E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtje elokuente e autoritetit te konkurrences

Ashtu sikurse pritej, raportimi vjetor i Autoritetit të Konkurrencës (AK) më 29 prill në Kuvend për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2007 nuk u shënua si ngjarje. Kjo seancë, që në kushte normale duhej të ishte mbajtur brenda muajit mars, jo vetëm që u shty prej ngjarjeve të mëparshme (kam parasysh tragjedinë e Gërdecit, ashtu edhe ngjarjet politike që vijuan, si marrja e ftesës në NATO dhe amendimet e fundit kushtetuese), por as nuk pati kurrfarë interesi si në Kuvend, ashtu edhe më gjerë. Kjo situatë, deri diku e kuptueshme, për shkak të gravitetit mjaft të lartë të këtyre ngjarjeve që krijoi padashur një vëmendje të ulët për ato të zakonshme, sikurse konsiderohet raportimi vjetor i një institucioni para Kuvendit, i erdhi mjaft për shtat kryetares së AK për të mbuluar punën e dobët të këtij institucioni, të ardhur si pasojë e drejtimit amatoresk, deri të papërgjegjshëm e të kundërligjshëm, nga ana e saj.

Megjithëse në një sallë pothuajse të zbrazët, kryetarja e këtij institucioni, znj.Lati, lexoi jo pa emocion një variant të shkurtuar të raportit të AK, të dorëzuar paraprakisht në Kuvend, i hartuar me mjaft "fantazi" nga kreu i Drejtorisë së Tregjeve, falë moshës së tij rinore dhe përvojës së mëparshme si zëdhënës shtypi. Them fantazi, pasi nuk gjej dot ndonjë fjalë më të përshtatshme për të etiketuar mënyrën si ai e ka ndërtuar këtë raport. Aty janë hedhur gjithfarë gjërash, që nga struktura organizative e AK, duke përshkruar për secilën faktin se ç‘përbëjnë, si dhe kush i zgjedh, ç‘detyra kanë etj., deri te veprimtaria ekonomike e AK, titull që kryehartuesi i ka vënë kapitullit të përdorimit dhe realizimit të fondeve buxhetore të institucionit, që falë njohurive që ka në fushën ekonomike, me siguri e ngatërron me ndonjë ndërmarrje, në mos me ndonjë kooperativë të krahinës nga ka ardhur.

Natyrisht që në këtë raport janë hedhur edhe mjaft kapituj e nënkapituj të tjerë, sipas stilit "rokoko", ku përzihen çështje të përfunduara e të filluara. Edhe përmbajtja e raportit ecën po sipas këtij stili. Kryehartuesi nuk ka dashur të lodhet shumë dhe e ka gjetur më të udhës të përdorë metodën "copy-paste", duke hedhur e montuar në raport pjesë të gatshme nga ligji i konkurrencës, raportet e grupeve të punës, projekt-vendimeve të tyre dhe vendimeve të ndryshme të Komisionit, natyrisht duke zgjedhur ato më të bukurat dhe domethënëset, sipas tij. Me anën e metodës së mësipërme ai ka nxirë jo pak faqe, duke u habitur ndoshta dhe vetë se sa lehtë mund të hartohet një raport. Megjithatë, duke parë që numri i vendimeve të marra nga AK gjatë vitit 2007, për rastet antikonkurruese në treg është vetëm katër, për fat të keq të dështuara (një prej tyre është edhe ai i dënimit të një bukëpjekësi diku në Fier me një gjobë simbolike - rast ky që padyshim ka zënë vend të nderuar në raport), ai nuk duket të ketë mbetur i kënaqur.

Hartuesi, duke e kuptuar që ato janë pak për të justifikuar punën e një viti, aq më tepër që rasti i vetëm me peshë, ai i telefonisë celulare, është trajtuar në masën më të madhe gjatë vitit 2006, është përpjekur të bëjë edhe gjetje të tjera për të "pasuruar" raportin. Në këto përpjekje "të lavdërueshme", duke vërtetuar edhe një herë që jo më kot është emëruar në një post kaq të rëndësishëm, ai ka "zbuluar" midis të tjerash që ndërmarrjet "Ajka" dhe "Profarma" nuk zotërojnë pozitë dominuese në tregjet përkatëse dhe AK i është dashur "punë e konsiderueshme analitike" për të arritur në një konkluzion të tillë. Ky "zbulim spektakolar", që kuptohet pse ka zënë vend të rëndësishëm në raport, padashur të kujton humorin e Mark Tuenit, i cili në një nga tregimet e tij jepte "zbulimin" e fundit të shkencës mjekësore, që konsistonte në formulimin: "Uji, po të pihet me kujdes, është i padëmshëm për shëndetin". Natyrisht që këtij raporti nuk i mungonte as edhe "qershia mbi tortë", fjala e hapjes e kryetares së AK, a thua se znj.Lati do të ishte ndonjë e ftuar e veçantë nderi, që do ta hapte këtë seancë dhe pas kësaj dikush tjetër do lexonte raportin.

Me këtë përshkrim tangencial të raportit (i cili, për të mos i ngrënë hakun për nga kompozicioni, të kujton një vepër të artit modern), nuk desha të evidentoj paaftësinë e drejtorit të Mbikëqyrjes së Tregjeve (si hartues i tij), pasi për këtë cilësi të tij askush nuk ka dyshuar ndonjëherë. Tek e fundit nuk është faji i tij që kryetarja e AK e ka emëruar në këtë pozicion dhe e ka zgjedhur si "kalë beteje" në "luftën" e saj për mbrojtjen e konkurrencës në treg. Por desha të evidentoj jo vetëm punën tepër të dobët që ka kryer AK me ardhjen e znj.Lati në krye të këtij institucioni dhe mënyrën joserioze e spekulative të paraqitjes së saj në raport, por edhe impresionin negativ që përgjithësisht la ligjërata e saj, si përmbledhje e këtij raporti.

