E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, burg i përjetshëm për vrasësin e 10-vjeçarit

Burg të përjetshëm për Shpëtim Zizën. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka dhënë dje vendimin e saj duke dënuar maksimalisht 19-vjeçarin që u konsiderua si "monstra e Peshkopisë". Ngjarja e rëndë për të cilën u shpall fajtor Shpëtim Ziza ka ndodhur më 27 tetor të vitit të kaluar, kur ai rrëmbeu, përdhunoi dhe i mori jetën fëmijës së pafajshëm 10-vjeçar, Bekim Çenga, trupi i pajetë i të cilit u gjet pas katër ditësh i masakruar me një fill najloni për qafe, në përroin e fshatit Tomin, vetëm rreth 400 metra larg shtëpisë së tij. Menjëherë pas gjetjes së trupit të masakruar të viktimës krejt të pafajshme, u vu në prangat e policisë si i dyshuar për kryerjen e këtij krimi monstruoz Shpëtim Ziza, i cili e ka pranuar veprën penale krejt i qetë dhe me buzëqeshje. Vetëm në fillim të muajit maj të këtij viti nisën seancat gjyqësore në ngarkim të Zizës, zhvilluar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me kryetar të trupit gjykues Kastriot Selita dhe anëtarë Edmond Goga dhe Altina Nasufi. Në seancën e katërt gjyqësore të radhës, zhvilluar para pak ditëve, prokurori Ramadan Troci kërkoi dënimin me burg të përjetshëm të autorit të këtij krimi, Shpëtim Ziza. Ai u akuzua për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur, parashikuar nga neni 102/2 dhe armëmbajtje pa leje të armëve luftarake, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal. Gjykata e shpalli Zizën fajtor për të tri akuzat, duke e dënuar në bashkim të dënimeve me burgim të përjetshëm. Pesë seancat gjyqësore në ngarkim të Zizës, duke përfshirë edhe atë të djeshme, u zhvilluan me dyer të mbyllura, pasi provat dhe dëshmitë që shpalosen në këtë proces gjyqësor cenojnë rëndë moralin shoqëror. Vetëm gjatë shpalljes së vendimit gjykata hapi dyert për publikun, por asnjë i afërm i viktimës nuk mori pjesë. Avokati i Zizës, Qazim Gjoni, e konsideroi dënimin të padrejtë dhe të paragjykuar. Ai thotë se klienti i tij është i papërgjegjshëm, ndaj do të apelojë vendimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›