Dibër, babai mban vajzat 22 vjet të lidhura me zinxhirë
DIBER/ HASAN PASHA
Një tjetër ngjarje e rrallë në Maqellarë të Dibrës. Babai mban të lidhura prej më shumë se dy dekadash dy vajzat e tij, të sëmura mendore. Ky fakt është mbajtur i fshehur deri dy ditë më parë, kur 70-vjeçari Dine Keshi ka kërkuar ndihmën e mediave për zgjidhjen e shqetësimit të tij, duke marrë shkas nga rasti i 26-vjeçarit në Levan të Fierit.
Në fshatin Bllatë e Poshtme të komunës Maqellarë dy motra, përkatësisht 45 e 46 vjeçare jetojnë të lidhura prej 22 vjetësh, tamam si të ishin kafshë e jo qenie njerëzore. Të dyja motrat janë lidhur që në moshë të re me zinxhirë nga babai, me pretendimin se ato përbënin rrezik për familjarët, banorët e fisit dhe të fshatit Bllatë e Poshtme. Thëllënxa dhe Fidane Keshi mbaheshin të lidhura nga babai i tyre Dine Keshi, ndërkohë askush nuk e bënte publike këtë fakt paçka se për të ishin në dijeni të afërmit e familjes, pleqësia e fshatit, komuna, etj. Babai i vajzave është përpjekur dje të justifikohet para efektivave të policisë dhe specialistëve të shëndetësisë në këtë rreth, se vajzat e tij janë sëmurë prej më shumë se 20 vitesh dhe se ai nuk ka pasur mundësi ekonomike t’i kurojë apo t’i dërgojë në ndonjë spital psikiatrik. “Vajzat e mia janë agresive dhe përbënin rrezik të madh për banorët ndaj jam detyruar t’i lidh”. Familja Keshi prej shumë vitesh jeton në kushte mjaft të rënda ekonomike. Vajzat kanë përfituar vitet e fundit një pension invaliditeti, ndërkohë nëna e tyre ka ndërruar jetë para 15 vitesh. Megjithëse gjesti i kryer nga babai i dy vajzave në Maqellarë është i paprecedent, ai nuk ka shfaqur pendesë, madje në një farë mënyre “mburret” se nuk i ka lejuar të bijat të dëmtojnë fizikisht banorë të fshatit kufitar. Thëllënxa sipas Dine Keshit ka shfaqur probleme që në moshën 17-vjeçare dhe është dërguar për kurim apo izolim në spitalin e Vlorës për afro tetë vjet. Ndërkohë vajza tjetër, Fidane Keshi megjithëse ka shfaqur probleme të thella psikike është mbajtur në shtëpi, madje e prangosur të paktën që në moshën 22-23 vjeçare. Dine Keshi, ka tentuar dje të “argumentojë” se “nëse vajzat do të ishin të lira ato do të kishin krijuar probleme serioze për jetën e banorëve të lagjes dhe fshatit”.
Ish i dënuari me 25 vjet heqje lirie, “për tentativë arratisje” pas kryerjes së dënimit me 18 vjet burg, kur është kthyer i ka gjetur të dyja vajzat të sëmura. Pas humbjes së nënës, prej rreth 10 vitesh, i ati është detyruar që të kryejë të gjitha shërbimet për të bijat. Ai ka dhe dy djem të tjerë, një të sëmurë, ndërsa tjetri jeton në Itali. “Nuk kisha rrugë tjetër. Të dyja vajzat ishin agresive me njerëzit, veçanërisht vajza e madhe ishte mjaft e ashpër. Nuk kuptonte asnjëherë çfarë bënte. Rrihte motrën dhe kërkonte të largohej nga shtëpia. Kisha rënë në hall, askush nuk më vinte në ndihmë. Deri në vitet 1990 kisha një merak më të madh se sa vitet e fundit. Dy vajzat tentonin të dilnin nga fshati në tokën e shtetit fqinj, Maqedoni. Iknin me vrap, na duhej t’i ndalonim ndryshe do të kishim pasur probleme me shtetin. Shkelja e kufirit dënohej rëndë deri sa erdhi demokracia. Po ashtu unë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes kishin frikë se vajzat mund t’na iknin nga kontrolli dhe të mbyteshin në lumin Drin. Ato hiqnin rrobat, flisnin e shanin pa adresë”, ndërkohë ishin agresive me njëra-tjetrën dhe banorët e fshatit”, tregon Dine Keshi. Ai thotë se janë shumë të varfër, pasi vetë nuk mund të punonte për të mos lënë vetëm vajzat në shtëpi. Kështu është shprehur 70-vjeçari, duke kërkuar ndihmën e shtetit për sistemimin e dy vajzave në ndonjë spital a qendër rehabilitimi.