E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslimanë e ortodoksë së bashku për çështjen e pronave

Dy komunitetet fetare kanë vendosur që të nisin një protestë paqësore, deri në zgjidhjen e problemit të tyre për pronat

SHKODËR Problemi akoma i pazgjidhur i rikthimit të pronave, komuniteteve fetare në Shkodër, ka qenë në qendër të një takimi mes myftiut të Shkodrës, Imam Muhamet Sytari, dhe kreut të kishës ortodokse në Shkodër, At Nikolla Petani. Sipas tyre, kjo që ndodh në Shkodër, me pronat e këtyre dy komuniteteve fetare, është pjesë e persekucionit që i bëhet institucioneve fetare të këtyre dy besimeve. Sytari ka theksuar se “deklaratat tona në këtë kohë nuk bëhen për arsye të zgjedhjeve dhe politikave të caktuara, por i bëmë për politikat dhe interesat e komuniteteve tona. Në këto 20 vite, dy komunitetet tona e kanë ngritur në vazhdimësi zërin për të drejtat legjitime që u janë mohuar e prekur nga realitetet e historitë e ndryshme të këtij vendi”. Ndërsa At Nikolla Petani ka shtuar se “ne po kërkojmë diçka të drejtë e të shenjtë për komunitetet tona, siç është prona. Një komunitet fetar pa pronë është si një trup, që i janë prerë damarët e nuk funksionon më. Kishat e xhamitë nuk janë vetëm institucione shpirtërore, por edhe sociale, që u vijnë në ndihmë njerëzve. Ne nuk po kërkojmë diçka në ëndërr, por diçka faktike që e dinë të gjithë”.

Sipas përfaqësuesve të komuniteteve fetare, muslimanë dhe ortodoks në Shkodër, ditët ne vijim pritet të mbahen qëndrime më të ashpra, duke zhvilluar edhe protesta paqësore, ndaj neglizhencës që po tregohet për rikthimin e pronave këtyre komuniteteve fetare.

Pronat e myslimanëve

Sipas përfaqësuesve muslimanë, Myftinisë Shkodër iu sekuestruan dhe iu shkatërruan pronat e saj, duke përfshirë xhami e objekte të tjera, gjatë këtyre 21 viteve po bëhet një batërdi e vërtetë mbi këto prona. Imam Sytari ka përmendur konkretisht rastet më tipike të problemeve me pronat vakëf të muslimanëve shkodranë, të cilat, sipas tij, janë marrë nga njerëz me pushtet, për të cilët Sytari shprehet se nuk ka aspak dëshirë t’i shohë në festat e muslimanëve. “Nuk është larg vëmendjes zullumi me hotel "Rozafën", ku Myftinia, Kisha Ortodokse dhe disa familje shkodrane janë pronarë të vërtetë të truallit të saj. Në Zdralej, Qendra Tregtare e Myftinisë tonë, po ngelet peng e meskinitetit dhe degradimit të pushtetit lokal, që nuk zbaton një urdhër të prerë të Gjykatës së Apelit në favor të Myftinisë sonë. Nuk ka rekurs në botë të legjitimojë haramin që konsumohet muaj për muaj mbi pronën tonë në atë zonë. Në Zogaj, një individ që ka grabitur pronën tonë, sfidon një Myftini, një Bashki, një Polici?! Pranë xhamisë së Plumbit i njëjti realitet. Shembuj të tjerë flenë në sirtarët e zyrave të pushtetarëve burokratë të këtij vendi”.

Pronat e ortodoksëve

Ish-varrezat ortodokse pas urës së Bunës, aktualisht janë një aktivitet asfalt-betoni, duke sjellë dhe ndotje të qytetit. Komisioni i Kthimit e Kompensimit të pronave ia ka kthyer Kishës Ortodokse, por ajo akoma është pronë e bashkisë dhe bashkia nuk vepron, ndërsa dosjet tona flenë në këtë institucion. “Ajo që dhe sot njihet me emrin Shtëpia e Oficerëve, ka qenë e kishës ortodokse. Aty ka dhe biznese dhe zyra pushtetarësh e partish politike, njëra prej të cilave është selia e PR në Shkodër. Një tjetër pronë e pakthyer e komunitetit ortodoks në Shkodër është dhe lulishtja te spitali, ku kanë qenë varrezat ortodokse dhe kemi kërkuar kompensimin e kësaj prone, për të ndërtuar një klinikë diagnostikuese pas spitaleve, por kërkesa jonë ka rënë në vesh të shurdhër”, ka pohuar At Petani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›