Greqia, falje zyrtare Shqipërisë
Aristir Lumezi & Erald Kapri
Greqia i kërkon falje zyrtare Shqipërisë. Ambasadori grek në Tiranë Nikolaos Pazios telefonoi dje Ministrin e Jashtëm shqiptar Ilir Meta, ku shprehu në emër të Qeverisë greke falje zyrtare.Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, thuhet se Ambasadori grek shprehu vendosmërinë dhe premtoi se skandali do të dënohet ashpër nga Qeveria e Athinës. Njëkohësisht ambasadori ka bërë të ditur se një hetim i plotë do t’i bëhet ngjarjes dhe autorët do të ndëshkohen. “Ambasadori Pazios i ka shprehur z.Meta ndjesën e Qeverisë greke për ç`ka ka ndodhur dhe e ka siguruar se autoritetet kompetente greke do t`i shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij”-thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Jashtme. Në të njëjtin njoftim, bëhet e ditur se ministri Meta pasi ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm e të vendosur të Qeverisë greke, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë do të vazhdojnë të përparojnë dhe të forcohen më tej. Njoftimi thotë më tej se Ambasadori i Republikës së Greqisë z.Nikolaos Pazios, i ka konfirmuar ministrit Meta vendosmërinë e Qeverisë greke për të dënuar skandalin dhe ndëshkimin e ashpër të autorëve.
Reagimi
Reagim për ngjarjen ka bërë edhe Sekretari Ekzekutiv i Rojës Bregdetare të Greqisë i cili e ka vlerësuar ngjarjen si të rëndë. “E dënojmë ashpër sjelljen e papranueshme të një grupi të vogël të trupave amfibe të Rojës Bregdetare, të cilët me qëndrimin e tyre gjatë paradës së 25 marsit, ose nga naiviteti për të cilin shpresojmë, ose nga pozicioni i tyre, diçka të cilën as nuk duam ta imagjinojmë, krijuan probleme serioze si për kolegët e tyre në radhët e forcave amfibe, ashtu edhe për Rojën Bregdetare”, tha ai duke shtuar se “roli i Federatës sonë është të mos lejojë fenomene të tilla në radhët e trupave të Rojës Bregdetare, që luftojnë në kushte shumë të vështira për të kryer detyrën”.
Mediat greke
Mediat greke kanë vijuar të trajtojnë skandalin në paradën e ditës së çlirimit nga pushtimi otoman. Gazeta greke “Eleftherotipia” shkruan se “me urdhër të kreut të Forcave Detare, Thanasi Bousios, u pezullua kreu i ekipit të polumbarëve, Haralambopulos, i cili është dhe polumbar, ndërsa u kërkua nisje hetimi për të nxjerrë përgjegjësitë e 36 polumbarëve, por nuk përjashtohet dhe thirrja e tyre në Gjykatën Ushtarake”. Kjo gazetë shkruan më tej se për “pak sa nuk nisi një polemikë brenda kabinetit qeveritar, pasi zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes nuk pranonin se polumbarët që hodhën thirrje raciste ishin pjesë e kontingjentit të tyre, por ishte analiza e vazhdueshme e videos së turpit, tregoi se 36 “trimat” bënin pjesë tek ekipi i polumbarëve të misioneve të shpëtimit, një fakt që siç ishte e pritshme, bëri “të fliste me vete” si kreun e Forcave Detare, ashtu dhe ministrin e Mbrojtjes së Qytetarit, i cili është dikasteri që mbulon Forcat Detare”. “Eleftherotipia” shkruan më tej “deri vonë në mesditë, ushtarakët përgjegjës të Forcave Detare por dhe kreu i ekipit të polumbarëve, që hodhën thirrje sharëse sapo u larguan nga podiumi VIP, i thanë si kreut të Forcave Detare ashtu dhe Ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Mahali Krisohoidhi, se ata njerëz nuk kishin asnjë lidhje me forcat detare por me Forcat Ushtarake të Marinës dhe konkretisht me Ekipin e polumbarëve për rastet e katastrofave”. Pjesë e Forcave Detare janë 36 polumbarët që, gjatë parakalimit për nder të festës së 25 marsit në qendër të Athinës, hodhën thirrje të papranueshme kundër turqve dhe shqiptarëve.
