Dibra, para se të vdiste u çua në komisariat
TIRANË - Mesditën e 6 marsit, pronari i restorantit “Liqeni”, 40-vjeçari Afrim Dibra, një ndër viktimat e tragjedisë së Farkës, ka qenë në Komisariatin Nr. 1, si pasojë e një konflikti të ardhur me pronarin e vërtetë të tokës, në të cilin ishte ndërtuar restoranti i palicencuar. E në fakt, Afrim Dibrës duhej t’i shembej ndërtimi pa leje që prej vitit 2003, por në fakt, aty ku ai ka mundur që të ndërtojë, nuk hyn dot fadroma të shkatërrojë ndërtimin e jashtëligjshëm, që ndërkohë ka çuar me dhjetëra herë dy familje në komisariatin e policisë dhe në salla gjyqesh. Në fakt, dje ishte kryetari i komunës së Farkës, Fatbardh Plakut, i cili bëri publike gjatë një prononcimi për “Korrierin” mosmarrëveshjet që Dibra kishte me pronarin e tokës, Habil Çollakun. Edhe ky i fundit i kontaktuar nga “Korrieri”, rrëfeu për lexuesin si nisën problemet për tokën me të ndjerin Afrim Dibra, cilat kanë qenë marrëdhëniet mes tyre dhe vendimet e Policisë Ndërtimore për prishjen e “Liqenit” e deri tek dita e fundit, kur së bashku me pronarin e bar “Liqenit” përfunduan në Komisariatin e Policisë Nr. 1. Plaku Çollaku, lindur e banues në fshatin Farkë të Tiranës, shprehet se gjithçka nisi në vitin 2002, vit në të cilin u ndërtua dhe filloi së funksionuari bar-restoranti në të cilin shkohej me varkë. I pyetur në lidhje me konfliktin që kishte me viktimën Dibra, pronari Çollaku sqaron: “Që nga viti 2002 e deri mesditën që ndodhi tragjedia, familja ime dhe unë kemi pasur shumë mosmarrëveshje me Afrimin. Shkak ishte toka që i pata dhënë për të ndërtuar restorantin, që më pas ishte lokal i thjeshtë. Herë pas here ne përfundonim në rajon së bashku me gruan e djemtë, pasi Afrimi, pas frikës që kishte se mos i merrnim tokën, na denonconte pa pasur asnjë arsye”, - tregon Habili. Ai tregon ditën e fundit që ka përjetuar edhe sherrin e radhës me të ndjerin. “Ka qenë ora 12 e mesditës, kur ne shkuam në Komisariatin Nr. 1. Atë ditë Afrimi është zënë shumë keq me policët, madje kishte tentuar dhe të ushtronte dhunë. E përsëri për të njëjtën arsye, për punën e tokës”, - vijon të tregojë teksa pi cigaret njëra pas tjetrës Habili. Është shumë i prekur nga tragjedia, pasi ai dhe pjesëtarët e familjes janë dëshmitarë okularë të tragjedisë së Farkës, ku 16 persona humbën jetën. “Rreth orës 12 të asaj nate dëgjuam ulërima. Por nuk u shqetësuam fillimisht, sepse shpesh dëgjonim të tilla zhurma nga restoranti, nga persona të pirë. Pas disa minutash njohëm zërin e Erjonës, vajzës së Afrimit, e cila kërkonte ndihmë. Atëherë, djemtë e mi me nuset dhe unë dolëm në ndihmë të policisë, për të gjetur trupat”, - thotë plaku. Ndërkohë që në lidhje me pronën, ai tregon se në Gjykatën e Shkallës së Parë ka ende një proces të hapur që në vitin 2003, për prishjen e objektit të ndërtuar pa leje, i cili sipas kryekomunarit Plaku nuk është prishur, për shkak se në zonën ku ndodhet restoranti nuk mund të futet fadroma. Nishani jep 8 milionë për viktimat Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile do të zbatojë urdhrin e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, për akordimin e fondit prej 8 milionë lekësh të reja në ndihmë të familjeve të 16 të vdekurve të tragjedisë në Farkë. Sipas një njoftimi për shtyp nga ministria, bëhet e ditur se për çdo viktimë të tragjedisë do të jepet shuma prej 500 000 lekësh për organizimin e funeraleve e të shpenzimeve të tjera mortore.