Starova: Luajmë për fitore si në Hungari
Trajneri Sulejman Starova është optimist se Tirana do të kalojë me sukses ndeshjen e parë ndaj ekipit të Utrehtit në Holandë. Edhe pse në fushë kundërshtare “Bobi” shprehet se nëse badheblutë bëjnë lojën e tyre, atëherë do t’ia dalin në këtë takim. Starova shpreson që skuadra të mos të ndryshojë në fushë, nga paraqitja e bërë ndaj hungarezëve të Zalaegerszeg TE-së, ku ata u kualifikuan. “Kam marrë informacion për ekipin, kam parë se si luajnë ata. Janë një ekip i shkollës holandeze. Kanë dalë të shtatët në renditje. Pastaj luajnë në fushën e tyre, kjo do t’i ndihmojë. Nuk e kam vëmendjen tek ata, por tek ekipi im. Dua që Tirana të bëjë lojën e saj. I kemi idetë e qarta për këtë takim. Dhe në fushë do të bëjmë më të mirën tonë e do të japim maksimumin”, tha Starova dje para nisjes për në Holandë. Ndërkohë trajneri i Utrehtit, Ton Du Chatinier pohon se njeh lojën e bardhebluve dhe di si të fitojë ndaj tyre. “Jan Wouters dhe Henk Vonk panë kundërshtarin në të dyja sfidat në dy takimet e para. Tirana është një ekip me katër mbrojtës, që luajnë afër me njëri-tjetrin, tre mesfushorë kompaktë dhe tre sulmues të tjerë. Ata rrinë në mbrojtje dhe kur e marrin topin e humbin atë shumë shpejt. Ne duhet të jemi të vëmendshëm, pasi është me rëndësi për ne që të shfrytëzojmë gabimet e tyre”, – u shpreh tekniku.