E Diel, 1 Nëntor 2026

Dida shqetëson Milanin, nuk mendon të largohet

Në pritje për të qartësuar merkaton e sulmuesve, Milani duhet të zgjidhë problemet e tjera që ekzistojnë në skuadër. Nelson Dida ka refuzuar propozimet e ndryshme të klubit (mes të cilave edhe largimi në një skuadër tjetër) dhe do të qëndrojë në bordero e në kontingjent edhe për sezonin e ardhshëm. Vendimi i "gardianit" brazilian prish planet e kuqezinjve, të cilët e kishin ndërtuar merkaton e portës mbi bazat e largimit të Didës. Objektivi kryesor ishte afrimi i portierit të Kombëtares Under-21 franceze, Loris dhe rikthimi i Abiatit, të cilit i ishte premtuar një vend në skuadër. Por, përveç komplikimit të çështjes "Dida", Milani nuk do ta ketë aspak të lehtë dhe blerjen e Loris nga Nica. Në garën për shërbimet e të riut të talentuar është futur edhe Lioni, që ka filluar bisedimet e klubin tjetër të Ligës 1. Shkak është bërë largimi i Kupet nga porta e kampionëve të Francës. Pra, nëse duan të blejnë Loris, kuqezinjtë duhet të mbyllin marrëveshjen sa më shpejt. Ndërsa Abiati, i cili kaloi një eksperiencë të mirë tek Atletiko e Madridit, duket fare pranë transferimit te Palermo. Përpara se t‘i japë përgjigjet interesimit të klubit sicilian, "gardiani" do të flasë më parë me drejtuesit e Milanit dhe trajnerin Ançeloti, për të krijuar një ide më të qartë të hapësirave që do ketë në skuadër. Por, në realitet, me afrimin e Loris dhe qëndrimin e Didës, zgjidhja më logjike duket kalimi te Palermo. Ndërkohë, nga skuadra largohen Gurguf (në formë huazimi te Bordo) dhe Rikardo Oliveira, pasi Saragoza ka blerë edhe gjysmën tjetër të kartonit të lojtarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›