Më Sadam se Sadami
Miku im irakian, Xhabari, ka bindjen se Sadami ka qenë më pak diktator se Enver Hoxha. Rrëfimet autentike për të bëmat e Sadamit duket se nuk ia kalojnë atyre të diktatorit kriminel Hoxha. Ndaj në muhabet e sipër u pajtuam se Enveri ishte më Sadam se Sadami. Ta përkujtosh një figurë të tillë në Kosovë është më tepër sesa t`i shkelësh njerëzit në kallo, në të cilat ende ndiejnë dhimbje nga tmerri i regjimi sadist 50-vjeçar. Krejt kjo nën arsyetimin e një akti personal dhe duke harruar fare se ky akt mund të implikojë në vete shumë më shumë se një individ, me tepër se një parti, mbase një shtet të tërë. Të veshur me imunitetin institucional këta enveristë demokratë i dhanë një shuplakë subjektit dhe institucionit që përfaqësojnë. Megjithatë, e tëra duket se do të kalojë në heshtje. Ne jemi fundërrina të regjimit të Enverit, ndaj nuk na e mban të hapim debat edhe për çështjet si kjo.
Nuk është hera e parë që në Kosovë keqpërdoret pozita publike për akte të ashtuquajtura personale. Kjo ndodh shumë shpesh nga persona publikë të Kosovës, të cilët marrin përgjegjësi mbi gënjeshtrat e tyre dhe më pas mbi atë bazë realizojnë ëndrrat apo realitetet e tyre. Të tillë janë edhe Hydajeti, Jakupi, Luzha etj., të cilët mbi gënjeshtrat elektorale kanë marrë votën e popullit duke i takuar një partie demokratike të një vendi demokratik dhe të një ideologjie demokratike.
Që të gjithë këta "demokratë" (lexo enveristë) në fushata zgjedhore kanë gënjyer duke u shtirë si ajka e demokracisë. Populli fatkeq i ka votuar këta të mjerë mbi këtë bazë dhe ua ka dhënë votën.
Mirëpo këta e bëjnë të kundërtën, e keqpërdorin pushtetin dhe shfrytëzojnë pozitën për ëndërrta e tyre shekullore që plotësisht mund të jenë të drejta, por janë të dënueshme kur në emër të një të vërtete synojnë një tjetër. Ju të tillë që vite me herët në mënyrë konspirative deshët ta shëmtoni qytetin tim, Ferizajn, për t`i ngritur përmendore kriminelit diktatorit Hoxha, e bëtë këtë si akt personal, por duke e keqpërdorur pushtetin dhe pozitën. Dhe pikërisht në qytetin ku Presidenti i shtetit më demokratik në botë, Amerikës, i nderuari Klinton, iu drejtua qytetarëve dhe popullit të Kosovës.
Ju që mendoni se idhulli juaj ka qenë i drejtë, kombëtar e patriot e bile-bile edhe legjendar, është e drejta e juaj, të cilën ua mundëson demokracia. Mirëpo shoku Jakup, Hydajet, Berat etj. ju këtë mund ta bëni vetëm atëherë kur votën e popullit e merrni mbi këtë ideologji marksiste, enveriste e staliniste. Përndryshe çdo deklaratë juaja nën ombrellën institucionale apo të partisë me emërtimin demokratike, nuk mund të jetë akt personal, pjesë e historisë apo diçka tjetër, përpos papërgjegjësi dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Shokë dhe shoqe, Kosova është vend demokratik dhe pluralist. Të gjithë ju që mendoni se keni të drejtë të mbroni krimin komunist formojeni partinë tuaj të punës dhe më pas brohoritni: “Tungjatjeta” dhe lypeni votën e popullit. Nëse arrini ta merrni këtë votë, do t`ju kërkoj falje. Ti shoku Hydajet e ke provuar një herë vet me dalë në zgjedhje, më duket me LDK-në.
Para akteve personale duhet të jenë obligimet e punës. Në vitin 2006 mbi 8 herë zoti Hydajet ju kam kontaktuar atëbotë unë si OJQ e ti në cilësinë e njeriut nga Komision për Ligje i Parlamentit të Kosovës. Tetë herë kemi caktuar takim dhe tetë herë ke munguar në takim. Përgjegjësitë tuaja janë të tjera, ndaj mos harxhoni kohë të mbroni e të propagandoni për njeriun që gjymtoi Shqipërinë dhe që përdhosi shqiptarinë anekënd.