E Diel, 1 Nëntor 2026

Didie Deshamp: Edhe unë në listën e londinezëve

Didie Deshamp ka bërë të ditur se edhe emri i tij është përfshirë në listën e kandidatëve të mundshëm për trajner që drejtuesit e Çelsit kanë përpiluar pas shkarkimit të Avram Grant. 39-vjeçari ka luajtur me skuadrën londineze në sezonin 1999-2000, duke fituar me këtë skuadër Kupën FA. Si trajner ai drejtoi Monakon në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2004, ndërsa më pas drejtoi Juventusin në Serinë B, duke arritur ta ngjitë menjëherë në elitën e futbollit italian. Ai dha dorëheqjen në muajin maj, dhe që në atë periudhë ka mbetur pushim. Duke folur për një radio të Monakos, Deshamp bëri të qartë se po mendonte për Çelsin. "Tre apo katër trajnerë janë në listë dhe unë jam një prej tyre. Do të ishte e vështirë të refuzoje Çelsin. Unë dëshiroj të kthehem sa më parë në stolin e një skuadre. Kam nevojë për pushime, por e ndjej veten të aftë të arrij gjëra të rëndësishme. Të kthehesh përsëri në drejtimin e një ekipi është e komplikuar, pasi rastet nuk shfaqen shumë shpesh, por pozicioni te Çelsi aktualisht është i lirë. Jam shumë i lumtur që cilësohem si një kandidat për këtë post. Ata pushuan prej pune trajnerin e tyre jo prej rezultateve që arritën, por sepse dëshirojnë që të luajnë një futboll më sulmues dhe tërheqës në vitet e ardhshme. Ai është një klub i madh, të cilin unë e njoh shumë mirë. Ne do të shohim në ditët e ardhshme se si do të rrjedhin ngjarjet, por çdo trajner i madh që është i lirë do të ishte i interesuar për një post të tillë", tha Deshamp. Ndërkohë, mediat angleze kanë bërë të ditur se në garë janë edhe Ançeloti, Rajkard apo Lipi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›