E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Në Kuvend vetëm hapjen e kutive



Aristir Lumezi

Asambleja Kombëtare e socialistëve vendosi nisjen e protestave në të gjithë vendin. Në 30 prill PS vendosi organizimin e një proteste të madhe në Tiranë, e cila nuk do të ndalet sipas tyre deri në garantimin e hapjes së kutive të 28 qershorit. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi në përfundim të mbledhjes së djeshme, bëri publike vendimet e marra nga ky forum. Gjithashtu Ruçi tha se asambleja vendosi dhe thirrjen në 18 prill të kongresit të PS, një kongres programor dhe statusor sipas tij.
Vendimet
Drejtuesi i Asamblesë Kombëtare socialiste Ruçi tha se ky forum kishte miratuar unanimisht të katër pikat që ai kishte propozuar. Asambleja kishte miratuar unanimisht marrëdhënien e kushtëzuar të grupit parlamentar socialist me Kuvendin. Ruçi bëri të qartë qëndrimin e Asamblesë, i njëjtë me atë të kreut të PS se në Kuvend deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm vetëm për zgjidhjen e kauzës, atë të transparencës së plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë pjesëmarrës në Parlamentin shqiptar vetëm, e theksoj vetëm, për të shfrytëzuar çdo hapësirë parlamentare për të çuar përpara transparencën e zgjedhjeve të mohuar në mënyrë jodemokratike, aspak kushtetuese, aspak procedurale e aq më pak pa vullnet politik të maxhorancës aktuale për transparencën e zgjedhjeve, të thellë, të plotë dhe të gjithanshme”, u shpreh Ruçi. Gjithashtu duke komunikuar vendimet e asamblesë, Ruçi falënderoi komunitetin ndërkombëtar për ndihmën që i ka dhënë PS në kauzën e saj. “Asambleja Kombëtare përshëndet gjithë mbështetjen e dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë për kauzën, jo vetëm të Partisë Socialiste dhe të grupit të saj, por të gjithë elektoratit shqiptar lidhur me transparencën e zgjedhjeve. Njëherësh Asambleja Kombëtare i bën dhe njëherë apel të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë që të vazhdojnë gjithë përpjekjet dhe mbështetjen e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri”, u shpreh Ruçi. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Ruçi tha se “nga pikëpamja procedurale do të shfrytëzojmë çdo hapësirë procedurale që lejon që ne të ngremë kauzën tonë për transparencën e zgjedhjeve dhe që lejon ngritjen e komisionit hetimor, ashtu sikurse do të kërkojmë që në mënyrë demokratike të krijohen hapësira plus për ngritjen dhe mbrojtjen e kësaj kauze”. Sipas tij PS do të shfrytëzojë çdo hapësirë gjatë seancave për të kërkuar zgjidhjen e kauzës sonë për transparencë. Drejtuesi i Asamblesë Kombëtare dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar, Ruçi tha se deputetët socialistë nuk do të kthehen në komisionet parlamentare pa u zgjidhur çështja e transparencës së zgjedhjeve. “Nuk ka normalitet të veprimtarisë së komisioneve parlamentare dhe nuk ka çështje të tjera për grupin parlamentar të PS pa zgjidhur krizën politike dhe transparencën e zgjedhjeve”, u shpreh Ruçi. Në lidhje me tematikën e kongresit socialist që do të mblidhet në 18 prill, Ruçi tha se kongresi do të ketë karakter programor dhe statusor. “Ka një grup pune që ka punuar prej 7 muajsh, ndryshimet që do i paraqiten Kongresit janë gati. Asambleja Kombëtare e Partisë do të rithirret brenda 10 ditësh, ku do të shqyrtojë këto ndryshime programore dhe statusore”, u shpreh Ruçi. Dy ditë më parë, grupi i punës për ndryshimet statusore i dha fund diskutimeve për propozimet e bëra dhe të miratuara përmes pyetësorit të shpërndarë në të gjitha strukturat socialiste. Grupi i punës hodhi poshtë një propozim të Maqo Lakrorit për sanksionimin në statut të oponencës kolektive, duke e cilësuar atë të panevojshme në kushtet aktuale të PS. Gjithashtu në draftin që do t’i paraqitet kongresit të datës 18 prill, do të ketë dhe risi organizative, do të shtohet kryetari socialist i rrethit dhe asambleja socialiste e rrethit, struktura që ishin hequr tre vjet më parë në kongresin e kaluar.

