E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diçka për Mitrovicën

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar një plan të ri për Veriun. Por Ministri Bajram Rexhepi mohon kategorikisht që ky propozim të ketë ndonjë lidhje me planin 4 pikësh të Presidentit të Serbisë. Ai thotë se edhe më tutje parashihet zbatimi i Pakos së Ahtisaarit dhe formimi i Komunë së re. E, opozita vlerëson se në Veri duhet të vendoset ligji para instalimit të pushtetit.

Qeveria e Kosovës është duke provuar të modifikojë Planin e Ahtisaarit dhe të ofrojë diçka të re për Mitrovicën Veriore.

Edhe pse ajo pjesë po vazhdon të jetë jashtë sovranitetit të Kosovës, Ekzekutivi ka paralajmëruar një plan për të themeluar Komunën së re përmes organizimit të zgjedhjeve. Në këtë formë, po planifikojnë të zbatojnë në tërësi Pakon e Ahtisaarit dhe të shënojnë përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.

Edhe në Raportin e Progresit i është kërkuar Qeverisë së Kosovës të formulojë vizionin për Veriun, derisa pala serbe deri më tash ka propozuar disa modele për atë pjesë të Kosovës.

Megjithëkëtë, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi thotë Qeveria planifikon që deri në fund të këtij viti të zbatohet plani për zgjedhje të lira dhe formimin e komunës së re.

“Themelimi i komunës së re është në Pakon e Ahtisaarit, sikurse që është edhe organizimi i zgjedhjet në të gjitha komunat gjatë këtij viti që nuk janë mbajtur deri në tani. Kjo do të shënojnë edhe zbatimin e plotë të Pakos”, ka thënë Rexhepi për Express.

Një ditë më parë, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj paralajmëroi se Qeveria e Kosovës do të propozojë një planin për Veriun, duke paralajmëruar se publikimin do ta bëjë Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic.

“Që do të ketë hapa konkretë...propozimi i një dokumenti të ri se si duhet të zbatohet Pakoja e Ahtisaarit formimi i komunës pilot dhe mandej edhe i .... besoj që dokumenti kur të prezantohet nga Qeveria do të dalin edhe detajet. Besoj që do të prezantohet nga Ministri i Pushtetit Lokal, i cili e ka edhe një përgjegjësi të tillë”, ka thënë Hoxhaj për RTK, të premten.

Sikurse Hoxhaj, edhe Ministri Rexhepi ka thënë se plani i Qeverisë nuk ndryshon nga Dokumenti i Ahtisaarit.

“Plani i Qeverisë është t’i identifikojë njerëzit, të cilët kanë legalitet dhe marrin pjesë në zgjedhje, të investojë në Veri dhe t’i integrojë edhe në aspektin praktik dhe jo vetëm në atë juridik”, ka shtuar Rexhepi.

Ndryshe, ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka propozuar një plan katër pikësh, i cili parasheh status special për Veriun, mbrojtje të serbëve në jug të Ibrit, mbrojtje të trashëgimisë dhe pasurisë së serbëve në Kosovë.

Kjo është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, por duket se ideja e Tadicit ka një mirëkuptim nga ndërkombëtarët.

Ministri Rexhepi deklaron se ideja për status special për Veriun është e papranueshme, derisa për pakot e tjera të Tadicit thotë se janë në Pakon e Ahtisaarit.

“Ideja e Qeverisë së Kosovës nuk ka lidhje me propozimin e Tadicit, edhe pse në pikat e Tadicit përmenden disa sende që janë edhe në Pako të Ahtisaarit. Por, status special nuk do të ketë për Veriun”, ka shtuar ai.

Por, a është duke u përanditur një plan special për Veriun?

Kjo mohohet nga Qeveria.

“Nuk është plan special – special është vetëm se do të ketë më shumë investime dhe identifikim të njerëzve që e pranojnë realitetin dhe që janë qytetarë të Kosovës”, është përgjigjur Rexhepi.

Por, ish-Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati thotë se nuk ka nevojë të përpilohen programe të reja e speciale, por sugjeron për plane vepruese në Veri.

“Jam kureshtar të shoh se për çfarë plani po flitet, flitet për dizajnim diçka, apo për veprim. Për ndonjë plan veprues, i cili do t`i rriste kapacitetet e Qeverisë në Veri dhe do të bënin të mundshme themelimin e Komunës së Mitrovicës Veriore si dhe mbajtjen e zgjedhjeve në tri komunat, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”, ka thënë Ferati.

“Për hartimin e një plani të ri nuk e shoh të arsyeshme dhe të nevojshme”.

Sipas deputetit të LDK’së, duhet të merren hapa konkretë mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve të krijohen kushtet fillimisht të dërgohen policët e Kosovës në Veri dhe pastaj të shtrihet edhe pushteti lokal.

“Për të kaluar disa policë në atë pjesë është bërë problem, e jo të shkohet atje me institucione. Tash për tash, as nga Qeveria dhe ministritë përkatëse nuk po ndodh asgjë që mund të thuhet se po shndërrohet si një progres në Veri. Sa i përket çështjes së pushtetit lokal, mbajtjes së zgjedhjeve dhe heqjes së stukuarave paralele, s`po ndodh asgjë”, ka shtuar ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›