Zjarr në garazhin e pallatit, digjen pesë makina luksoze
TIRANE – Pesë automjete luksoze u shkrumbuan plotësisht dhe apartamentet e 4 kateve u dëmtuan nga tymi e bloza si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu garazhin nëntokësor të një pallati të ri. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një prej pallateve te kompleksi i banimit që ndodhet në zonën e Kopshtit Botanik në Tiranë. Policia e Tiranës dhe zjarrfikësit janë lajmëruar nga banorët e kateve sipër garazhit, të cilët kanë ndjerë erën e tymit dhe kanë nxituar të dalin jashtë. Ndërkohë dy makina zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë janë menjëherë nisur drejt garazhit. Përmasat e ngjarjes mund të ishin më të mëdha, pasi administratori i pallatit ka lajmëruar se në garazh ndodhej edhe një gjenerator i fuqishëm, i cili vetëm depozitat e lëndës djegëse dhe vajit i kishte rreth 1 ton. E megjithatë, ndërhyrja e menjëhershme e dy automjeteve zjarrfikëse dhe forcave të Policisë bëri të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve, duke parandaluar edhe një shpërthim të mundshëm që mund të kishte përmasa tragjike. Burime nga Policia thanë se nga flakët janë shkrumbuar një automjet tip Mercedez Regina dhe një Citroen, ndërsa kanë pësuar dëme të konsiderueshme edhe një fuoristradë Porche Cayenne, një BMW seria 7, si dhe një Volkswagen. Ndërsa tymi e bloza ka dëmtuar, veç mureve dhe fasadës së jashtme të pallatit, edhe një pjesën e brendshme të apartamenteve, deri në katin e katërt të pallatit. Tymi është përcjellë nga tubi i madh i aspirimit, që nis nga bodrumi dhe daljen e ka në tarracën e pallatit. Policia tha se nuk ka pasur asnjë person të lënduar nga ngjarja, ndërsa kanë nisur hetimet për përcaktimin e saktë të shkaqeve të zjarrit. Paraprakisht, grupi hetimor dyshon se zjarri mund të ketë nisur nga një shkëndijë elektrike në njërën prej makinave të djegura plotësisht, Mercedez dhe Cintroen, që kanë qenë të parkuara pranë njëra-tjetrës, por edhe ndonjë qark i shkurtër elektrik në panelet e parkingut, po pranë këtyre dy makinave. Sipas Policisë, vatra e zjarrit është konstatuar pikërisht në zonën ku ishin parkuar këto automjete dhe aty janë përqendruar hetimet për zbulimin e shkakut të ngjarjes.