Lamtumirë dhe për tetë të tjerët!
BERAT - Tetë varre të reja u hapën dje. Pas përcjelljes për në banesën e fundit të 8 anëtarëve të dy familjeve Osmani, dje ia dha lamtumira e fundit 8 viktimave të tjera të tragjedisë së Farkës. Ishte shumë i rëndë kthimi në banesën, gati të boshatisur, nga pjesëtarët e familjes Hysa për të afërmit e tyre. Paraditen e djeshme u përcollën për në banesën e fundit tre pjesëtarët e familjes Hysa. Në fakt, morti ka qenë i rëndë, sepse përveç Pëllumb, Majlinda dhe Alban Hysës, në Tiranë iu dha lamtumira e fundit pak orë më vonë bijës së familjes Hysa, Thëllëza Spahiut dhe djalit të saj, Arlindit, 16 vjeç. Hamza Hysa, vëllai i Pëllumb Hysës, tregoi dje se kjo familje ka pësuar dhe më parë tragjedi të dhimbshme. Sipas tij, dhe tre vjet më parë, pikërisht pas një datëlindjeje, ka gjetur vdekjen në një aksident një nip i kësaj familjeje. Pasi shprehën ngushëllimet në shtëpinë e prindërve të Pëllumbit, Qamil e Refie Hysa, qindra pjesëmarrësit kanë pritur të bëhen pjesë e kortezhit. Pak përpara mbylljes së ceremonisë mortore, në familjen Hysa ka mbërritur kryetari i PS-së, Edi Rama dhe përfaqësues të strukturave shtetërore. I shoqëruar nga disa prej deputetëve të këtij qarku, kreu i PS-së u ka kërkuar familjarëve që të bëhen të fortë për të përballuar këtë dhembje të madhe. Rreth orës 10:00, tre trupat e pajetë të Pëllumbit, Majlindës e Alban Hysës kanë dalë nga banesa e familjes së prindërve. Dhembja ka qenë tepër e madhe dhe familjarët nuk kanë mundur të përmbahen. Lot pafund dhe lutje për shpirtrat e tre pjesëtarëve të familjes; kjo ka qenë panorama në shtëpinë e Hysëve, ku tre trupat e pajetë kanë dalë nga banesa, ndërkohë që kortezhit i janë bashkuar miq, të afërm dhe qindra qytetarë të këtij qyteti. Romina Hysa, 17-vjeçarja që mbijetoi nga tragjedia, ndonëse që pas ngjarjes ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk ka pranuar mos të jetë pjesë e ceremonisë mortore, ndonëse nuk ka rezistuar deri në fund të saj. Ajo ka qëndruar e heshtur gjatë gjithë kohës, e rrethuar nga njerëzit e saj të afërm, duke psherëtirë mes dhembjes dhe lotësh, se Zoti duhet ta merrte edhe atë. Por dhembja që ka pushtuar shpirtin e 17-vjeçares, ka bërë që ajo të humbte ndjenjat dhe të largohet ende pa përfunduar ceremonia mortore. Ajo është shoqëruar për në spital, ku ka marrë ndihmë mjekësore me medikamente dhe serume për qetësi dhe është shoqëruar për në banesën e gjyshërve, ku tashmë do të qëndrojë pas humbjes së familjarëve të saj. Ndërsa rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, familja Spahiu përcolli për në banesën e fundit trupat e Thëllëza dhe Arlind Spahiut, nënë e bir, përkatësisht 46 e 16 vjeç. Arkivolet me trupat e pajetë mbaheshin nga familjarët, të cilët me lot në sy kanë shoqëruar drejt Sharrës njerëzit e tyre, të cilët humbën jetën datën 6 mars, në tragjedinë e Farkës. Në ceremoninë mortore ka munguar Luena Spahiu, e motra e Arlindit dhe vajza e Thëllëzës, e cila ka qenë një ndër tre të mbijetuarit e tragjedisë. Në kortezh bënin pjesë dhe familjarë të familjes Osmani, të cilët dy ditë më parë përcollën për të njëjtat varreza 8 arkivole më trupat e njerëzve të tyre që humbën jetën në të njëjtën tragjedi. Edhe familja Blano në Berat përcolli për në banesën e fundit dy viktimat, Pranvera e Erjon Blano. Nënë e bir u përcollën për në varrezat në dalje të qytetit të Beratit, ndërkohë dhe në këtë ceremoni varrimi kanë marrë pjesë qindra qytetarë. Ndërkohë që dhe në Sauk iu dha lamtumira e fundit Afrim Dibrës, pronarit të lokalit dhe motovarkës së tragjedisë. R. Xhelili/ E Elezi