E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kemi hapur të gjitha dosjet e vjetra

Flet shefi i Komisariatit të Policisë në Sarandë, kryekomisar Besim Palamani
Lufta kundër krimit ndaj pronës dhe jetës veçohet momentalisht ndër përparësitë e veprimtarisë së Komisariatit të Policisë në Sarandë. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, shefi i këtij komisariati, Besim Palamani, tha se në funksion të përmbushjes së këtij synimi, është shtuar numri i efektivave, me shërbime shtesë gjatë natës dhe në zona më të nxehta. Sipas tij, ka rritje të efektivitetit të punës së policisë, e dukshme në goditjen e disa grupeve të vjedhësve në qytetin e Sarandës dhe në disa fshatra. Shefi i bluve të Sarandës ndalet në zbulimin e 21 veprave të tilla, nga të cilat 9 të ndodhura gjatë muajit janar dhe në arrestimin e 12 autorëve, ndërkohë që të tjerë pritet të vihen në objekt të operacioneve të ardhshme. Ai thotë se janë identifikuar edhe emra të tjerë, të përfshirë në krimin e vjedhjes, të cilët do të marrin goditje në javët që vijnë. Palamani shpjegon se nuk mund të thuhet që kemi të bëjmë me grupe të strukturuar, por sporadikë. Problematikë të veçantë përbëjnë në vlerësimin e tij vjedhjet e kohëve të fundit, në vështrimin që në masë dërmuese autorët e tyre janë të moshave jo të rritura, pasi në to janë përfshirë edhe mjaft të mitur të moshave 13-15 vjeç.Në një kategori tjetër përfshin Palamani ato krime që vijnë për shkak të Sarandës, si rajon që përdoret nga elementë të inkriminuar si transit. Ai thotë se deri diku është evidente prania e krimit të organizuar dhe kryesisht i përkasin rrjetit të trafikut të lëndëve narkotike. Në muajin dhjetor janë regjistruar 2 raste trafikimi të drogës e në janar një i tretë, me 254 kg, por ky trafik është vënë në kontroll, duke bashkërenduar me policinë e Qarkut të Gjirokastrës dhe punohet që goditje të tjera të drejtohen kundër tyre. Në fokus të punës janë edhe personat në kërkim, që strehohen në Sarandë. Vetëm gjatë muajit janar kanë rënë në duar të uniformave blu të Sarandës 9 të kërkuar. Rasti më i fundit ka qenë ai i Spiro Gjokës, të arratisur nga një burg i Greqisë 4 vjet më parë, që u kap në qytetin e Delvinës. Kryekomisari Besim Palamani thotë se, duke qenë që edhe Saranda është prekur nga vitet e trazuara dhe pa stabilitet, sikurse ishte viti 1997, ka ndodhur që elementë me prirje kriminale, apo autorë të veprave të tilla, kanë shfrytëzuar situatën e pazakonshme për të bërë asgjësimin e një pjese të provave të veprave të vjetra. Palamani kategorizon se kryesisht këto kanë qenë krime kundër personit, vrasje dhe grabitje me armë, apo me përdorim të dhunës. Në bashkëpunim me prokurorinë, sipas tij, është duke u parë mundësia e rinisjes së hetimeve për disa prej atyre ngjarjeve kriminale, pasi janë rreth 16 dosje me vrasje apo tentativë për vrasje të personit dhe pronës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›