Përrenjas: Gjendet i vdekur turisti gjerman
PËRRENJAS – Një shtetas gjerman është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm në parkingun e një hoteli në periferi të qytetit të Përrenjasit. Burime të Policisë bëjnë të ditur se 69-vjeçari Pover Bonnowalper bashkë me dy shokët e tij kishin ardhur si turistë nga Gjermania në Shqipëri dhe nga Tirana do të shkonin në Pogradec me mjetin e tyre tip kamper. Ata kishin ndaluar në qytetin e Përrenjasit në orët e vona të një nate më parë dhe i ishin afruar pranë parkingut të një hoteli. Dy shokët e viktimës, sipas Policisë, kanë vendosur që të flenë në mjet, ndërsa 69-vjeçari ka fjetur jashtë në një poltron shumë pranë hotelit Tirana. Nga verifikimet e policisë rezultoi se vdekja e tij është konstatuar mëngjesin e së dielës nga dy bashkëkombësit e tij gjermanë, të cilët, edhe pse kanë pasur probleme me gjuhën, kanë lajmëruar Policinë. Grupi hetimor i ndodhur në vendin e ngjarjes paraprakisht konkludon se vdekja e tij të ketë qenë natyrale, favorizuar nga temperaturat e ulëta gjatë natës. Gjithsesi, grupi hetimor do të zbardhë shkaqet që kanë shkaktuar vdekjen e tij. m.s