E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër: Vatër e re zjarri në Parkun e Lurës

Diber, Parku i Lures para zjarreve

DIBER – Të paktën tri vatra të reja zjarri janë shfaqur dje në Lurë, Maqellarë dhe masivet pyjore të Matit. Mësohet se në Lurë është shfaqur një vatër e re zjarri në itinerarin Mbas Deje-Fusha e Gurit-Gurë Lurë. Kryetari i Këshillit të Komunës Lurë, Hasan Hoti, tha se dëmi që po shkakton kjo vatër e re, krahas vatrave ekzistuese, është mjaft i madh. Banorët e Lurës nuk flenë gjumë, tha ai. Shembja e drurëve të lartë dhe gurëve nga shpatet e maleve krijon zhurma që përbëjnë shqetësim për njerëzit. Zjarri po përparon me shpejtësi. Dy ditë më parë na premtuan ndërhyrje nga ajri, ndërkohë te liqeni i Bruçit, Liqeni i Zi dhe në Zallë Gjocaj vazhdojnë zjarret në masivet me pisha dhe ah. Ai shtoi se janë njoftuar të gjitha strukturat shtetërore dhe pritet ndërhyrje nga ajri, ndryshe zjarret do të bëjnë kërdinë. Gjatë orëve të mesditës avionët e marrë me qira nga Ministria e Brendshme kanë fluturuar deri në qytetin e Kukësit, ku më pas janë ulur duke u mbushur me ujë në liqenin poshtë qytetit. Ata kanë kryer disa fluturime, por pa mundur që të shuajnë flakët në Parkun Kombëtar të Lurës.
Ndërkohë, në qarkun e Dibrës, një tjetër vatër e re u shfaq dje në pyjet e Maqellarës. Zjarri, pasi ka shkelur kufirin shqiptaro-maqedonas, ka përfshirë pyjet në zonën e Kllopçishtit, duke dëmtuar deri dje në mbrëmje të paktën 10 hektarë në pyje të larta. Drejtoria e Shërbimit Pyjor Mat njoftoi dy ditë më parë se ishin shuar të gjitha vatrat e zjarrit. Por, dje pasdite janë shfaqur vatra zjarri në Kacni e Malin e Dejës. DSHP tha se ishin përfshirë nga zjarret dy mijë hektarë dhe djegur afro 200 hektarë.                       h.p/j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›