Dy gjinekologë në gjyq për mjekim të pakujdeshshëm
Gjatë vizitës së kryer prej dy mjekëve pacientes, Arta Huldedaj, i kanë diagnostikuar helmimin në vend të shtatzanisë
Avenir Balili dhe Shpresa Thomaj, akuzohen se nuk e kanë mjekuar si duhet pacienten e mbërritur në gjendje të rëndë nga Dibra
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë kërkesën për gjykim ndaj dy gjinekologëve tashmë të pandehur Avenir Balili dhe Shpresa Thomaj (Metushi), mbi të cilët rëndon akuza e "mjekimit të pakujdesshëm" me pasojë vdekjen. Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës në kryeqytet, si dhe kryesekretarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të cilët kanë pranuar dosjen. Ndërkaq ata kanë hedhur çështjen në short elektronik, duke caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku. "Nga hetimet disa mujore, prokurori i çështjes, Valentin Preçi, ka grumbulluar një sërë provash materiale, si dëshmi të ndryshme, kartelën mjekësore të viktimës Arta Huldedaj, udhëzimin e lëshuar nga dy mjekët gjinekologë dhe akt-ekspertimin mjeko ligjor. Ky akt ekspertimi ka nxjerrë edhe shkakun e vdekjes së gruas shtatzanë njëmuajshe",-thuhet nga prokuroria. Vetë mjekët gjinekologë Balili e Thomaj, gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i çështjes kanë mohuar akuzat, për vdekjen e Arta Huldedaj nga Dibra. Sipas kërkesës për gjykim të renditur nga prokurori Preçi, thuhet se dy mjekët gjinekologë Balili e Thomaj, pas vizitës mjekësore të 26 vjeçares Huldedaj, i kanë sugjeruar familjarëve të saj, ta dërgonin në Spitalin Ushtarak për tu mjekuar pasi ishte helmuar dhe nuk ishte shtatzënë. Kjo e fundit, sipas burimeve të prokurorisë, kishte ardhur në Maternitetin e Tiranës në gjendje të rëndë nga Dibra me dhimbje barku. Por, edhe pse të bindur se Huldedaj ishte shtatzënë një muajsh, familjarët kanë kanë pranuar këshillën e dy gjinekologëve dhe e kanë dërguar në Spitalin Ushtarak. Aty gruaja e re, ka marrë mjekimet e këshilluara nga dy gjinekologët dhe pas................................... orësh janë adresuar një një klinikë private Gjinekologjike. Pas mbërritjes së saj në klinikën private, gruaja ka ndërruar jetë, dhe sipas hetimit të prokurorisë, vdekja është shkaktuar nga mjekimet e marra për helmim. Sipas dosjes me numër 855 të çështjes, theksohet se me datën 1 korrik 2007, familja Huldedaj kishte nisur nusen e djalit nga Dibra në Maternitetin e Tiranës, për mjekim të specializuar. Kjo për shkak të dhimbjeve që ajo kishte nga shtatzania një muajshe dhe në Dibër nuk mund të mjekohej. Sipas prokurorisë, dy gjinekologët nuk kanë kryer ekzaminimet përkatëse, por kanë konstatuar se pacientja kishte pësuar helmim. Për këtë ata e kanë derguar gruan e sëmurë në Spitalin Ushtarak, ku nuk ka jetuar shumë. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë kryer akt-ekspertimin e shkakut të vdekjes së gruas nga Dibra, dhe kanë konstatuar se Arta Huldedaj rezultonte të ishte shtatzënë dhe mund të ketë pasur komplikacione. Po pavarësisht problemeve me shtatzaninë, mjekimi i dhënë ka qenë i gabuar dhe ajo është mjekuar për helmim. Sipas akuzës, dy mjekët duhet të ishin treguar më të kujdesshëm në vizitën e tyre, dhe se gruan duhet ta kishin trajtuar në maternitet dhe jo ta dërgonin në një qendër tjetër mjekësore, duke humbur kohë. Sipas këtyre burimeve, seanca e parë gjyqësore tashmë është caktuar më 11 mars të këtij viti, ku pritet që dy të pandehurit të dalin para togave të zeza për tu gjykuar për veprën penale të "mjekimit të pakujdesshëm".