Vjen Leci nga Amerika
Albana LIFSCHIN
Nuk e di, po në lagjen ku banoj unë, shqiparët “e moçëm” rrijnë gjithnjë bashkë, flasin vetëm shqip e mblidhen darkave te një kafe, ku e bëjnë tym dynjaja.
Nuk di si e ka regulluar pronari i dyqanit pirjen e duhanit aty, kur në çdo lokal duhani është i ndaluar nga ligji i Nju Jorkut. Ndoshta jep diku bakshish nën dorë, a ku di unë, por aty është shtëpi me “oxhak’ dhe ai po bën para. I zoti i dyqanit ka vënë edhe një kompjuter në një dhomë të vogël aty pranë, bashkë me dy makinat e lojrave. Nga kompjuteri të interesuarit marrin lajmet e freskëta nga Shqipëria nëpërmjet internetit, e lëre se ç’vete. Vetëm politikë e duhan ka në atë lokal. Gazetën e komunitetit e sjell një zotëri me kapele çdo të premte. Lajmet nga atdheu zgjojnë debatet e sherret e tifozëve të politikës.
* * *
Atë javë ishte kthyer zoti Lec nga Tirana, pas dy muaj pushimesh. Me vete kishte sjellë edhe të vëllain, Zefin, që s’e kishte parë për dyzet vjet. Atë mbrëmje Zefin s’e lanë të dilte nga kafeja. Zefi nga Lezha nuk kishte qenë ndonjë politikan i madh, por ishte dëshmitar i freskët i jetës politike në Shqipëri.
Ndërsa Leci e la Zefin me kureshtarët, vetë u tërhoq në një qosh me shoqërinë e tij të vjetër. Marku qe habitur se si ai e kishte sjellë të vëllanë në Amerikë. Nipërit e tij plasën të vinin për të parë Amerikën, por ai nuk dinte se si t’ua bënte dokumentat.
- Po si munde të merresh vesh me ato të ambasadës anglisht, more burrë? - e pyeti Lecin.
Ata kishin qenë shokë arratie që dyzet vjet të shkuara. Desh kishin lënë kockat në kufi. U kishin fëshkëllyer plumbat te veshi. Në fillim kishin dashur të qëndronin në Jugosllavi, por pastaj i këshilluan të shkonin në Amerikë, sa më larg shtetit komunist shqiptar. Dhe ashtu bënë.
Në Amerikë ato kohë qe kollaj për punë. Me punë të vogla, pak këtu e pak atje, jo vetëm që u mëkëmbën, por dalëngadalë blenë shtëpi e pastaj u bënë edhe pronarë “pallatesh”. Mësuan vetë të ndërtojnë e të riparojnë. Kursenin shumë. Rrinin me njëri-tjetrin, ndihmonin njëri-tjetrin.
Në shkolla nuk shkuan, se atë pak anglishte që u duhej, e mësuan copa-copa, ashtu me të dëgjuar. E çdo gjë shkonte për bukuri ato kohë.
Vetëm kur u hap Shqipëria lindi njëfarë nervozizmi, që shoqëronte gëzimin e madh. Ata të tërë ishin milionerë në sytë e familjarëve e kushërinjve, që kishin lënë atje. Vërshuan në Shqipëri nga malli për njerëzit e për vendin. I prisnin gjithashtu me mall, por edhe kureshtje. Gratë e kushërinjve amerikanë, të veshura me pardesy lëkure të zezë, të gjata deri në fund të këmbëve e me tegela te supet, e pinin kafen te Qendra Ndërkombëtare e Kulturës dhe në Hotel Dajti. Historitë e tyre, pra që vetëm me një rrogë mbahej e tërë familja, i çudisnin kushërinjtë e arave. Pa le kur vinin pronarët e “pallateve” me mijëra dollarë me vete, milionerët e mëdhenj, që mund të blenin pa frikë hotele e godina të tëra.
* * *
Leci kishte në Bronx një shtëpi me gjashtë apartamente, që i kishte dhënë me qera. Familja i kishte vuajtur në fshatrat e Lezhës, qëkur ai qe arratisur. Donte të vente ta shihte, t’i shpërblente për gjithë ç’kishin hequr për shkak të tij.
