E Diel, 1 Nëntor 2026

Diana Mata, me syrin te dhjetaPinjollja e shquar e dinastisë “Mata” rrëfehet për www.albania-sport.com. Mbi 50 medalje, ndër to 13 ari kanë krijuar një “muze të vogël” në shtëpi

Rrjetet sociale:

Diana Mata dhe familja Mata përbën një simbolikë të qitjes shqiptare, për të cilën natyrshëm meriton një respekt të veçantë. Një dinasti dominuese mbi 60-vjeçare në sportin e “syrit dhe të gishtit’, në sportin ku që të fitosh duhet të qëllosh në zëmër të dhjetës. Diana Mata është sportistja cilësore më jetë gjatë, një histori gati 33-vjeçare, që nis nga mosha e njomë 15 vjeç. Një histori suksesi e medaljesh. Diana, nënkampione e Europës dhe “pronare” e më shumë se 50 medaljeve, midis tyre 13 të arta, përjeton ende emocionet e garës, por kësaj radhe jo si sportiste e nivelit të lartë, por si trajnere e kampiones së Europës, Lindita Kodra, e katërta qitëse shqiptare që ka mundur të sjellë një medalje të artë nga një kampionat Europian. “Mjeshtrja Botërore e Qitjes”  duket se e ka më lehtë të qëllojë te dhjeta, duke pohuar se elokuenca e saj në të folur është shumë prapa asaj që ajo bën në vijën e zjarrit. Ende elegante, aq sa mund t’i heqësh pa frikë 20 vjet nga mosha e saj biologjike, me sytë që i shkëlqejnë dhe në prani të bashkëshortit, Denish Nallbani, njeriut që i ka krijuar çdo mundësi që Diana, vajza e Ali Matës, trajnerit që ka nxjerrë 3 kampione të Europës, të shkëlqejë në Shqipëri e në botë. “Ka lënë ndoshta familjen pak mangët, por ia kemi bërë hallall për ato që ka arritur”, - thotë bashkëshorti i saj. “Kam pas munguar edhe me muaj nga shtëpia, por Denishi, më ka mbështetur vazhdimisht, por ja kam kompensuar më pas me medalje. Ka pasur raste që nuk më njihnin as në shkollë”, - shton me të qeshur Diana. Në shoqërinë e një çaji te një kafet luksoze të “European Trade Center”, Diana, 17-herë kampionia e Shqipërisë nis rrëfimin e radhës për www.albania-sport.com, për të qenë pas disa kohësh mysafire në një media tjetër të shkruara apo elektronike...

Diana, jeni rritur në një familje qitësish, për më tepër që jeni stërvitur nga babai juaj, Aliu. Sa ka ndikuar ai në arritjet tuaja kombëtare e ndërkombëtare të cilat kulmojnë me shpalljen nënkampione të Europës në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1978?

Më parë kisha marë medalje ari në Finlandë, në vitin 1980, por dhe argjendi në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Si ekip dolëm në vend të tretë. Kam marrë shumë nga babai im. Faktorin psikologjik. Pa zotëruar atë nuk mund të jesh kurrë një sportiste e madhe. Në garat e mëdha pa qenë zotëruese e vetes nuk mund të arrish rezultate të larta. Të transmetonte kurajo. Kam fituar goxha shumë nga babai im. Vërtet babain e kisha trajner në poligon, por më trajtonte si gjithë të tjerët. Privilegji im ishte se e kisha dhe në shtëpi. Më njihte deri në imtësi karakterin, tipin që kisha. Konsultohesha gjithmonë me të. Kishim krijuar një kampionat të vogël në shtëpi. Dhe në darkë, kur mblidheshim të gjithë bashkë tema kryesore ishte qitja. Diskutonim të metat që shfaqnim në poligon. Ishte një ndihmë e madhe që trajnohesha nga im atë. Shumë gjëra që nuk mund t’i mi thoshte në poligon mi thoshte në shtëpi. “Diana kujdes këtë, kujdes atë”.  Kisha krijuar një stereotip shumë strikt të jetës sime si sportiste, ishte gjithçka e programuar deri në imtësi. Qitja përveç syrin të mirë kërkon dhe përgatitje të lartë fizike. Kam bërë shtangë, kilometra pa fund vrap. Kjo ka ndikuar që të garoj në një nivel të lartë për një periudhë thuajse mbi 30 vjeçare.

