Inva Mula “nxeh” Verën e Ohrit
Edicioni i 48 i festivalit muziko-skenik, “Vera e Ohrit 2008” do të sjellë emra të mëdhenj të artit muzikor dhe skenik. Ajo që vlen të përmendet në këtë moment është se diva e madhe e skenës operistike shqiptare, europiane dhe botërore, Inva Mula, sërish do të ngjitet në skenën e Teatrit Antik në Ohër, në koncertin e tenorit Boris Trajanov, që është paraparë të mbahet më 8 gusht. Këtë sot e konfirmoi drejtori i festivalit, Toni Simonovski, i cili tha shkurt: “Jemi në pritje të konfirmimit zyrtar të ardhjes së Inva Mulës, e cila edhe më parë ka qënë pjesë e festivalit të Ohrit”. Krahas Inva Mulës, siç është bërë e ditur, në hapje të edicionit të 48-të të festivalit “Vera e Ohrit” do të jetë këngëraja operistike amerikane, Jessye Norman (Xhesi Norman), që ishte vendim i sjellur që më parë nga drejtoria e festivalit. Do të ketë edhe përmbajtje tjera të kulturës shqiptare si p.sh. kitaristi shqiptar Admir Toçi, Orkestri kamertal nga Tirana dhe Teatri shqiptar nga Shkupi. Ndër emrat tjerë të mëdhenj nga skena muzikore dhe teatrore duhet përmendur edhe violinisten japoneze me famë botërore, Sara Çeng, e cila që në moshën 8 vjeçare ka luajtur në skenë me Zubin Mehta, Rikardo Muti dhe Filharmoninë e Njujorkut. Ajo do të prezantohet për jerë të parë në këtë pjesë të Europës-tha Simonovski. Poashtu, vlen të përmenden edhe emrat siç është violonçelistja Natalija Gudman, pijanisti Brno Kanino, Andrej Gavrillov, fitues i konkursit “Çajkovski 1974” etj. Nga data 12 korrik kur është hapja solemne e festivalit, e deri më 20 gusht në përmbyllje, do të shfaqen mbi 50 shfaqje, koncerte dhe përmbajtje tjera artistike. Pjesëmarrjen në këtë edicion e kanë konfirmuar artistët e mëdhenj të skenës muzikore nga SHBA-të, Japonija, Franca, Gjermania, Brazili, Zvicerra, Koreja, Rusia, Bullgaria, Çekia. Gordana Josifova-Nedellkovska, selektore e pjesës muzikore të festivalit, mes tjerash theksoi se dy shtyllat kryesore, mbi të cilat mbështetet ky festival janë tradicionalja dhe ndjenja për kontemporanen. Ideja ishte që Ohri, sërish të bëhet pika kryesore e kulturës botërore dhe me shumë pak para kemi sjellur emra të mëdhenj botëror.
30 Qershor 2008