Nuk di se ç‘shije mund të ketë lënë kjo ligjëratë tek ata pak deputetë që gjendeshin në sallë, por mungesa e plotë e pyetjeve nga ana e tyre ishte e habitshme. Pati vetëm pesë diskutantë që më tepër bënë retorikë, se sa diskutuan ndonjë problem konkret rreth veprimtarisë së këtij institucioni. Si emërues të përbashkët, këto diskutime patën inkurajimin që i ka dhënë Kuvendi këtij institucioni relativisht të ri, si me mbështetje financiare, ashtu edhe me rritjen rreth dy herë të numrit të punonjësve. Por mungesa e dukshme e rezultateve të punës së këtij institucioni u trajtua në mënyrë diverse. Dy nga diskutantët evidentuan mungesën e konkurrencës në treg dhe ineficiencën e AK. Kurse dy diskutantë, që bëjnë pjesë në komisionin e ekonomisë dhe financave të Kuvendit, kishin rënë "peng" e alibisë të paraqitur nga znj.Lati para këtij komisioni (kufizimet, sipas saj, të ligjit të konkurrencës), duke justifikuar mungesën e rezultateve të AK me pengesat që i sjell gjykata këtij institucioni, duke mos lejuar zbatimin e vendimeve të tij.

Besoj do të ishte më e efektshme marrja nga ana e komisionit të ekonomisë me sasinë dhe cilësinë vendimeve të AK, se sa përkrahja e justifikimeve të znj.Lati. Pasi edhe ato pak vendime të marra nga AK kanë degjeneruar në nivele të ulëta deri të kundërligjshme, si pasojë e ndërhyrjeve të znj.Lati. Rasti i vendimit për telefoninë celulare (rasti më i madh i trajtuar nga Autoriteti) është shembulli më i mirë se si mund të deformohet në mënyrë të qëllimshme një projektvendim, për t‘u bërë i paefektshëm. Ky vendim i përpunuar nga vetë znj.Lati përmban jo vetëm kontradiksione logjike e tekniko-ekonomike, deri në fjali pa kuptim, por mbi të gjitha juridikisht është në kundërshtim me ligjin dhe lehtësisht i rrëzueshëm në gjykatë, ku edhe është ankimuar.

Akoma më e habitshme është seanca e Kuvendit e datës 5 maj, ku gati një javë pas denoncimit tim publik për veprimtari të papërgjegjshme në detyrë të kryetares së AK, deri në vendime të qëllimshme e të kundërligjshme, me dëm ekonomik mjaft më të madh se ai që shkaktoi tragjedia e Gërdecit, u miratua një rezolutë e njëjtë me projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së AK për vitin 2007, që ishte hartuar nga komisioni i ekonomisë më 23 mars. Me anë të saj, Kuvendi vlerësoi gjithçka pretendon se ka bërë AK për nxitjen e konkurrencës së lirë dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Ky trajtim kaq formal dhe bujar, si nga komisioni i ekonomisë, ashtu edhe nga Kuvendi, shpjegon se pse kryetarja e këtij institucioni e ka kaq të lehtë të abuzojë me detyrën e të mos i hyjë gjemb në këmbë. Është me vend të kujtojmë që edhe tragjedia e Gërdecit ishte pasojë e vendimmarrjeve të papërgjegjshme dhe për sa kohë që strukturat e shtetit shqiptar nuk do preventivojnë vendimmarrje të tilla, është e qartë që nuk do të jemi të imunizuar nga përsëritja e ngjarjeve të tilla. Pandjeshmëria ndaj vendimmarrjeve të papërgjegjshme, edhe kur ato denoncohen, pavarësisht se pasojat e tyre mund të mos jenë tragjike, por sidoqoftë i shkaktojnë dëm publikut, tregon se nuk kemi nxënë mend nga tragjedia e Gërdecit.

Përpos këtyre, e pandjeshme tregohet edhe vetë znj.Lati edhe pas më shumë se një muaji kur ndaj saj janë bërë publikisht akuza mjaft të rënda e të drejtpërdrejta. Ajo as që ka marrë mundimin t‘i hedhë poshtë ato (detyrë mjaft e vështirë kjo), ose të paktën të përpiqej të justifikonte veprimtarinë e saj si kryetare e AK, qoftë edhe me sofizma, ashtu sikurse bëri para komisionit të ekonomisë në Kuvend. Për këtë mund t‘i kërkonte ndihmë edhe beniaminit të saj, drejtorit të Drejtorisë së Tregjeve, për të shfrytëzuar eksperiencën e tij si zëdhënës shtypi. Në vend të këtyre alternativave, znj.Lati zgjodhi heshtjen, një heshtje elokuente, që tregon se ajo pranon akuzat që i bëhen, çka e bën atë turpin e Autoritetit të Konkurrencës.

Do t‘i sugjeroja znj.Lati që nëse i ka mbetur sadopak ndërgjegje qytetare, akti minimal civil që mund të bëjë është dhënia e dorëheqjes nga posti i kryetares së AK, për të mos i shkaktuar dëme të mëtejshme këtij institucioni dhe shoqërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›