E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibranët kundër vetëdeklarimit të fesë dhe kombësisë

Peshkopi Protestat që po ndërmerr “Aleanca Kuq e Zi” kundër regjistrimit të popullsisë, mbi bazën e vetëdeklarimit të fesë dhe kombësisë, janë ndalur dje në qytetin e Peshkopisë. Në një tubim paqësor të organizuar morën pjesë rreth 300 banorë. Drejtues të “Aleancës Kuq e Zi” janë shprehur se është e turpshme për shqiptarët që të shesin kombësinë me para. Ata bënë thirrje për anulimin e ligjit të gjendjes civile, i cili ashtu siç dhe është aktualisht, jep mundësi për ndryshimin e kombësisë. Ndërkohë, në këtë tubim paqësor është kërkuar shpallja si i paligjshëm i formularit të regjistrimit të popullsisë, ku kombësia dhe feja vetëdeklarohen sipas dëshirës. Banorët e Dibrës kanë firmosur peticionin, për të kundërshtuar ligjin aktual të gjendjes civile, si dhe regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Ata u kanë bërë thirrje politikanëve për ndryshimin e ligjit të gjendjes civile dhe projektin e formularit për regjistrimin e popullsisë. Tubimet vijojnë në qytete të tjera të vendit.

P. HASA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›