Barka: Jam kundër çdo lloj dhune
Ish-ministri i Punës dhe çështjes Sociale në Qeverinë "Berisha I", Kosta Barka dënoi dje incidentin e ushtrisë greke në të cilën u hodhën parulla fyese dhe raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Barka deklaroi dje për "Panorama" se "personalisht jam kundër çdo lloj dhune, ngado që vjen dhe nga kushdo që vjen". Përfaqësuesi i minoritetit grek në Shqipëri, Barka në të njëjtën kohë ka vlerësues dhe reagimin e bërë nga ana e Athinës zyrtare në lidhje me këtë ngjarje. "Mendoj se ishte një veprim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë greke. Unë jam i mendimit se për çdo gjë që ndihmon bashkëpunimin midis popujve është në interes të njëri-tjetrit", theksoi ish-ministri.
Meta: Incidenti skandaloz, ndëshkim ekstremistëve
Një incident skandaloz e cilësoi zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, atë që ndodhi dy ditë më parë në Athinë, ku ushtaret grekë lëshuan thirrje antishqiptare. Ai bëri të njohur se po punohet si në Tiranë, ashtu dhe përmes Ambasadës shqiptare në Greqi. “Ne besojmë se autoritetet greke do t’i përshkallëzojnë masat e tyre ndaj përgjegjësve të këtij incidenti skandaloz që po provokon ndjenjat e miqësisë midis dy vendeve dhe klimën konstruktive të raporteve tona dhe besojmë që ky incident skandaloz jo vetëm që do të ndëshkohet, por do të mbetet i izoluar nga e ardhmja konstruktive dhe miqësore e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy popujve tanë”, tha Meta. Shefi i diplomacisë theksoi se “është e rëndësishme që incidenteve të mos u përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. “Nuk mendoj se ndaj incidenteve duhet të përgjigjemi me incidente. Unë besoj se përgjigjen më të mirë e ka dhënë dje vetë Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, zoti Kristoforidhis dhe akoma më mirë besoj se do të jepet në vazhdim me përshkallëzimin e masave ndaj këtij incidenti skandaloz”, theksoi Meta. Ndërsa Ambasadori jonë në Athinë, Vili Miniralloi, në një prononcim për mediat deklaroi se “dua të vë në dukje reagimin e menjëhershëm të të gjitha institucioneve greke, të mediave greke dhe të shoqërisë greke. është qëndrimi i ministrit që e ka në varësi këtë repart ushtarak dhe qëndrimi i vetë sindikatës së rojeve bregdetare. Ky akt i shëmtuar konsiderohet i tillë edhe për vetë këta që e bënë dhe e dënojnë tërësisht. Ata e vlerësojnë si një akt i veçantë i një grupi të vogël njerëzish, që nuk ka të bëjë as më politikën as me qëndrimin e tyre ndaj një vendi mik, siç është Shqipëria. Veprimi konsiderohet si një turp për grekët dhe në një farë mënyre nëpërmjet qëndrimeve dhe veprimeve të tyre është një kërkesë faljeje për atë çka bënë shokët e tyre, kolegët e tyre”, tha Minarolli.
Parulla antigreke para ambasadës në Tiranë
Erald Kapri
Një grup organizatash por edhe parti politike protestuan dje para Ambasadës së Greqisë pas ngjarjes në Athinë ku në paradën ushtarake këndohej këngë fyese për shqiptarët. Mes parullave patriotike, ku kërkohej zgjidhja e çështjes çame apo Shqipërisë Etnike, nuk munguan as parulla fyese ndaj Greqisë ku protestues të shumtë hodhën parulla kundër ambasadorit apo shtetit helen. “Greqia, turpi i Evropës”, apo “Hellas, fuck you” ishin disa nga parullat e përdorura nga protestuesit. Protesta e djeshme u organizua nga disa organizata si Klubi i Patriotëve të Rinj, organizata “Mjaft”, “Tifozët Kuqezi” organizata të tjera por edhe nga Partia për Drejtësi e Unitet, por jo në mënyrë të organizuar. Një pjesë e të rinjve vijuan të protestojë për disa orë para ambasadës duke mbajtur veshur flamurë kombëtarë. “Në këtë çast të rëndë, ne nuk mund dhe nuk duhet të mjaftohemi me shkarkime selektive në radhët e ushtrisë dhe as me deklarata formale në nivel ambasadorësh”-thuhej në reagimin e organizatës “Mjaft”.
