E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-policët, tre muaj pa asistencë

Rreth 80 ish-efektivë të Policisë së Qarkut të Shkodrës të prekur nga reforma, që prej tre muajsh nuk janë trajtuar ekonomikisht. Ndonëse sipas legjislacionit në fuqi punonjësit e institucioneve shtetërore, që dalin në asistencë, shteti i trajton ekonomikisht për dy vjet rresht, duke u paguar të njëjtën rrogë që kanë pasur në momentin që preken nga reforma, ish-blutë e Shkodrës, prej disa muajsh nuk kanë marrë asnjë pagesë. Janë gjithsej rreth 80 ish-punonjës policie, të cilët gjatë vitit të fundit janë zhveshur nga uniforma blu. Sipas tyre, deri para tre muajsh rroga është tërhequr rregullisht, por që tri javë para zgjedhjeve legjislative, në llogarinë e tyre bankare nuk është lëvruar asnjë lekë. Ndonëse kanë kërkuar zgjidhje të shpejtë të situatës, nuk është bërë ende asgjë. Duke folur për gazetën "Shqip" një ish-punonjës policie me inicialet K.P. shprehet i indinjuar se "nuk e kuptojmë se çfarë po bëhet me ne. Kërkojmë vetëm të drejtën tonë dhe të zbatohet ligji. Ne na larguan nga puna sepse na nxorën në reformë, pavarësisht se unë dhe shumë shokë të mi, kishim disa dekada punonjës policie dhe një sërë trajnimesh në dosjet tona. Por ajo që është për të ardhur keq është fakti se vendet tona të punës nuk u mbyllën, por ne u zëvendësuam nga të tjerë persona. Çdo ditë vishen me dhjetëra polici në Shqipëri, ndërsa ne që kemi përvojë dhe jemi të trajnuar nga organizmat ndërkombëtarë të specializuar në luftën kundër krimit, qëndrojmë në asistencë. Pa dashur të paragjykoj arsyet e daljes në reformë, ajo që na shqetëson është fakti se që prej muajsh nuk po na jepet rroga. Kemi kërkuar gjithandej të drejtën tonë, po akoma nuk është bërë asgjë". Ndërkohë ish-uniformat e tjera shprehen të shqetësuar për vonesat në pagesa, pasi janë i vetmi burim të ardhurash për ta dhe familjet e tyre. Më tej ata shprehen se ka ardhur koha që policët të kenë një status të veçantë, në mënyrë që të përmbyset koncepti se militantizmi partiak ndikon në shkurtimet nga puna apo prekjen nga reforma.
Në lidhje me situatën e krijuar, drejtues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës janë shprehur se mospagimi i rrogave ka ardhur për shkak të vonesave në lëvrimin e fondeve për këtë kategori sociale. Sipas tyre, fondi për pagat e punonjësve të policisë të dalë në reformë, lëvrohet çdo tre muaj dhe kjo ka çuar në vonesat e pagave. Ndërkohë kanë premtuar se brenda këtij muaji, situata do të zgjidhet dhe të gjithë ish-policët që kanë dalë në reformë do të trajtohen financiarisht normalisht, ashtu siç përcaktohet në ligj. Mësohet se situata nuk është problem vetëm për Qarkun e Shkodrës, por dhe në qarqe të tjera të vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›