E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diego-Del Piero, njëri është i tepërt në ekip



Xhixhi del Nerit i kanë mjaftuar 11 ditë stërvitje, për të pasur idetë e qarta mbi Juventusin e tij, lidhur me pikëpamjen taktike të lojës, që bardhezinjtë priten të shpalosin sezonin e ardhshëm. Në një konferencë të djeshme për shtyp, trajneri i ri i torinezëve i pret ëndrrat tifozëve juventinë, të cilët presin prej një viti të shohin së bashku në aksion, Diegon dhe Del Pieron. “Në Juventusin tim, nuk do të ekzikstojë konkurrenca mes Del Pieros dhe Diegos, sepse do të jetë e vështirë t’i shihni ata përkrah njëri-tjetrit në fushën e lojës, - thekson Del Neri, i cili është një trajner i fiksuar pas skemës 4-4-2. – Nëse Alesandro del Piero është gati për miqësoren e të enjtes (sot) me Al Nasër? Padyshim, kapiteni do të jetë në fushë, ashtu sikurse Markizio do të luajë në qendër të mesfushës. E kam thënë dhe e përsëris se, nëse Del Piero është në formë optimale, ai është sulmuesi më i frikshëm i të gjithë Serisë A. Kundrejt tij dhe Diegos, kë do zgjidhja? Natyrisht, kapitenin tonë, duke marrë parasysh eksperiencën e jashtëzakonshme që ka në Kampionatin italian”. Në këtë moment Juventusi mund të mbështetet te pesë sulmues, por kjo gjë nuk përbën një shqetësim për trajnerin Del Neri. “Nga këta pesë sulmues, dy do të luajnë dhe tri të tjerë do të presin në pankinë. Trezege është impenjuar shumë në këto ditë stërvitjeje dhe duke e parë atë në fushë, nuk është e vështirë të kuptosh se David e ka golin në gjak. Janë të paktë lojtarët në qarkullim, që dinë të lëvizin si ai në zonën e kundërshtarit dhe përsa më përket mua, Trezege është një lojtar që do të kishte shumë hapësirë nën drejtimin tim. Ai është pjesë e planeve që unë kam për Juventusin, por më shumë se kaq nuk mund të them, - vazhdon Del Neri, i cili më pas qartëson anën taktike dhe teknike të skuadrës. – Duhet të vazhdojmë të punojmë në shumë aspekte, por mbi të gjitha, në anën psikologjike. Juventusi që pashë në miqësoren e fundit më pëlqeu shumë; agresiv dhe i frikshëm në sulm, por tani duhet të mësojmë të dimë të përshtatemi në bazë të kundërshtarit, që do të kemi përballë. Deri në eliminatoret e Ligës së Europës kemi ende disa ditë kohë për të punuar, ndaj duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum ato. Receta për t’u kthyer te fitorja? Skuadra duhet të rikthehet të jetë e përpiktë taktikisht, duhet të ofrojë siguri në të gjithë repartet. Të dish çfarë të bësh në fushë është një ndihmë e madhe për skuadrën, por atë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë do ta konfirmojmë me fillimin e Kampionatit, kur përballë do të kemi kundërshtarë të vërtetë dhe ndeshje që vlejnë pikë të rëndësishme”, - përfundoi trajneri i Juventusit, Xhixhi del Neri.

Trezege, pranon: Nuk iki nga Juventusi
Nëse do të varej nga vetë lojtari, tifozët apo së fundmi edhe nga trajneri Del Neri, duke dëgjuar fjalët e tij në konferencën e djeshme për shtyp, David Trezege nuk do të largohej kurrë nga Juventusi. Pas elozheve të marra nga Del Neri, vetë sulmuesi francez ka kërkuar edhe një shans nga drejtuesit e klubit për t’i bindur ata të qëndrojë. “Sikur të ishte në dorën time, unë do ta mbyllja karrierën te Juventusi. Por edhe për vitin e ardhshëm, unë nuk kam frikë të them se as që kam ndërmend të largohem nga Juventusi. Kam ende shumë për të dhënë me këtë fanellë. Tani ndihem në formë të shkëlqyer dhe dua të tregoj edhe njëherë tjetër, se nuk jam më kot sulmuesi i huaj më i mirë i të gjithë historisë së Juventusit”, përfundon sulmuesi.

Toti karikon Adrianon: Të fitojmë tituj
Adriano sapo ka nisur fazën përgatitore me skuadrën e Romës, dhe kapiteni verdhekuq Françesko Toti, përpiqet ta inkurajoj në prag të këtij fillimsezoni: “E dimë mirë që Adriano mund ta fitoj një ndeshje i vetëm – ka thënë numri 10 gjatë një interviste përballë mikrofonave të “Roma Channel” -. Dhe së bashku ju siguroj që do bëjmë gjëra të bukura dhe do sigurojmë objektiva të rëndësishëm. Me Adrianon që tani jemi në një sintoni të plotë, jam i bindur që me të do ngrihemi në një tjetër nivel”. Toti si një kapiten i vërtetë komenton situatën financiare në të cilën gjendet klubi i Romës: “Për ne është e rëndësishme të kemi akoma si presidente Rosela Sensin. Gjatë kësaj kohe kam qenë jashtë Italie, por jam informuar mirë mbi situatën financiare të klubit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›