Krerët e partisë PDU me mbështetësit e tyre, pasi dhanë një deklaratë për median u larguan nga ambasada, por të rinjtë e tjerë qëndruan dhe vijuan të protestonin. Në protestën e djeshme, disa të rinj tentuan madje të djegin dhe flamurin grek por u tërhoqën nga tentativa e tyre.
Protesta, e cila u zhvillua qetësisht, u karakterizuara edhe nga thirrjet e forta nacionaliste të të rinjve. “O sa mire me kenë shqiptarë”, këngë patriotike si dhe himni kombëtar.
Në pankartat e protestuesve kërkohej zgjidhja e çështjes çame. Kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi kërkoi nga pala greke të kërkojë falje, por kërkoi edhe nga pala shqiptare që të ngrejë çështje çame. “Ne i kërkojmë Qeverisë greke të distancohet nga aktet e përsëritura. Qeveria shqiptare, në mënyrë të qartë të mbajë qëndrim dhe të kërkoj shpjegim. I kërkojmë presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe të gjithë forcave politike të ruajnë identitetin shqiptar dhe të hapin në tryezën e bisedimeve çështjen çame” – deklaroi Idrizi. Protesta e djeshme ndodhi dje para Ambasadës greke para se ambasadori të telefononte Ministrin Meta e të kërkonte falje për ngjarjen në paradën ushtarake për festën e Pavarësisë.
BURREL
Një grup të rinjsh në qytetin e Burrelit kanë djegur dje në mesditë, në sheshin “Demokracia”, një flamur të shtetit grek. Të rinjtë janë mbështetur edhe nga qytetarë të tjerë, të cilët janë shprehur se nuk është aspak e drejtë të dëgjojmë vazhdimisht thirrje kundër shqiptarëve nga fqinjët. Ata bënë të pamundurën të gjejnë një flamur të Shtetit helen në pikat e ndryshme ku shiten flamuj, por e kanë pasur të pamundur ta sigurojnë atë. Në mungesë të një flamuri të stampuar, ata kanë siguruar një çarçaf të bardhë, të cilin e kanë lyer me bojë, duke ia përshtatur flamurit të Greqisë. h.p
durres
Banorë të qytetit të Durrësit dhe rrethinat e tij u mblodhën mesditën e djeshme në qendër, duke protestuar ndaj thirrjeve të ushtarëve grekë ndaj shtetasve shqiptarë pak ditë më parë në Athinë. Ata qëndruan në sheshin “Iliria”, në mes të institucioneve kryesore lokale, ku veç grupit të organizuar, pati dhe mbështetës të rastit të së njëjtës kauzë. Në fund të protestës paqësore, u shpërndanë fletushka në qendër të qytetit, ku bëheshin thirrje: “Shqipëri, mos rri po duku”, formuluesi i të cilave ishte anonim. Protestuesit u shpërndanë pa krijuar ndonjë incident. o.u
TEPELENE
Legalizimi më i fundit i maxhorancës qeverisëse për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në jug të vendit, ka nxitur reagime nga shoqata atdhetare dhe nacionaliste. Njëri prej personazheve më të spikatur antigrek në jug të vendit Orgen Hasanbegaj, akuzoi ekzekutivin shqiptar si antikombëtar me lëvizjen më të fundit. “Qeveria shqiptare i ka ofruar Greqisë një tjetër dhuratë me rastin e festës së tyre kombëtare, siç është legalizimi i varrezave të ushtarëve grekë në jug të vendit”, është shprehur Hasanbegaj, kreu i Shoqatës Atdhetare “Krahësi”. Sipas tij, Qeveria shqiptare duhet të merret më tepër me të drejtat e emigrantëve. p.n