Nga familja juaj kanë dalë disa qitës të spikatur, të babai juaj, Ali Mata, është dekoruar edhe me titujt e “Mjeshtrit të merituar të sportit”, “Nderit të kombit”, duke nxjerrë dy kampione të Europës, Ermira Dingun dhe Emanuela Kolën , si dhe ju vetë, “mjeshtre të merituat të sportit”. Si e kujtoni babain tuaj në rolin e trajnerit?

Babai im, Aliu, ruan ende një hijen e një trajneri. Edhe pse nuk stërvit më, prapë së prapë nuk heq dorë nga këshllat e tij. Tashmë, edhe pse ai është 79 vjeç flasim të dy thuajse çdo ditë për qitjen.

Duke mbetur te familja juaj, a ka pasur ndonjë garë brenda familjes suaj, kur qitëse të tjerë kanë qenë edhe motra juaj, Marjana Mata, apo dhe me vëllain Skënder Mata dhe kushëririn tuja, Shefqet Mata?

Ka ekzistuar vërtet një kampionat midis nesh, pavarësisht se ndonjë prej tyre ishte në pushkë dhe jo në pistoletë. Kemi qenë gjashtë qitësa në shtëpi. Mund të merret lehtë më mend, se çfarë ambienti shndërrrohe. Rivale më të madhe kam pasur nuset e vëllëzerve, që bënin garën time. Në poligon dhe në garë ishim rivale, por jashtë saj ishim kunata shumë të mira.

Keni garuar për herë të parë në moshën 16-vjeçare, në vitin 1976, nën drejtimin e babait tuaj të nderuar.

Është një moment që nuk e harroj kurrë. Kam punuar shumë dhe kam arritur të kem sukses të menjëhershëm qysh në garat e para. Edhe pse isha vetëm 16 vjeçe e kam zënë vend në ekipin e të rriturave.
   
Gara juaj e parë është ajo në kampionatin europian në Itali, në vitin 1977. Si e kujton pjesëmarrjen tuaj të parë në Europë?

S’mund ta harroj kurrë. Ishte gara ime e parë në Europë. Dola e nënta. Kjo garë më vendosi në pozita pune për të punuar më shumë për të kapur rezultate më të mira. Kundërshtaret më të forta ishin ruset, bullgaret dhe jugosllavet.

Keni një karrierë të gjatë ndërkombëtare si në garat europiane dhe ato ballkanike, ku jeni kurorëzuar edhe me titullin “Mjeshtre Europiane e Qitjes”, çfarë emocione ruani?

Nuk është thjesht të jesh një sportiste cilësore e të spikasësh në arenën ndërkombëtare, apo të ndihmosh ekipin që të dalë ndër më tre më të mirët në botë. Nuk jam gëzuar më shumë për vete, se sa për flamurin e Shqipërisë pas podiumit të fituesve. Të arrish të marrësh titullin më të lartë të “Mjeshtres Botërore të Qitjes” është diçka që të bën me të vërtetë krenare, vetëm pesë sportistët e para e morën atë. Atëherë mendova se ky ishte fundi i atyre që mund të arrija, por në të vërtetë dhashë akoma për veten dhe vendin. Të jashtëzakonshme. Të konkurrosh denjësisht me qitëset më të mëdha të botës përveç emocioneve të garës të dhuron edhe një kënaqësi që nuk mund ta harrosh kurrë.

Keni qenë shpesh pran barazimit të rekordit botëror në garën tuaj, a keni ndjerë ndonjë peng që nuk e keni barazuar apo thyer atë?

Në garat kombëtare thuajse absolute. Kam qenë 17-herë kampione e vendit. Kam qenë shpesh një apo dy pikë larg rekordeve botërore. Në Shqipëri ende nuk është thyer rekordi im, 592 pikë. Rekordi botëror në pistoletë është 594 pikë. Jam përpjekur gjithmonë që t’i afrohem.

Tani pas më shumë se 30 vjetësh, jeni vetë trajnere e një kampione tjetër shqiptare të Europës, Lindita Kodra. Cili është ndryshimi midis Dianës qitëse dhe Dianës trajnere?

Është krejt ndryshe të jesh sportiste dhe trajnere e të trajnosh sportiste të niveleve të larta europiane dhe botërore. Ndjek të njëjtën rrugë siç e ka ndjekur edhe babai im me mua. Kam marrë shumë nga babai im. Kështu dua dhe unë që sportistja ime të shkëlqejë. Besoj se të vetja ime si trajnere dhe te Lindita si sportiste e kam arritur.

