Bllokohen 200 kg kokainë në vajin e palmës, ja si u zbulua « pronari » shqiptar
Tiranë Plot 200 kilogramë kokainë kolumbiane është sekuestruar dje në qytetin e Gjirokastrës, pas një operacioni të koordinuar mes disa shtetesh, përmes së cilave kaloi tranzit lënda narkotike. Një maqedonas, shofer i kamionit, bashkëshortja e tij dhe porositësi i ngarkesës prej 10 ton vaj palme kanë përfunduar në pranga, ndërsa policia, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda kanë kryer një sërë verifikimesh në ambientet e kompanisë ku ishte planifikuar të përfundonte vaji i palmës, brenda së cilit ishte tretur kokaina. I arrestuari, i cili dyshohet se ishte truri i gjithë skemës së trafikut të kokainës që kaloi në 7 shtete, sipas hetimeve rezulton të jetë «lidhësi i kontratës» mes komanisë që importonte vajin e palmës dhe kompanisë eksportuese, e cila dyshohet se e ka bazën në Kolumbi. Gjithçka duket se ka qenë e organizuar më së miri, pasi në lojë është përfshirë edhe një kompani në Gjirokastër, që përdorte si lëndë të parë në aktivitetin e saj tregtar, vajin e palmës. Kjo lëndë i është ofruar kompanisë nga personi i arrestuar ditën e djeshme, me inicialet Dh. H, por trafiku ishte diktuar nga autoritetet spanjolle, që vunë në dijeni Prokurorinë shqiptare. Duket se gjithçka është bërë brenda pak ditësh, pasi vetëm në datën 19 mars, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr.22, për akuzën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim. Edhe pse kjo është sasia më e madhe e kokainës së kapur ndonjëherë në Shqipëri, Prokuroria dhe Policia janë treguar tepër të rezervuar me të dhënat. Ndryshe nga rastet e tjera, kanë publikuar vetëm inicialet e të arrestuarit, i cili dyshohet se ka organizuar gjithë skemën e trafikut të kokainës. Prokuroria tha zyrtarisht se informacionet për ngarkesën e kokainës së shkrirë në vajin e palmës janë dhënë nga policitë e vendeve homologe, ndërsa ngarkesa është lejuar të kalojë në itinerarin Kolumbi- Spanjë- Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci-Serbi- Maqedoni- Shqipëri. Duket se Shqipëria ishte destinacioni përfundimtar i sasisë më të madhe të kokainës së kapur ndonjëherë, pasi sasia prej 10 mijë ton vaj ishte porositur në emër të kompanisë « Merentino». Por nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezultoi se administratorët e kompanisë në fjalë janë kontaktuar nga personi Dh. H., i cili u ka ofruar lëndë të parë të një cilësie shumë të mirë, të cilën mund ta sillte pa problem në Shqipëri. Madje, në marrëveshje ka qenë e parashikuar se në rast se nuk do bihej dakord, kompania nuk ishte e detyruar të blinte sasinë prej 10 ton vaj palme që transportohej në një kamionin me targa maqedonase, KU 190 CF dhe KU 590 CE. Prokuroria thotë se pikërisht kjo ishte skema që kishin gjetur organizatorët e trafikut, të cilët kanë përdorur emrin e kompanisë për të kryerjen e importit, ndërsa çmimi me të cilin i është ofruar vaji i palmës ka qenë shumë më i lartë nga çmimi me të cilin blihej zakonisht lënda e parë për prodhimin e ëmbëlsirave. Duke qenë të sigurt se kompania nuk do të blinte sasinë prej 10 ton vaj palme, pasi çmimi ishte tepër i lartë, porositësit e mallit do të mbanin vetë sasinë prej 200 kilogram kokainë, e cila kishte si destinacion tregun shqiptar. Por gjithçka ka përfunduar pranë ambienteve të kompanisë, kur forca të shumta policie kanë ndërhyrë dhe kanë bllokuar kamionin ku ndodhej sasia prej 10 ton vaj palme. Fillimisht, është shoqëruar drejtuesi i mjetit, një shtetas maqedonas, i cili ka qenë i shoqëruar edhe nga një femër, që mendohet se është bashkëshortja e tij. Sipas informacioneve të përcjella nga autoritetet spanjolle, rezulton se kokaina ishte tretur në vajin e palmës, i cili ndodhej në bidona me sasi të vogla. Paraprakisht dyshohet se saisa e kokainës që është tretur brenda vajit është rreth 200 kilogramë, por sasia e saktë do të dalë pas veçimit (ekstraktimit) të kokainës së tretur në vajin e palmës, i cili ka vlerë përdorimi kryesisht në industrinë e prodhimit të ushqimeve dhe ëmbëlsirave.
