Mikerezi: “Qitja, superfuqia që mbijeton”Qitja ka qenë e vazhdon të mbetet një nga krenaritë e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke mbetur rivalja më e madhe e peshëngritjes sonë

Rrjetet sociale:
Qitja është një nga sportet më elitare dhe më cilësorë në Shqipëri e që i ka dhuruar vendit disa kampionë Europë, dhjetëra kampionë Ballkani dhe një numër të jashtëzakonshëm medaljesh në arenën ndërkombëtare.
“Aktualisht është sporti që i ka dhënë vendit katër kampionë të Europës, duke filluar që nga viti 1979 me Elisabeta Karabollin në Frankfurt të Gjermanisë, vazhdon me Ermira Dingun në vitin 1980 në Madrid të Spanjës, më pas me Emanuela Kolën për të reja në vitin 1981 dhe së fundi me Lindita Kodrën në Granada të Spanjës në vitin 2007, duke mos përmendur dhjetëra kampionë Ballkani. Kristo Robo është kampion i Lojërave Mesdhetare në Latakia në vitin 1987 - thotë Koço Mikerezi, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes.
Qitja ka qenë e vazhdon të mbetet një nga krenaritë e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke mbetur rivalja më e madhe e peshëngritjes sonë. Madje, edhe në Lojërat Olimpike të Munihut në vitin 1972, në të cilat Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë, në delegacionin sportiv shqiptar bënte pjesë edhe Afërdita Tushe, e cila sa për kuriozitet ka garuar me qitësit meshkuj. “Për qitjen para viteve 1990 është investuar shumë. Ndoshta mund të jetë investuar për politikë apo po propagandë, por rezultatet kanë qenë me të vërtetë fantastike. Në atë kohë (gjatë rregjimit komunist), - thekson Mikerezi, - gjithmonë thuhej se shqiptari e ka traditë pushkën, por në atë kohë të mirë apo të keqe, rezultatet e larta nuk kanë qenë kurrë një rastësi”.
“Deri në vitin 1991, qitja numëronte 31 ekipe me 1500 sportistë, në dispozicion të tyre ishin 25 poligone, kishte ekipe të kategorisë së parë dhe të dytë, ishte e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. “Ishin 154 trajnerë të kategorizuar, ishte i ngritur një sistem i tërë prej vitesh, derisa u arrit në atë nivel cilësor”, - jep një panoramë të së kaluarës sekretari Mikerezi. Qitja numëron një numër të madh “mjeshtrish të merituar të sportit”, duke filluar nga Ali Mata, Ismail Rama, Sadik Kuçana, Shefqet Mata, Beqir Kosova, Ermira Dingu, Kristo Robo, Diana Mata, Elisabeta Karabolli, Eglantina Lalmi, Niko Shtrepi, Emanuela Kola, Liri Beqaj.
“Ka pasur shumë sportistë cilësorë, është e pamundur t’i përmendësh të gjithë. Sa për ta ilustruar, Sadik Kuçana ka barazuar rekordin botëror në garën me pushkë 40x3 në pozicionin në gjunjë me, ndërsa në vitin 1984 ai arriti 400 pikë, në pozicionin barkas, pra të 40 fishekët te 10-ta, pra 40 dhjeta. Kur shkonim në kampionatet Ballkanike ne ishim një nga ekipet që dominonim në gara, kur në ato kohë ishim në rivalitet të fortë me shkollën jugosllave, bullgare, që kishin nga ana e tyre një nivel shumë të lartë në sportin e qitjes. Sot nuk zhvillohen më kampionate ballkanikë, në vitin 2005 është zhvilluar për herë të fundit. Në fakt, është krijuar një Federatës e Europës Juglindore, por që nuk ka dhënë suksesin e pritur”, - thotë Mikerezi, duke treguar një historik prej më shumë se 1000 faqesh të daktilografuara e të ruajtura me kimet në zyrën e tij.