Diana, keni marrë dy herë pjesë në Lojërat Olimpike, në “Atlanta 1996” së bashku edhe me Enkelejda Shehun, si dhe në “Sidnej 2000” në Australi. Si i kujtoni garat në këto Olimpiada?

Në ato vite qitja arriti të kapë normat strikte të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike. Së bashku edhe me Enkeleljda Shehun morra pjesë në “Atlanta 1996”. Sigurisht ishte gara e parë e jona në një eveniment kaq të madh si Olimpiada. Nuk dolëm keq në Atlanta, nëse do të marrim në konsideratë dhe faktin se garonin kampione të botës. Katër vite më pas, në Australi për “Sidnej 2000” e ndieja veten më me përvojë. U rendita e dhjeta në Lojërat Olimpike. E konsideroj sukses të madh për veten. Edhe mosha ka bërë të veten në Australi.

4 kg medalje

Diana Mata ka koleksionuar mbi 50 medalje, 13 ari, 21 argjendi dhe 9 bronzi e një numër pafund medaljesh në aktivitetet kombëtare. Diana është shpallur dhjetë herë ndër “10 sportistët më të mirë”, një anketë prestigjioze e organizuar nga gazeta sportive “Sporti Popullor”, sot “Sporti Shqiptar”. Por, çfarë peshë zënë ato për Dianën dhe a ekziston ndonjë muze i vogël në shtëpinë e saj. “Po ti peshosh të gjitha bashkë, rëndojnë gati 4 kilogram, - ndërhyn bashkëshorti i saj, Denishi. “Janë vërtet shumë, nuk kam as ku t’i vendos - thotë Diana, - janë një valixhe plot. Nga kampionatet ballkanike kam medalje pa fund. Asnjëherë nuk jam kthyer pa medalje nga Ballkani. Jam dy herë kampione Ballkani, në vitin 1991 kam thyer edhe rekordin ballkanik në garën pistoletë ajër”.

Rivale, por shoqe të ngushta

Shqipëria ka nxjerrë disa qitëse kampione të Europës para viteve 1990, si Elisabeta Karabolli në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1979, Ermira Dingu në Madrid në vitin 1980, pushkë, Emanuela Kola për të reja. Por sa ka ndikuar rivaliteti me to dhe çfarë marrëdhëniesh ka pasur Diana me to. “Kemi qenë së pari shoqe shumë të mira. Në jetën sportive kemi qenë rivale garash, pasi konkurronim me disa për ekipe të ndryshme, por jashtë ishim shoqe të mira. Përsa i përket medaljeve të të para e para që ka sjellë një të tillë ka qenë Elisabeta Karabolli, e cila doli e treta në Itali, duke fituar medalje bronzi. Unë, Elisabeta dhe Margarita Cingu dolëm nënkampionë të Europës në ushtrimin me pistoletë 30+30 (1733 pikë në total). Ishte hera e parë që fitonim si ekip në Europë. Kur vjen Elisabeta nga Amerika do të vijë patjetër në poligon të më takojë. E merr shumë malli. Bashkëshorti i Elisabetës ka qenë trajneri im”.

Diana kundër Dianës

Diana Mata ka pasur shumë konkurrente të huaj në Europë, si jugosllaven Jasna Sarakiç, bullgaret Diana Jorgova e Maria Grozhdodieva. A ka pasur ndonjë moment të veçantë në garën midis jush, sidomos me me Diana Jorgovën, apo më mirë një duel shqiptaro-bullgar “Diana kundër Dianës”? “Bullgarja Diana Jorgova është si një sportiste madhe. Tani është 44 vjeçe. Së fundi, jam takuar në Lojërat e Pekinit. Kemi kujtuar shumë gjëra nga garat dhe rivaliteti ynë. Jemi shpesh në kontakt me njëra-tjetrën. Serbja Jasna Sarakiç ka ende rezultate të larta. Në Kinë kur mësuan se unë isha trajnerja e Lindita Kodrës u gëzuan shumë. E kam mundur në garë Jasna Sarakiçin, e cila ka qenë kampione bote, duke u shpallur sportistja më e mirë e Ballkaniadës, në vitin 1988”.
Numri i klikimeve - 209
  E Marte, 03 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›