Turi kundër regjistrimit të popullsisë ndalet në Fier
FIER “Po shprehemi edhe njëherë nga Fieri kundër regjistrimit etnik dhe fetar të popullsisë, duke theksuar edhe njëherë se kombi shqiptar asnjëherë në historinë e tij nuk e ka lidhur kombësinë me fenë dhe asnjëherë nuk e ka lidhur identitetin e tij me një përkatësi të caktuar fetare”. Kështu është shprehur para qindra qytetarëve fierakë, në sallën e Teatrit “Bylis” të këtij qyteti, nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu. Nën moton “Shqipëria mbi të gjitha”, aleanca kuq e zi, në bashkëpunim me shoqatat kombëtare në këtë qytet, organizoi një takim në kuadër të nënshkrimit të peticionit kundër regjistrimit fetar dhe etnik , Spahiu theksoi se “identiteti kombëtar dhe bashkëjetesa fetare rrezikohen pikërisht nga ky regjistrim. I jam bashkuar aleancës kuq e zi, për të dalë kundër formularit, i cili përfshin në regjistrime fetare një shtet që është asnjanës në çështjet fetare dhe që rrezikon në këtë mënyrë vlerën e deritanishme, siç është bashkëjetesa. Ndryshimi i Kombësisë, tha Spahiu, në këtë kohë është kthyer në një fenomen masiv. Sot dhe në vitet e fundit ka pasur një tendencë në rritje të çështjeve për ndryshim kombësie në jug të vendit, tendencë e cila nuk lidhet me ndonjë faktor pjesë të sistemit gjyqësor. Ndaj gjykatat kanë vendosur të reagojnë kundër këtyre gjykimeve, si dhe kundër parashikimeve ligjore, të cilat i ngarkojnë ato me detyra antikushtetuese, siç është edhe ndryshimi i kombësisë. Ndaj unë personalisht e mbështes këtë kërkesë. ”Edhe historiani Pëllumb Xhufi u ndal në këtë çështje, duke theksuar se “Shqipëria ka pranuar minoritetin grek në vendin tonë, ndërsa i vetmi shtet që nuk pranon minoritete është Greqia. “Regjistrimi është proçka e fundit e politikës shqiptare dhe ngelet rreziku më i madh, një pasqyrim i shtrembëruar i cili çon në ndonjë çarje të sigurisë kombëtare”, ka pohuar ai. Takimi është përshëndetur edhe nga drejtuesi i aleancës Kuq e zi, Gerti Peshkëpia. Në fund të takimit, në sallë është lexuar edhe një peticion drejtuar faktorit ndërkombëtar, për çështjen e kombit shqiptar në këtë peticion, që i drejtohej edhe Presidentit të Republikës. Bëhej thirrje që të shkundeshin mefshtësia e organeve shtetërore shqiptare, të ndalet nënshtrimi deri në servilizëm, i atyre autoriteteve që kanë për detyrë mbrojtjen e interesave kombëtare. Ti kërkohet shtetit grek se duhet të harrojë njëherë e mirë, ato pretendime të cilave iu ka kaluar koha për më shumë se 100 vjet nëse rruga për në BE thuhet në peticionin e nënshkruar nga 24 shoqata politike në Fier kalon patjetër nga Athina, ne do të jemi kundër çdo lëshimi që bie ndesh me interesat kombëtare.