“E përsëris nuk kanë qenë rezultate të rastësishme, por fryt i një pune të madhe e një rivaliteti të fortë midis shumë ekipeve dhe qitësve. Janë investuar shumë të mëdha në pajisje, fishekë, e trajnim, që detyrimisht do të sillnin edhe suksese në arenën ndërkombëtare. Kur vinim me 20 medalje nga kampionatet ballkanike na dukeshin shumë pak, por tani që fitojmë pak të tilla, e kuptoj që kemi qenë një superfuqi në qitje dhe jo vetëm në një ushtrim”, - përfundon sekretari i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi.
“Mjeshtrit” e mëdhenj
Qitja numëron një numër të madh “Mjeshtër të merituar të sportit”, duke filluar nga Ali Mata, Ismail Rama, Sadik Kuçana, Shefqet Mata, Beqir Kosova, Ermira Dingu, Kristo Robo, Diana Mata, Elisabeta Karabolli, Eglantina Lalmi, Niko Shtrepi, Emanuela Kola, Liri Beqaj.
Sa e vështirë është të
krijosh një kampion?
“Është shumë e vështirë,- thekson Mikerezi, një nga njohësit më të mirë të qitjes shqiptare. “Një kampion i nivelit evropian duhet shumë vite. Po ta marrësh që nga Elisabeta Karabolli e deri në te Lindita Kodra, rezultatet e larta kanë ardhur pas një pune shumë të madhe disavjeçare, me stërvitje të përditshme e të përkushtuar. Atëherë ekzistonte 5-orëshi i punës, e më pas orët e tjera të punës kompensoheshin me stërvitje. Sot, në ekonominë e tregut ai që merret me sport, ose do të sigurojë të ardhura të mjaftueshme nga sporti ose do të gjejë kohën për ta bërë stërvitjen”.
E ardhmja, cfarë premton ajo?
Shqipëria ka krijuar një plejadë të madhe qitësish të talentuar, kampionë, medalistë. Por a ka të ardhme po kaq të ndritur qitja shqiptare? “Pa dyshim, që po. Ka disa emra premtues si Klarita Strataj, Majlinda Konini, Aida Mustafaj, Elvira Dingu, Arben Kuçana, Arben Cerina - thekson sekretari Mikerezi. “Ka shumë kërkesa nga rinia, të cilët kërkojnë të marrin pjesë, por si sport sot gjendemi edhe në disa vështirësi objektive. Në rast se para viteve 1990 ishin 1500 sportistë, sot mund të jenë 50 sportistë të shpërndarë në pesë ekipe. Klubet sportive janë në varësi të bashkive, ashtu si dhe objektet sportive”. Poligone sot kanë mbetur shumë pak në Shqipëri. Janë katër, dy në Tiranë, një në Elbasan dhe një në Berat. Më i miri është poligoni i klubit “Studenti”. Po ku është qitja sot? Shpjegimin më të plotë e jep sekretari Mikerezi. “Me ardhjen e Demokracisë, normalisht që ekonomia e tregut ka sjellë shumë probleme, pavarësisht se shteti investon sot 100 për qind për qitjen. Sporti i qitjes është një sport i kushtueshëm, ka shumë shpenzime: armë, municione. Çdo stërvitje kushton, pasi fisheku ka një vlerë të caktuar financiare. Çdo kush duhet të ketë armën e tij”. Një pushkë profesionale kushton afërsisht 900-1000 euro, ndërsa pistoletat deri në 700-800 euro. “Nëse këtij sporti do t’i mungojnë sportistët e pasionuar pas qitjes, do të ndodhemi në vështirësi të madhe”, - theksoi Mikerezi. “Aktualisht sot, ne konkurrojmë në nivel të lartë në Europë dhe në botë vetëm në ushtrimin pistoletë femra, ajo 2x30 ku konkurron Lindita Kodra. Në të gjitha të tjerat nuk dallohemi”. Vitin e kaluar u shkri ekipi i qitjes së Partizanit, Tirana e kanë lënë poligonin të rinohet se i ka dalë pronari, në të njëjtën situatë ndodhet edhe ai i Laçit.
Numri i klikimeve - 206
E Marte, 03 Nentor 2009