E Diel, 1 Nëntor 2026

Marinari shqiptar, shpresë për jetën, piratët shtyjnë vendimin

Shpresë për marinarin shqiptar dhe 19 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes ukrainase të rrëmbyer, “MV Faina”, pasi piratët somalezë mund të shtyjnë vendimin për të hedhur në erë anijen. Gazeta ndërkombëtare “International Herald Tribune” shkruan se përpjekjet e të huajve për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, do të ndikojnë në shtyrjen e ultimatumit të dhënë. Sipas zëdhënësit për shtyp të këtij grupimi, Ali Sugule, piratët po “shikonin mundësinë që të modifikonin vendimin e marrë dhe nëse kjo nuk do të bëhet, atëherë të zbatojnë atë fillestar”. Kështu, për marinarin shqiptar dhe pjesën tjetër të ekuipazhit duket se është hapur një mundësi për të shpëtuar jetën. Në Ukrainë janë shtuar presionet ndaj pronarëve të anijes së sekuestruar dhe ndaj Presidentit të vendit, për të bërë të mundur që të paguhet shuma e kërkuar nga piratët somalezë. Një gjë e tillë ka bërë që edhe vetë piratët të fillojnë të besojnë se kërkesat e tyre do të zbatohen, duke bërë kështu, që ata të shtyjnë afatin e paracaktuar, për hedhjen në erë të anijes ukrainase “MV Faina”. Sipas gazetës keniane “Daily Nation”, midis 20 marinarëve të kapur peng nga piratët somalezë, në gjirin e Adneit, është edhe një shqiptar. Sipas kësaj të përditshmeje, piratët kishin deklaruar se ata do të hidhnin anijen në erë, nëse nuk do të merrnin shumën prej 20 milionë dollarësh, që kishin kërkuar si shpagim. Vetë zëdhënësi i tyre, Ali Suguri, në një deklaratë të bërë u shpreh se nëse nuk do të paguhej shuma prej 20 milionë dollarësh gjatë afatit të kërkuar nga pronarët e kësaj anijeje, atëherë ata kishin marrë vendimin të shpërthenin anijen, me gjithçka që kishte brenda, përfshirë edhe veten. Në bordin e anijes janë 50 piratë, të cilët mbajnë të burgosur 20 veta të ekuipazhit, me gjithë ngarkesën luftarake të zënë. Gjithashtu janë 33 tanke të prodhimit rus “T-72”, një numër i madh granatahedhësish dhe një sasi e madhe municioni, e destinuar për ushtrinë keniane, që janë kapur nga piratët somalezë. Kërcënimi nga ky fenomen është bërë shumë i madh në muajt e fundit. Nisur nga kjo, SHBA, NATO dhe Rusia kanë reaguar, duke çuar menjëherë forca për eliminimin e këtij problemi. Anija e marrë peng tashmë është e rrethuar nga anijet luftarake të SHBA-së. Gjithashtu, edhe një fregatë ruse është nisur për të luftuar piratët. Për të luftuar këtë kërcënim, do të ndihmojë edhe NATO, që do të nisë shtatë anije luftarake. Kapiteni i anijes së kapur “MV Faina” vdiq një ditë më vonë pas rrëmbimit, pasi u sëmur. Trupi i tij është ende në anije. Anijet amerikane, të cilat kanë rrethuar piratët, i kanë lejuar ata që të marrin ndihma, por i kanë paralajmëruar që të mos përpiqen që të përdorin armët. Kjo çështje ka bërë që të angazhohen vendet më të fuqishme të globit. Nga SHBA mund të vendoset që të sulmohet anija, megjithatë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Dyshohet se nëse armët lihen të lira, ato mund të bien në duart e fundamentalistëve islamikë, që veprojnë në këtë kontinent. Nga ana tjetër, piratët somalezë të ndikuar edhe nga lajmet për nisjen e një bashkëpunimi, janë gati që të shtyjnë edhe për ca kohë ekzekutimin e vendimit të tyre. Kjo është në të mirë të marinarit shqiptar dhe të shokëve të tij, të cilët mund të shpresojnë për jetët e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›