E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëri i Kosovës

Në artin muzikor shqiptar lanë gjurmë të pashlyeshme shumë këngëtarë dhe kompozitorë që falë aftësive të tyre (azhurimeve muzikore dhe vokale-interpretuese) arritën të jenë faktorë kryesorë në mbajtjen gjallë të muzikës popullore shqiptare artistike dhe përmes tyre u avancua dhe mori hov zhvillimi i kulturës shqiptare. Qëllimi i njeriut në jetë është që brenda segmentit kohor që lind dhe vdes, të fiksojë atë që nuk vdes kurrë. Dhe këtë qëllim e përmbushi me përpikmëri legjenda e gjallë e muzikës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Gjenialiteti i saj u vu re qysh në paraqitjet e para, me një formim vokal madhështor, duke krijuar individualitetin e saj përmes mjeshtërisë së madhe për të bërë me lehtësi gjërat të cilat të tjerët do të ishin munduar gjatë dhe nuk do arrinin realizim estetik muzikor, duke u shndërruar në ikonën e muzikës shqiptare. Diva e muzikës shqiptare dha shembullin më të mirë të një artisteje me intelekt të veçantë, me një aftësi të jashtëzakonshme interpretuese që nuk kishte vetëm muzikalitetin në arteriet e saja, por atë e përcolli me azhurim të thellë si në muzikën popullore, po ashtu edhe në atë klasike. Ajo është shquar me interpretime bravuroze, duke i përmbushur të gjitha dimensionet dhe kërkesat e artit muzikor (artit të të kënduarit), duke krijuar imazhin e një solisteje me kapacitete të jashtëzakonshme në paraqitjet skenike. Përmes saj u krijua një imazh i ri për popullin, kulturën dhe vlerat e vërteta estetike të muzikës artistike shqiptare, e cila gjatë interpretimeve skenike bëri të mundur shpalosjen, ndriçimin dhe vënien në pah të vlerave estetike të artit shqiptar. Ishte përfaqësuesja më e denjë e popullit shqiptar dhe kulturës së tij për një kohë të gjatë në impakt me kulturat e vendeve tjera, duke u bërë kështu figurë e ndritur në historinë e popullit shqiptar, e cila meriton një respekt dhe trajtim të veçantë institucional. Trajtimi adekuat do të ishte përkujdesja institucionale, ndarja e një çmimi kulturor me emrin e saj, si dhe shfrytëzimin maksimal të përvojës dhe talentit të saj në aspekt të krijimit të gjeneratave të reja muzikore. Ajo, përmes të kënduarit ndriçoi thesarin e pashtershëm tradicional, dhe përmes këngës u shndërrua në margaritar të vërtetë të kombit shqiptar. Artisti e regjisori i mirënjohur shqiptar, Pirro Mani, thekson: “Talenti është si prushi që rri poshtë hirit të vatrës. Duhet ta fshish, ta pastrosh që të shkëlqejë si një margaritar i madh”. Këtë e shfrytëzoi me plotë mjeshtëri burri i saj, kompozitori i madh, Rexho Mulliqi i cili duke vlerësuar saktësisht aftësitë vokale të së madhes Nexhmie Pagarusha, kompozoi veprën e artit të quajtur “Baresha”, ku ajo shkëlqeu në interpretimin e kësaj vepre në aspekt estetik, me bazë harmoninë tradicionale (pikërisht “Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj artistik, e cila ishte një mundësi e shkëlqyer për t’i parë me të vërtetë vlerat vokale dhe muzikalitetin e saj). Me këtë interpretim, Nexhmie Pagarusha u ngrit në piedestalin më të lartë të artistëve shqiptarë, duke simbolizuar njëherësh shkëlqimin e një këngëtareje të madhe në të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë tyre. Ajo gjatë interpretimeve të saj e ndjeu këngën, komunikoi me publikun pikërisht përmes këngës dhe atë e bëri mjetin më të fortë intelektual me bazë sferën spirituale, duke depërtuar emocionalisht thellë tek të gjithë artdashësit e këngës shqipe. Artisti është identifikues, pjesë e botës së madhe të artit, ku përmes mjeshtërisë së tij shpalos vlerat e veprës së artit dhe kur flasim për Nexhmie Pagarushën, kemi të bëjmë me një artiste të përkryer, me dimensione dhe horizonte të gjera artistike-estetike, me një shëmbëlltyrë dhe figurë që shndrit në botën e artit universal shqiptar. Bashkëpunimi dhe koordinimi i saktë i imagjinatës dhe mjeteve realizuese estetike, i asaj pjese organike në mes të kompozitorit dhe interpretuesit, i mendjes dhe shpirtit, i realizimit të të gjitha kërkesave estetike, ngjall ndjenjën e së bukurës në art dhe këtë e kanë arritur Rexho Mulliqi, Nexhmie Pagarusha e Rifat Kukaj në veprën e artit "Baresha", duke u vendosur lart në krijimtarinë artistike shqiptare. Diva e muzikës shqiptare është e papërsëritshme (vetëm veprat që lançojnë një mesazh universal janë të papërsëritshme), multidimensionale, me horizont të gjerë muzikal, me një formim shpirtëror të rrallë, duke begatuar jetën artistike dhe pikërisht ishte ajo që mbajti gjallë vite të tëra muzikën shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe artin muzikor shqiptar, përmes gjuhës dhe komunikimit në skenat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Nexhmie Pagarusha është në rangun më të lartë të artistëve të cilët interpretojnë vepra të zhanreve të ndryshme dhe këtë e bëjnë me shumë sukses. Ajo talentin e saj e zbuloi edhe në interpretimin e veprave klasike të kompozitorëve të mëdhenj botërorë të përkthyera në shqip: të Bethovenit, Puçinit, Verdit etj. Por, talenti i saj nuk mbaroi vetëm me këngën. Ajo botës së artit i dha kontribut edhe në një sferë tjetër, në sferën e aktrimit dhe atë ia doli me shumë sukses, si në film, po ashtu edhe në teatër, duke i treguar aftësitë e saj për botën e artit. Fatkeqësisht, edhe pse sot kemi shumë këngëtarë të cilët janë shkolluar dhe vazhdojnë të shkollohen brenda trojeve shqiptare dhe jashtë tyre (si në ato evropiane dhe botërore), nuk po shohim talente të cilat do ta zëvendësojnë atë si këngëtare dhe njëkohësisht të kemi performime bravuroze estetike. Kjo më së miri u vërejt në koncertin gala të organizuar për nder të 75-vjetorit të lindjes së Nexhmie Pagarushës, ku performimi i disa prej interpretuesve ishte aq i zbehtë, i plogësht, pa emocion, duke interpretuar në mënyrë amatoreske, edhe pse janë duke studiuar nëpër fakultete të muzikës, madje edhe në shkallë të tretë për solo këndim. Kjo tregon më së miri për gjenialitetin dhe papërsëritshmërinë e Nexhmie Pagarushës, figurës madhështore të saj në botën e artit shqiptar.

*Magjistër i estetikës dhe publicistikës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›