I kishin rekomanduar që, me të mbrritur në Tiranë, të shoqërohej me një mjek, kështu që edhe po të sëmurej Leci në Shqipëri, e kishte doktorin me vete. Doktori i kishte dalë vërtetë djalë xhevair, sepse kishte marrë lejen e zakonshme vetëm për të shoqëruar zotin Lec, njeriun që vinte nga Amerika. Hera-herës ai fliste anglisht dhe Leci s’e kuptonte pse doktor Arbeni kishte qejf të fliste anglisht.
- Unë kam dëshirë me folë shqip në vendin tim, - i tha Leci në një çast, duke e lënë disi të habitur doktorin.
Arbeni e mori si mall dhe si patriotizëm atë kërkesë të emigrantit, që s’e kishte parë vendin e tij për dyzet vjet rresht…As që i shkonte mendja te sikleti që i krijohej Lecit, kur e dëgjonte doktorin të bisedonte me të anglisht.
U ndanë për atë kohë që Leci ndenji tek familja e tij në fshat. Leci kishte menduar se s’do t’i duhej më doktori, deri atë ditë që i vëllai i kërkoi ta merrte me vete në Amerikë.
- Po ç’farë din të bash, o vëlla? A din me pastru?
Tjetri qeshi gjithë habi.
- ǒfarë pastrimesh po thu?! Ato janë punë grash!
- Andej nga ne pastrimet janë edhe punë burrash, - ia ktheu Leci. - Edhe është punë e mirë, se e ke me unione.
I vëllai heshti i pakënaqur, pa marrë vesh shumë se ç’i thosh i vëllai nga Amerika.
- Po pse, more, për të pastru do të vij unë në Amerikë?!
Tani i erdhi radha Lecit të heshte. I vëllai kishte mjelë lopët e kooperativës deri dje në Shqipëri dhe s’po i pëlqente pastrimi në Amerikë.
Të dy vëllezërit nuk e diskutuan më atë punë. Le të vinte Zefi një herë në Nju Jork, pastaj shihnin e bënin.
Po si i bëhej se, fillimisht, duhej ta merrte me vete të vëllain në ambasadë?! E pikërisht këtu, Lecit iu kujtua doktor Arbeni, që fliste anglisht. Leci s’ia thoshte fare kur vinte fjala për të biseduar me ata, që punonin në zyra. S’ua kuptonte anglishten kurrëkund..
I bëri telefon doktorit.
- Ku je, doktor? A po e gëzon lejen?
Doktori iu përgjigj se leja kishte mbaruar dhe se tani ishte kthyer në spital. - - Mos kishe nevojë për ndonjë vizitë mjeksore? – u kujdes Arbeni.
-Jo, bre burrë, jo. Po më erdhi dita me u kthy në Amerikë e po du me marrë tim vëlla me vete. Ti e dijshe anglishten ma mirë se unë. A vjen me m’përkthy në ambasadë?
Lecit iu bë se doktori heshti. Madje heshti gjatë . Mos është mërzitur me mua, I shkoi Lecit nëpër mend.
-Do të paguaj, zotni Arben, - shpejtoi t’I thoshte. - Do të paguaj, qe pasha Zotin!
Doktori qeshi me të madhe nga ana tjetër e telefonit.
Atë të qeshur Leci e kishte kuptuar vetëm në aeroplan, kur e kishte zënë në gojë këtë episod me, Zefin.
- Po ç’mos me qeshë, mor vëlla?! Ti je amerikan, vjen nga Amerika pas dyzet vjetësh e kërkon të të përkthejë në anglisht një njeri, që ka qenë gjithë jetën e vet në Shqipni.
* * *
-Kur ke ndërmend me shku andej? - pyeti Leci Markun, që kishte një copë herë që priste përgjigje prej tij.
- Ndoshta nisem për nja një muaj.
Leci ktheu edhe një teke dhe i dha Markut emrin e doktorit…
Tetor, 2007
30 Qershor 2008