Debatet në Asamblenë Kombëtare

Saimir Tahiri: Qëndrimi i pakushtëzuar me Parlamentin duhet të vazhdojë domosdoshmërish, duke e konsideruar këtë vetëm një artikulim të protestës tonë, qoftë brenda apo jashtë sallës së Parlamentit, me një fjalim apo duke ndarë 60-minutëshin e diskutimeve të lira, në diskutime të lira të maxhorancës dhe në diskutime vetëm për çështjen e transparencës nga ana e opozitës.
Servet Pëllumbi: Bojkoti ka qenë deri tani i suksesshëm, por që tani e tutje duhet që të alternohet jeta aktive parlamentare me protestat, s’mund të jetë në plan të parë. Deputetët e PS-së duhet të marrin pjesë në komisionet parlamentare dhe në delegacionet ndërkombëtare, duke bërë një opozitë aktive parlamentare. Opinioni e kuptoi që zgjedhjet janë manipuluar në mënyrë masive. Këtej e tutje duhet të çmontohet ky Parlament dhe kjo maxhorancë përmes luftës parlamentare.
Ben Blushi: Kjo mbledhje duhet të ketë një vendim për hapat që do të merren në të ardhmen. Unë e pata thënë që në fillim që çfarëdo që të bëhet, kutitë nuk do të hapen. Kutitë do të hapen vetëm në zgjedhjet e ardhshme ndërsa kërkohet që ne të përgatitemi për zgjedhjet vendore, të cilat janë sfida jonë e radhës. Kërkoj që Kongresi i PS të jetë kongres politik, që do të bashkojë PS.
Taulant Balla: Meqë kërkohet vendim nga ana e Asamblesë, vendimi duhet të ketë tri pika, protesta në të gjithë vendin, më 30 prill shqiptarët të mbështesin protestën tonë në Tiranë dhe Asambleja i kërkon të gjithë deputetët që të vihen në shërbim të interesave të Partisë Socialiste për rrëzimin e Qeverisë.
Arben Malaj: Shifrat që vijnë nga baza nuk duhet të jenë justifikime për të radikalizuar pozicionin tonë. Duhet të mos ikim nga Parlamenti. Duhet të zhvillojmë një jetë normale parlamentare. Pjesëmarrja e kushtëzuar ku flet 5 minuta një koleg nga grupi dhe e shoqërojnë 64 veta, pengon suksesin tonë politik. Kjo fsheh krizën e maxhorancës, pengon që të qartësohet se
faktori i vetëm i kësaj krize është kjo maxhorancë dhe Berisha.
Eduard Shalsi: Ka shumë rëndësi se në emër të kujt flasim. Ne jemi me një mandat përfaqësues, ku në Parlament nuk flasim në emrin tonë, por në emër të zgjedhësve. Unë nuk jam njeri i kafeve të Rognerit dhe Sheratonit, por jam në kontakt të përditshëm me njerëzit dhe sjell këtu mendimin e tyre të cilët na thonë se ne duhet të vendosim marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin deri kur të garantohet transparenca e zgjedhjeve. Sa i takon protestës, ne duhet të bëjmë një protestë pa kthim, të shkohet në të dhe të përfundojë vetëm atëherë kur të jetë arritur kauza jonë.
Erion Braçe: Në PS duhet të forcohet disiplina dhe të kthehet institucioni i votës. Të funksionojë sekretariati dhe kryesia, sepse deri tani shumë sekretarë janë inekzistentë, nuk paraqiten fare në seli. Ndërsa kryesia e PS është kthyer në një show për disa njerëz. Duhet të bëhet votëbesimi i kryesisë dhe sekretariatit, nuk mund të tolerohet më me këto qëndrime
Damian Gjiknuri: Vajtja në Parlament për transparencë dhe kombinimi i saj me protesta është e vetmja rrugë e mundshme që kemi para nesh dhe kjo më kujton shprehjen e famshme se “politika është arti i të mundshmes dhe zgjidhje racionale”. Mendoj se nuk duhet që këtu thjesht të bëjmë fotografimin e mendimit të bazës, pasi po të flasësh me anëtarësinë, pjesa dërrmuese e tyre janë për qëndrim radikal.

Sajmir Tahiri
“Qëndrimi i pakushtëzuar me Parlamentin duhet të vazhdojë domosdoshmërisht, duke e konsideruar këtë vetëm një artikulim të protestës tonë, qoftë brenda apo jashtë sallës së Parlamentit, me një fjalim apo duke ndarë 60 minutëshin e diskutimeve të lira në dy gjysma, një për maxhorancën dhe një për protestën tonë.
Ajo që duhet të bëjmë më mirë është të nxjerrim protestën nga shpirti e shtëpia e çdo shqiptari që sot proteston për gjithçka, çmimet, varfërinë, papunësinë e kështu me radhë, e t’i japim zë kudo, në çdo cep të vendit dhe në Parlament gjithashtu”, u shpreh Tahiri.

Vasilika Hysi
“Mbështes marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, për shkak të mungesës së përgjegjshmërisë dhe krizës së thellë politike dhe ekonomike që kjo Qeveri ka shkaktuar në vend dhe mungesës së transparencës. Ne duhet të zhvillojmë një luftë politike të fortë dhe me argumente për probleme të mprehta që shqetësojnë vendin gjatë seancave të veçanta të Parlamentit, protesta të fuqishme për të mundësuar dhënien fund të një qeverisje, që injoron jo vetëm parimet e demokracisë, por edhe vullnetin e popullit”, u shpreh deputetja Hysi.

Arben Malaj
Protestat nuk duhet të jetë fillimi por një harmonizim i reagimit tonë publik, duke nisur me ndërprerjen e bojkotit. Pjesëmarrjen në Parlament nuk e kërkoj si fasadë për Qeverinë por si detyrim politik për të arritur brenda institucioneve transparencën e votës dhe ndaljen përfundimtare të vjedhjes së tyre. Ne duhet të marrim pjesë në Parlament për të qartësuar vizionin tonë për një Qeveri ndryshe, për të mbështetur integrimet e vendit dhe për të qartësuar dështimet e Berishës. Bojkoti fsheh krizën e maxhorancës, pengon që të qartësohet se faktori i vetëm i saj është kjo maxhorancë.

Vendimet e Asamblesë

Protesta në të gjithë vendin, të cilat do të kulmojnë me protestën në shkallë kombëtare të datës 30 prill në kryeqytet, Tiranë.

Deputetët e PS do të shkojnë në Parlament vetëm, për të shfrytëzuar çdo hapësirë parlamentare për të çuar përpara transparencën e zgjedhjeve

Asambleja Kombëtare përshëndet gjithë mbështetjen e dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtarë për kauzën e PS-së

Asambleja Kombëtare vendosi që më 18 prill, në Tiranë, të thërrasë Kongresin e Partisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›