Kokaina
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bllokuar sasinë më të madhe të kokainës, në afërsi të një kompanie ëmbëlsirash në Gjirokastër. Informacioni për trafikimin e 200 kg kokainë erdhi nga autoritetet spanjolle dhe belge
Linja e trafikut
Kolumbi- Spanjë- Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci-Serbi- Maqedoni- Shqipëri. Ky është itinerari që mendohet se ka kryer sasia prej 200 kg kokainë, që mendohet se ndodhet brenda bidonëve të vajit të palmës
Arrestimet
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur 3 urdhër-arreste për një çift maqedonasish dhe një shqiptar, i cili akuzohet se është porositësi i sasisë më të madhe të kokainës së kapur në vend. Drejtuesit e kompanisë, jashtë trafikut
Pronari i kompanisë: S’di gjë për drogën, do blija vajin e palmës
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur vetëm 3 urdhër-arreste për kokainën, ndërkohë që kontrata ka shfajësuar kompaninë e prodhimit të ëmbëlsirave
Tiranë Operacioni 3-ditor për sasinë më të madhe të kokainës së kapur në Shqipëri që ka përshkruar thuajse gjithë Europën, zyrtarisht ka përfunduar vetëm me një person të arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar. Sipas prokurorisë, menjëherë pas ndalimit të kamionit, të parët që janë shoqëruar në ambientet e policisë kanë qenë dy shtetas maqedonas, të cilët janë bashkëshortë. Drejtuesi i kamionit dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar në polici se po kryenin transportin e 10 ton vaj palme drejt qytetit të Gjirokastrës, për llogari të kompanisë porositëse. Menjëherë, policia ka shoqëruar edhe administratorin e kompanisë, i cili ka pranuar se një person i ka ofruar atij produktin që shërben si lëndë e parë për prodhimet e ëmbëlsirave. Sipas tij, i është ofruar vaji i palmës, si produkt cilësor, por pa e ditur çfarë mund të përmabnte realisht ai. Administratori i kompanisë « Merentinos » ka treguar marrëveshjen me shtetasin DH. H dhe propozimin që ai i ka bërë, për të sjellë sasinë prej 10 mijë ton vaj palme për llogari të shoqërisë së tij. Pas këtyre informacioneve, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje personin që dyshohet se ka organizuar gjithë skemën e trafikut të kokainës. Pas seancës së pytjeve është urdhëruar ndalimi i tij nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët dyshojnë se personi i ndaluar ka konsumuar veprën penale të trafikut të narkotikëve në bashkëpunim. Pavarësisht informacioneve të para dhe ndalimit të vetëm një personi, dyshohet se në këtë aktivitet që mund të sillte qindra mijëra euro fitime janë përfshirë edhe persona të tjerë. Për nga rëndësia e çështjes, në skemë ka të tjerë të dyshuar, të cilët po verifikohen nga policia e prokuroria. Nëse konfirmohet se kokaina ishte tretur në vajin e palmës, atëherë dyshimet për përfshirjen e një rrjeti të tërë personash bëhen edhe më të mëdha, pasi një ndërmarrje tillë kërkon investim monetar por edhe pajisje e mjetet e nevojshme. Për ndarjen e sasisë së konsiderueshme të kokainës nga vaji i pamës nevojitet një laborator i specializuar në kryerjen e këtij procesi, si dhe mjete të tjera të posaçme. Por deri tani policia nuk ka mundur të zbulojë asnjë bazë ku do të kryhej ekstraktimi i kokainës nga vaji i palmës që vinte nga Kolumbia.
