Diaspora shqiptare në Amerikë, histori konfliktesh
Konfliktet mes përfaqësuesve politikë dhe intelektualëve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekzistuar që në fillimet e shekullit XX. Në shkrimet e publikuara nga “The New York Times”-i rrëfehen mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve më të njohur të saj, ku në rastin konkret, në shkrimin e sotëm, flitet për një konflikt pak të dëgjuar; atë midis Fan Nolit dhe Ismail Qemalit. Gazeta amerikane kishte publikuar një mesazh të Ismail Qemalit në vitin 1917, në të cilin thuhej se ai përfaqësonte shqiptarët e diasporës në kontinentin amerikan. Por kjo ka shkaktuar pakënaqësinë e Fan Nolit, i cili është kundërpërgjigjur në të njëjtën gazetë. Noli, përfaqësues i federatës “Vatra”, deklaron publikisht përmes “Times”-it se Ismail bej Qemali nuk është përfaqësues i saj. Në atë periudhë udhëheqësi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë jetonte në Paris dhe kishte marrë një fushatë sensibilizimi për bashkimin e shqiptarëve kudo nëpër botë. Një tjetër shkrim e tregon qartë këtë. Gazeta sjell për lexuesit e saj një mesazh që Ismail bej Qemali u shpërndau të gjitha organizatave dhe shqiptarëve anekënd botës, për të treguar maturi përpara botës në momentin kritik të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ai kërkon që shqiptarët të lënë mënjanë xhelozitë, sherret dhe mosmarrëveshjet e vogla.
Përplasja e Ismail Qemalit me Fan Nolin vjen në një histori tipike shqiptare të konflikteve mes personaliteteve më të spikatura të Shqipërisë në Perëndim, që kanë pasur me njëri-tjetrin.
Përplasje në “The New York Times” midis Fan Nolit dhe Ismail Qemalit
BOSTON – Lidhur me një telegram të ardhur nga Parisi, publikuar në numrin e 14 nëntorit në gazetën tuaj të nderuar rreth Ismail bej Qemalit, gjej rastin të tërheq vëmendjen tuaj në faktin se ky zotëri i nderuar nuk i përfaqëson shqiptarët e Amerikës, siç pretendon. Përfaqësuesit realë të shqiptarëve të Amerikës janë të gjithë ata që u emëruan nga organizata shqiptare, e cila është më e madhja dhe më e rëndësishmja organizatë në Shtetet e Bashkuara dhe e shpërndarë nëpër botë. Përfaqësuesit e federatës “Vatra” në Europë janë si më poshtë: Mehmet Bej; zoti Faik Konica, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Shqipërisë; juristi Nikolas Kashezi, në Londër, Angli; dhe ish-ministri i Arsimit, Doktor Mikel Turtulli, në Lozanë të Zvicrës.
Me respekt
Fan Noli
President i Federatës Vatra
97 Compton Street
Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 16 nëntor 1917
Mesazhi i Ismail Qemalit: “Shqiptarët t’i lënë mënjanë konfliktet”
PARIS – Ismail bej Qemali, ish-president i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, ka lëshuar një thirrje për Partinë Kombëtare Shqiptare, e krijuar së fundi në Amerikë. Ai thotë: “Zjarri i patriotizmit tim nuk është prej një personi simulant. Sidoqoftë, shpreh me kënaqësi mbështetjen time për Partinë Kombëtare Shqiptare. Dëshira që ndiej për vendin tim të dashur më jep fuqi dhe kurajë të mbetem i përkushtuar këto kohë që të mbroj kauzën tonë të shenjtë, nën flamurin fitimtar të heroit tonë të pavdekshëm Skënderbeu, i cili pas pesë shekujsh maturie më ka nxitur që të shpalos gjithnjë e më shumë respekt dhe nderim. Në asnjë moment nuk do të ngurroj të hyj në një luftë të re për shpëtimin e vendit tonë të dashur, ndonëse ruhet nga besnikëria dhe mbështetja e bashkëpatriotëve të mi të dashur, dhe as dyshoj në suksesin e tyre, por kjo ndodh vetëm nëse unë ju gjej ju, të gjithëve, të bashkuar, prandaj po bëj thirrjen për armëpushimit, duke lënë mënjanë rivalitetet dhe ngatërresat e vogla”.
Pas thirrjes për bashkim të shqiptarëve të Amerikës, mesazhi vazhdon: Vetëm në këtë mënyrë, në këtë periudhë të përfundimit të luftës së madhe botërore dhe vendosjes së paqes, përpara takimit të Këshillit Suprem të Fuqive, ne mund të besojmë në qartësinë dhe drejtësinë e tyre, në mbështetjen e argumenteve të pakundërshtueshme për të drejtat tona. Vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i ofrojmë këtij Këshilli një mundësi, duke riparuar padrejtësinë e bërë në copëtimin e Shqipërisë, e cila u lind prej nesh. Vetëm në këtë mënyrë do të kthehet integriteti ynë territorial dhe pavarësia jonë kombëtare, në ofrimin e një garancie të qëndrueshme të ekuilibrit dhe paqes për popujt në Ballkan.
Thirrja e Ismail bej Qemalit ishte në përgjigje të një kërkese formale të bërë nga Partia Kombëtare Shqiptare, e cila numëron rreth 70 mijë anëtarë, dhe nga përfaqësuesit shqiptarë kudo nëpër botë që ai të udhëheqë kombin në mbrojtjen e pavarësisë politike dhe territoriale të tij.
Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 14 nëntor 1917
Titujt janë redaksionalë
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin pasardhës do të lexoni
Figura e Esat Pashës sipas “The New York Times”-it
Duke filluar që nga dita e martë, gazeta sjell për lexuesit profilin e Esat Pashë Toptanit sipas gazetës amerikane
Roli i tij për Shqipërinë në periudhën 1913-1920. Marrëdhëniet me udhëheqësit shqiptarë dhe Princ Vidin
Editoriali që shkroi gazeta e njohur amerikane për të. Marrëdhëniet e kësaj figure të mistershme me kancelaritë perëndimore
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
30 Qershor 2008