo oficereje të re, që ka ç’ tregon nga fillesat në botën ushtarake. “Mbaj mend se e kam lënë tri herë Shkollën e Bashkuar, jo sepse më trembnin rregullat, apo disiplina e rreptë, sesa për largësinë nga familja dhe motra ime binjake. Ishin pedagogët ata që më bindën të vijoja studimet, për të filluar menjëherë punë në Gjadër të Lezhës’, rrëfen 48-vjeçarja nga Kopliku. Ishte pikërisht aty, mes zhaurimës së vionëve dhe helikopterëve, ku ajo gjeti edhe dashurinë, Martinin, djaloshin që pa njohur Dianën i kërkonte emocionet në qiell të hapur. “Po kthehesha nga reparti për në shtëpi dhe rruga i binte përpara hotelit të pilotëve, ku qëndronte edhe Martini. Pa më njohur aspak, duke qeshur ai i thoshte shoqeve, se gjoja unë e kisha ndjekur nga Shkodra, më kishte “zënë qymyri” për të”, kujton Diana. Ajo nuk mund të mos vërë buzën në gaz dhe një e skuqur i merr faqet, kur kujton se si nisi dashuria e tyre, nga një takim i “rastësishëm” në rrugë, nga një vështrim i hedhur kaq fushës së futbollit, ku ai luante...do të zgjasnin plot 6 muaj këto shkëmbime shikimesh, derisa një ditë teksa ktheheshim në shtëpi me autobus, erdhi deklarata e parë e dashurisë: “Fjalët e para që më tha ishin këto; “Në shtator kam ndërmend të martohem!”, kurse unë ia ktheva se do t’më bëhej qejfi po të më ftonte në dasmë!” Ishte treguar e guximshme vajza flokëverdhë, teksa e kishte pyetur se përse nuk po e ftonte në shtëpi, por djali, që tanimë i kishte gjërat e qarta, ia ktheu se më parë do t’i kërkonte dorën në shtëpinë e prindërve të saj. “Pastaj gjërat rrodhën natyrshëm. Tanimë kemi tri fëmijë, Aridonën 20 vjeç, Lorelën, 17 si dhe Mario 13 vjeç”, vijon rrëfimin Bregu, për pasionin tjetër; të shkruarin. Madje edhe dlirësinë dhe ndjenjat karshi të shoqit, asokohe preferonte t’ia hidhte në letër, edhe pse nuk i mungonte spontaniteti.
* * *
Epiteti “ushtarak”, i cili jo pak herë shërben si sinonim për përcaktimin “i rreptë”, apo “serioz”, bie kryekëput poshtë teksa përpara të del një femër aq e ëmbël, me batutë shkodrane, por mbi të gjitha veshur ‘pikë e presje’ sipas modës. Sigurisht pa i anashkaluar vitet që mban mbi supe, edhe pse tregon më e re sesa motet e jetuara. “Unë i kushtoj një vëmendje të madhe paraqitjes së jashtme, që nga veshjet, për të cilat shpenzoj shuma të mëdha, aksesorët, parfumet por edhe pa trukuar nuk dal kurrë”, tregon Diana Bregu, mbi femrën që fshihet pas gradave. Me gjithë veshjen e saj civile, kur përmendet uniforma ajo mund të gjejë njëmijë e një arsye, sipas të cilave veshja më e dashur dhe “shik” në gardërobën e saj është pikërisht, ajo që prej 20 vitesh nuk e ndan nga trupi i saj, përveçse ditëve të pushimit. “Kam një raport special me uniformën time, qoftë atë të parën ngjyrë kaki, tani që është ngjyrë blu akoma dhe më tepër”.
Fluturimi, pasion dhe ankth
Fluturimet e bashkëshortit të saj kanë qenë orar pa orar. Ai duhet të jetë i përgatitur për gjithçka, por kjo nuk e ka tronditur botën e majores e Forcave të Armatosura. “Jo se më mungonte ndjesia e ankthit, përkundrazi jam emotive, por duke qenë se isha tepër e re dhe punoja në një ambient, ku stërvitjet me avionë MIG apo lloje të tjerë ishin të përditshme, kishin filluar të më dukeshin normale dhe pa arsye për t’u frikësuar. Përkundrazi lumturohesha për rekordet dhe arritjet e tij në qiell”, tregon Diana. “Asokohe isha e pandërgjegjshme për rrezikun që më kanosej, por këto kohët e fundit kam filluar të kem një gjendje ankthi sa herë që Martinit i duhet të fluturojë. Mezi pres të kthehet. Për një pilot fluturimi është pasion, është adrenalinë, është gjithçka dhe unë nuk doja që im shoq ta humbte apo të frikësohej nga pasiguria ime. Madje edhe kur lindi vajza jonë e madhe ai ishte në qiell, por sigurisht që edhe ku zbriti në tokë iu duk vetja prapë “në qiell” kur pa vajzën”.