Goditet banda e Indrit
Dokles, ja si drejtonte
trafikun nga qelia
Policia italiane ka arrestuar 38 persona, mes të cilëve 5 shqiptarë dhe ka shpallur në kërkim ‘krahun” e djathtë të Indrit Dokles në furnizimin me drogë të bosëve italianë
Itali Arrestimi i një korrieri napoletan, në vitin 2007 detyroi dy kapot italianë të qytetit të Peskarës, Spinelli dhe Di Risio t’u drejtoheshin burimeve të tjera të importimit të heroinës. Gjithçka realizohej përmes një kontakti shqiptar, Indrit Dokles. Në mënyrë krejt të çuditshme, Dokle drejtonte grupin e vet nga burgu në Shqipëri. Policia italiane ka shkatërruar dje grupin e heroinës në Peskara, duke çuar në pranga 38 persona, mes të cilëve 5 shqiptarë, ushtarë të të arrestuarit si anëtar i bandës së Durrësit, Indrit Dokles. Shqiptarët që punonin për të ishin shumë të shkathët në ndërrimin e numrave të telefonit dhe humbjen e gjurmëve, gjatë komunikimeve të tyre, duke i detyruar karabinierët italianë të ndërmerrnin një operacion të kushtueshëm në përgjimin e jo pak, por 188 linjave telefonike. Shkathtësia dhe lehtësitë brenda hekurave të burgut bënë që Indrit Dokle të ngrinte një rrjet perfekt bashkëpunëtorësh, të cilin e drejtonte me mjeshtri. Organizatën e tij ia kishte besuar në terren dy personave, Fisnik Muçës (Niko) dhe Fatmir Gegës (Miri). Vëllezërit Rejnalt dhe Roxhen Velja prisnin drogën në Bergamo, ndërsa Ylli Daja ishte korrieri, i cili u arrestua në 18 tetor 2007 me 3.5 kg heroinë me vete. I organizuar e me rrënjë solide, trafiku i organizuar nga Shqipëria e çonte drogën deri në provincat më veriore të Italisë. Nga bisedat telefonike, ku spikasnin shprehje të koduara si “makinat e parkuara te vendi”, policët italianë zbuluan se njerëzit e Dokles kishin nisur tentativat për ta spostuar bazën e tyre në jug të Italisë, meqënëse aty ishin më të garantuar nga miqtë e tyre italianë. Pikërisht në këto vende të jugut furnizoheshin familjet rome, të cilat merreshin dhe me shpërndarjen në terren. Në fund të vitit 2007, një korrier i kësaj bande u kap me 5 kilogramë heroinë. Ndërsa korrieri i fundit i arrestuar ishte Guerino di Roko, i cili blinte nga një tjetër shqiptar , Vladimir Koka. Të dy këta u organizuan në janar të vitit 2008 mbërritjen e 54 kilogramëve “mall” nga Shqipëria. Policia italiane shkoi shumë afër sekuestrimit të ngarkesës së parë prej 24 kilogramësh, ndërsa në janar mundi të sekuestronte dërgesën e dytë me 24 kilogramë, në parkingun e një supermarketi. Bosët italianë ishin lidhur direkt në vitin 2008 me palën shqiptare, duke krijuar një korridor të ri të trafikimit të heroinës me bekimin e aleatëve të tyre në Napoli, ndërsa këta të fundit ishin ata që nuk bashkëpunonin në mënyrë direkte me palën shqiptare, por nëpërmjet partnerëve të tyre italianë, Spineli dhe Di Risio. Hetimi i organizatës shqiptaro-italiane solli 650 faqe material me dokumentacion mbi lidhjet e kësaj bande, ku shumica janë të lidhura me përgjimet telefonike me palën shqiptare. Hetimi nisi pas vrasjes së një travestiti italian në vitin 2007, ngjarje ende e pazgjidhur plotësisht nga drejtësia italiane. Vrasja e tij bëri që karabinierët të hetonin në lidhjet e tij në trafikimin e heroinës dhe hap pas hapi arritën te dy ortakët italianë. Ky operacion konsiderohet një ndër më të rëndësishmit e kryer nga policia italiane në muajt e fundit mbi trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Nga ana e të akuzuarve shqiptarë, policia italiane ka shpallur në kërkim shtetasit Vladimir Koka dhe Indrit Dokle, edhe pse ky i fundit ndodhet në burg në Shqipëri, si pjesë e të pandehurve të “Bandës së Durrësit” si dhe për trafik droge në Itali. Përgatiti: H.Hasani
