Shqipëria e 71-ta në renditjen e FIFA, ngjit tetë vende
Kampionët e Botës në fuqi, Spanja ka marrë edhe renditjen e klasifikimit të FIFA-s për kombëtaret. Skuadra e trajnerit Visente del Boske ka përmirësuar dy pozicione nga klasifikimi i mëparshëm, ndërkohë që ka zbritur nga froni Brazilin. Këta të fundit, tashmë renditen në vendin e tretë, pasi para tyre është edhe Holanda. Një përmirësim të ndjeshëm ka bërë skuadra që u rendit e katërta në Botëror, Uruguai, e cila tashmë është në vendin e gjashtë, duke u rritur dhjetë pozicione. Kampionët e botës në vitin 2006, Italia ka zbritur gjashtë pozicione më poshtë dhe tashmë renditet e 11-ta. Zelanda e Re është skuadra që ka bërë edhe përmirësimin më të madh në renditje. Ndërsa pak kohë më parë ata ishin të 78-ët, tashmë janë në vendin e 54-rt. Neozelandezët ishin të vetmit që nuk pësuan humbje në Kupën e Botës, pasi barazuan në të tria ndeshjet e tyre.
Shqipëria – Kombëtarja shqiptare ka pasur një përmirësim të ndjeshëm në klasifikimin e FIFA-s, me plot tetë pozicione. Kuqezinjtë e Josip Kuzhesë janë në vendin e 71-të në botë dhe ky është pozicioni më i mirë që nga tetori i vitit 2007, kur renditeshim në vendin e 70-të. Në 20 vitet e fundit, renditja më e mirë e Kombëtares së Shqipërisë është arritur në tetor të vitit 2006, kur ndodheshin të 62-ët, pozicion që nuk e ruajtën për një kohë shumë të gjatë.