E Diel, 1 Nëntor 2026

Një histori heronjsh, nga Rama te KarabolliLavdia e sportit të një vendi të konsideruar gjithmonë në luftë me armiqtë. Simboli i fundit i qitjes shqiptare është 47 vjeçarja Lindita Kodra

Rrjetet sociale:

Federata Shqiptare Qitjes është krijuar në vitin 1948, ndërsa kampionati i parë kombëtar për meshkuj u zhvillua në vitin 1949, ndërsa ai për femra në vitin 1951, ndërkohë që nga viti 1963 është anëtare e Federatës Ndërkombëtare së Qitjes. Kampionatet, Kupa e Shqipërisë, Spartikiadat Kombëtare kanë qenë veprimtaritë më të rëndësishme të qitjes. Poligonet më të famshme dhe më moderne në Shqipëri ishin ato të ndërtuara në Tiranë, Berati e Laç, ndërsa në vendin tonë kishte 24 të tilla. Për momentin Lindita Kodra është shndërruar në simbolin aktual të qitjes shqiptare, por përpara saj atdheu i shqiponjave ka nxjerrë edhe dy kampione të tjera të Europës, Elisabeta Karabolli dhe Ermira Dingu, por edhe një kampione të Europës për të reja si Emanuela Kola. Kristo Robo është i vetmi qitës nga meshkujt që ka mundur të fitojë një medalje të artë, pikërisht në Lojërat Mesdhetare të Latakias të Sirisë (1987).

Gara e parë ndërkombëtare i përket Ismail Ramës, i cili morri pjesë në Xhakarta të Indonezisë (1963) dhe në Bukuresht të Rumanisë (1963), duke marrë medalje argjendi. Gjithsesi rezultati i parë i bujshëm për një qitës shqiptare i përket Ermira Dingut në vitin 1971, e cila atëherë vetëm 19-vjeçe, grumbulloi 589 pikë, vetëm një më pak se vendi i parë në botë për atë kohë për garën me precizion 1x60. Edhe të rinjtë janë në evidencë ndërkombëtare. Fatmir Dule u shpall kampion Europe në vitin 1972 më 1x60. Ermira Dingu, u rendit e 6-ta, por në vitin 1974 për kategorinë e të rinjve. Në vitin 1975, Liri Beqja me 593 pikë fitoi vendin e parë në 1x60 në Turneun e Pekinit.

Në vitin 1977 nis edhe “epoka Karabolli”. Në piostoletë 30x30, vetëm 19-vjeç ajo fiton medaljen e bronzit në Romë, një vit më pas argjendin në Finlandë dhe në vitin 1979 konfirmon dominimin e saj në Gjermani, kur me 587 pikë shpallet kampione Europës. Elisabeta Karabolli është kampionia e parë shqiptare në Europë. 21-vjeçarja e atëhershme e fitoi medaljen e artë në Frankfurt am Main (Gjermani) në vitin 1979, me 587 pikë në pistoletë 30+30. Por, “uria” e Karabollit (sot jeton në Amerikë) nuk ndalet këtu. Në vitin 1980 në kampionatin shqiptar me 593 pikë ajo vendos një rekord kombëtar, duke kaluar dhe rekordin botëror.

Një vit më pas, 1980, vendi i pushkës prodhoi edhe kampionen e dytë. Ermira Dingu, me 584 pikë në garën 1x60 precizion u shpall kampione e Europës në kampionatin e zhvilluar në Madrid të Spanjës. Pas 27 vitesh mungesë në shkallën më të lartë të podiumit, u ngjit edhe Lindita Kodra, e cila u kampionia e tretë shqiptare e Europës për të rritura. Kodra arriti ta pronësojë medaljen e artë në pistoletë 30+30 në Granada të Spanjës në vitin 2007. Ajo arriti të grumbullojë 584 pikë në kualifikuese dhe 101.8 pikë në finale dhe në total 685.8 pikë. Edhe për të reja, Shqipëria ka kampionen e saj, Emanuela Kolën, që e fitoi atë në vitin 1982 në Bukuresht. Lindita Zeqo është një tjetër qitëse e madhe e shkollës shqiptare.

Një emër tjetër i madh është Sadik Kuçana, kampion Ballkani dhe nënkampione Europe, i cili në vitin 1979 me 396 pikë në Kampionati Ballkanik barazoi rekordin botërore në 40x3 në pozicionin në gjunjë me, ndërsa në vitin 1984 ai arriti 400 pikë, në pozicionin barkas, pra të 40 fishekët në 10, pra 40 dhjeta. Ky rekord akoma nuk është thyer nga askush në botë. Megjithatë Sadiku hyri në historinë botërore të qitjes edhe për një fakt tjetër. Ai është i vetmi sportist në botë që ka përdorur pushkë sportive, qitje me thep dhe shtjekëz, sepse të tjerët përdorin dioptrin, pra shënjestrën me rreth.

Niko Shtrepi, kampion i parë shqiptar në Ballkan (1982). Karriera sportive e Niko Shtrepit do të fillonte në vitin 1969, asokohe në moshën 14 vjeçare, me ekipin e Flamurtarit. Në vitin 1981, Niko Shtrepi shpallet Kampion Evrope dhe sërish një vit më pas (1982) në Athinë, shpallet Kampion Ballkanik me 598 pikë nga 600 të mundshmet. Niko Shterpi arriti të dilte Kampion Ballkani në këtë garë dhe arriti të kapte 599 nga 600 pikët e mundshme në disiplinën e precizonit 1x60.

 Beqir Kosova e Shefqet Mata janë emra të tjerë që pasurojnë “muzeun shqiptar” të qitjes. Beqir Kosova në garën me precizion 1x60 me 599 pikë arriti të barazojë Fratatanton, qitësin më të mirë në botë të kësaj fare. Kuarteti shqiptar i përbërë nga Niko Shtrepi (598 pikë), Beqir Kosova (595), Sadik Kuçana (595) e Shefqet Mata (591) me 2379 pikë e grumbulluara në total si skuadër ishte vetëm një pikë larg vendit të parë në botë.

Në garat ballkanike shqiptarët kampionë janë një dyzinë. Kristo Robo është kampion i parë shqiptar në Lojërat Mesdhetare (1987) të zhvilluara në Latakia të Sirisë. Më të njohurit. Femra: A.Selmani, L.Beqja, L.Zeqo, D.Vjerdha, M. Cinga, E.Dingu, E.Karabolli, D. Mata, L.Pantazo, L.Kodra. Meshkujt: S.Kuçana, P.Kostaqi, B. Kosova, N. Fani, N. Shtrepi, A. Mustafaj, K. Robo, F. Pilkati.

Numri i klikimeve - 207
  E Marte, 03 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›