E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultivonin kanabis, dy në pranga

Dy persona janë vënë në pranga në juglindje të vendit për kultivim të bimëve narkotike. Policia e Korçës ka arrestuar dy shtetas pasi ka zbuluar se janë autorë dhe kultivues të bimëve narkotike. Një 37-vjeçar me banim në Korçë është arrestuar një ditë pasi në një operacion policor, u zbulua dhe asgjësua një sipërfaqe e mbjellë me kanabis sativa në fshatin Krushovë, të Komunës së Voskopojës. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se 37-vjeçari Besim Qose rezulton të jetë autor i kultivimit të 221 rrënjëve kanabis në një parcelë të mbjellë brenda një sipërfaqeje pyjore në thellësi të fshatit Krushovë, rreth gjashtë orë larg nga qendra e banuar. Pas një operacioni të kryer të premten, ku u krye asgjësimi i bimëve, policia ka identifikuar si autor 37-vjeçarin nga Korça, ndaj të cilit rëndon akuza e "prodhimit dhe tregtimit të bimëve narkotike". Burimet policore thanë se aksioni ka ardhur pas informacionit se në vendin e quajtur "Mulliri i Hajdinit, në një zonë të thellë me terren të thyer, ndodhej një parcelë e mbjellë me bimë narkotike. Ndërkohë që është mbajtur nën vëzhgim parcela, është zbuluar pronari, banues në lagjen 15 të qytetit të Korçës. Brenda 24 orëve policia ka vënë në pranga një person tjetër për kultivim të bimëve narkotike. Krahas Qoses, një tjetër person është arrestuar në flagrancë në fshatin Blacë në Rrethin e Pogradecit. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 23-vjeçari Aranit Mekolli është prangosur dy ditë më parë, pasi kishte mbjellë bimë narkotike në oborrin e banesës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›