Kompania ajrore Belleair sjell linjë të re avionësh
Kompania ajrore Belleair ka sjellë në tregun shqiptar linjë të re avionësh. Bëhet fjalë për tre avionë Airbus A320 dhe një avion ATR 72-500 i sapodalë nga fabrika. Gjatë ceremonisë së zhvilluar dje me këtë rast, Ilir Xhelo president i kompanisë, u shpreh se përmes kësaj linje të re po vendosin standarde të reja në Shqipëri, pasi këta avionë janë për herë të parë në vendin tonë. “Jemi krenarë të prezantojmë në flotën tonë 2 Airbus A320 dhe 1Airbus A319, të prodhuar përkatësisht në vitin 1995 dhe 2004. Planifikojmë të rrisim flotën tonë dhe me airbuse të tjerë, pasi në këtë avion ne shohim besueshmëri, komfort dhe gamë më të madhe me ekonomi më të mirë dhe ndotje më të vogël të ambientit. ATR 72-500, që është pjesë e flotës së Bellair, është prodhuar në korrik të vitit 2009-ë, dhe është avioni i parë i ri komercial, i markës që vjen nga fabrika në Shqipëri. Një tjetër avion ATR 72-500 i ri i Bellair, do të futet në shërbim në qershor të 2010-ës“ u shpreh presidenti Xhelo. Gjatë ceremonisë së djeshme, ai ka prezantuar edhe një tjetër projekt të kompanisë Bellair, që është ndërtimi i organizimit të mirëmbajtjes dhe riparimit EASA 145, në një hapësirë prej 5000 m2. Një tjetër investim do të fillojë me ndërtimin e qendrave të Bellair dhe Akademisë Ajrore të Bellair me dy avionë për trajnim, si dhe pajisjet e tjera të nevojshme. Kompania ajrore Bellair u krijua në qershor të vitit 2005, dhe e filloi aktivitetin e saj në mars të 2006-ës, fillimisht me një avion tip MD82, duke fluturuar në 7 destinacione në drejtim të Italisë. Në më pak se 4 vjet, Bellair është bërë tashmë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e aviacionit civil shqiptar, duke përmirësuar ndjeshëm fluturimet e tij nëpërmjet Tiranës dhe Prishtinës me Evropën në bazë të një strategjie “Low Cost“.