Raporti i OKB-së: Në
Shqipëri ka laboratorë kokaine
Vetëm pak javë më parë, Bordit Kontrollues të Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve në OKB kishte hedhur alarmin se në Shqipëri ekzistonin laboratorë të kokainës. Në raportin vjetor thuhej se kokaina mbetet pas kanabisit, droga e dytë më e përdorur në Europë, megjithëse nivelet ndryshojnë nga vendi në vend. Frekuenca e përdorimit të kokainës ka pësuar rritje në vitet e fundit në Shqipëri, Qipro, Republikën Çeke, Danimarkë dhe Norvegji. Përqindja e përdorimit në Itali dhe Spanjë nuk ka pësuar luhatje në vite e fundit, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar ulje. Shqipëria futet edhe në listën e vendeve në të cilat janë ngritur edhe laboratorë të përzierjes së drogave të ndryshme. Sipas një analize të Europolit, të cituar në raport, “janë identifikuar teknika inovative të trafikimit të kokainës, si për shembull përzierja e kokainës bazë me hidroklorid dhe materiale të tjera, si dyllë bletësh, plastikë dhe rroba. Më pas bëhej ndarja e kokainës nga materilet e tjera në laboratorë specialë brenda kufijve të BE-së”. Më tej raporti përmend se në këto shtete të BE-së janë zbuluar 40 laboratorë të tillë, prania e të cilëve është raportuar edhe në Shqipëri e Moldavi. Në raportin e OKB-së, por edhe të Departamentit amerikan të Shtetit theksohej se autoritetet shqiptare kanë bërë progres në luftën kundër trafikut të drogës, duke minimizuar sasinë e narkotikëve që kalonte drejt Europës Perëndimore.
Vaji i palmës, “maskuesi” kolumbian për kokainën
Vaji i palmës, një përbërës natyral, i cili përdoret për shumë produkte ushqimore dhe kozmetike është një ndër maskuesit më të mirë të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Kolumbia ka nisur prodhimin dhe eksportimin në masë të këtij vaji, jo vetëm për leverdinë që sjell tregtimi i tij, falë kërkesave industriale, por edhe për shkak të simulimit që i bëjnë prodhimit, kartelet e drogës, të cilat duket se kanë gjetur mënyrën më të mirë për të maskuar kokainën mes vajit. Raportet më të fundit të OKB-së dhe agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare thonë se eksporti i kokainës nga Kolumbia, së fundmi është bazuar sidomos te truku i eksportimit të vajit të palmës. Për këtë shfrytëzohet një proces i veçantë kimik, i cili lidhet me dërgimin e kokainës në një gjendje të lëngshme, ku ngjyra dhe viskoziteti i saj e bëjnë shumë të ngjashme me vajin e palmës. Prodhimi i kokainës zakonisht kërkon kryerjen e 6 fazave të ndryshmek, të cilat lidhen me kombinimin e disa elementëve kimikë me gjethet e bimës së kokainës (në gjendje të ngrirë). Përzierësi kimik më i rëndësishëm është kerosena. Pasi bëhet dhe përzierja me kerosenë përftohet faza e 4 e prodhimit , fazë në të cilën kokaina është në gjendje thuajse viskoze dhe me ngjyrë kafe të zbehtë, shumë e ngjashme me vajin e palmës që eksportohet. Pikërisht në këtë fazë kokaina futet në fuçi të ndryshme. Pasi arrin në vendin e destinacionit, kokaina në gjendje të lëngshme duhet t’i nënshtrohet dy proceseve të tjera, të cilat janë përzierja me disa elementë kimikë si dhe “tharja”, ose më saktë përftimi i pluhurit të precipituar. Për kryerjen e këtyre dy proceseve të tjera mjafton një laborator i thjeshtë për ndarjen e preparateve dhe përzierjen, duke respektuar porcionet dhe njohuritë në kryerjen e procesit.