Ëndrra shekspiriane e Aleksandër Morfov hap “Butrinti 2000”
alma mile
Me një ëndërr a la Shekspir, për të njëmbëdhjetin vit, skena antike e Butrintit, fton, ashtu si shekuj më parë, artistë dhe adhurues të teatrit, por edhe të muzikës. Që nga Sofokliu, tek Shekspiri, apo Shopeni, do të jenë të pranishëm përgjatë katër netëve mes rrënojave të qytetit antik, në edicionin e 11-të të Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Butrinti 2000”. Megjithë që për këtë edicion pritshmëria ishte më e lartë, madje organizatorët, vetëm pak kohë më parë bënë të njohur programin e gjashtë ditëve aktivitet, festivali u rrudh në 5 ditë. Arsyeja sipas organizatorëve lidhet me financat e pamjaftueshme, të cilat çuan edhe heqjen nga programi të shfaqjes së Teatrit Kombëtar rumun “Radu Stanca”, një adaptim i tragjedisë “Elektra” të Sofokliut dhe Euripidit, e cila vinte si “sfidë” përballë “Elektrës” shqiptare. Disa ditë më parë, sipas presidentit të festivalit, Alfred Bualioti, për “shkurtim fondesh nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, nga programi i festivalit do të largohej dhe “Peer Gynt” i Ibsenit, një realizim panshqiptar, nën regjinë e Sllobodan Unkovskit. Por vetëm dje pasdite u njoftua rikthimi në program i kësaj vepre, për të cilën MTKRS ka sponsorizuar një fond shtesë (ende nuk dihet se sa).
U bë vite tashmë që problemi i mungesës së fondeve është kthyer në një “mallkim” këtij aktiviteti, i cili nga viti në vit shkurton ditët e tij. Mbështetësja kryesore e festivalit është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Vetëm financimi i MTKRS-së (deri dje 7 milionë lekë, pa fondin shtesë të “Perr Gynt”-it) nuk është e mjaftueshme për të siguruar praninë e trupave të mëdha, por edhe të ftuarve në të. çdo vit, pavarësisht se në pozicionin e Ministrit të TKRS-së gjendet përherë një emër i ri, premtohen më shumë e jepen më pak. Megjithatë si një aktivitet privat, “Butrinti 2000” mund të kërkojë edhe burime të tjera financimi, mundësia e sigurimit të të cilëve, realisht është fare e vogël, duke qenë se biznesi shqiptar, pak është i interesuar për të mbështetur ngjarje të këtij lloji.
Pjesëmarrja
Pavarësisht fondeve dhe ditëve, “Butrinti 2000” do ta realizojë edicionin e tij të radhës, e cili ngre siparin në datën 17 korrik, me një kryevepër të komedisë botërore. Bëhet fjalë për “ëndrra e një nate vere” nga Uilliam Shekspir, e cila vjen si prodhim i Teatrit Shtetëror “Vera Komissarzhevskaya”, i Saint Petersburgut, Rusi. Vepra vjen nën regjinë e regjisorit të madh bullgar, Aleksandër Morfov. Nuk është hera e parë që publiku i këtij festivali shijon gjeninë e Morfovit. Ai ka qenë i pranishëm në edicionet e shkuara me veprat “Shtrëngata” dhe “Don Zhuani”, të cilat janë shquar për një konceptim ndryshe dhe për një gdhendje mjeshtërore të detajeve. Veprat kanë qenë aq të qëlluara, saqë subtitrimi i tyre ishte thuajse i panevojshëm. Ndërsa vitet e shkuara, ai ka ardhur në bashkëpunim me Teatrin Nacional të Sofjes, “Ivan Vazov”, kësaj here vjen në krye të trupës së Teatrit Shtetëror “Vera Komissarzhevskaya” e Saint Petersburgut, Rusi. është themeluar fillimisht si një teatër privat në vitin 1904 nga një aktore brilante ruse, e njohur me emrin Vera Komissarzhevskaya, kontributi i së cilës në teatrin dramatik rus është tepër i vlerësuar nga gjenerata e re teatrale. Për këtë arsye, teatri i qytetit të ri, që u hap më 18 tetor të vitit 1942, që vazhdoi të punonte edhe gjatë viteve të luftës, mori emrin “Vera Komissarzhevskaya” në vitin 1959.
Një vepër e Henrik Ibsenit do të vijojë ditën e dytë të festivalit. Bëhet fjalë për “Peer Gynt”, nën regjinë e regjisorit serb Sllobodan Unkovski dhe interpretimin e aktorëve nga teatrot e Prishtinës, Shkupit e Tiranës.
Një ditë më pas, festivali do të ndryshojë ritëm, por edhe destinacion. Nga netët shekspiriane do të kalohet tek ato shopeniane. Me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit Frederik Shopen dhe shpalljes nga UNESCO si Viti i Shopenit, në kalanë e Lëkursit, në Sarandë, do të shfaqet “Netë Shopeniane - Muzikë dhe pantonimë nga koha e Frederic Chopin” nga teatri polak i Krakovit, “Nikoli”. Skena nga shek. XIX i shfaq spektatorit një botë plot shkëlqim nga muzika e Shopenit. Kërcimi luan një rol tepër të veçantë në këtë performancë, duke u bërë një pjesë e pandashme dhe integruese me muzikën. Spektakli tregon periudha të ndryshme jete dhe duke mbaruar në një udhëtim melankolik, por që nuk mbaron me vdekjen e Shopenit. Më tej një rikthim tek Shekspiri, por kësaj here, tek tragjedia. Bëhet fjalë për një nga veprat më të famshme të tij, “Romeo dhe Zhuljeta”, që vjen si një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Operetës në Bukuresht, “Ion Dacian” dhe Teatrit të Operetës dhe Muzikës në Budapest. Historia tragjike e dashurisë vjen në formën e një muzikali me ritme pop-rrok dhe në kohën kur ai u shfaq si premierë, në vitin 2001, në Paris, u vlerësua si një revolucion i vërtetë në fushën e muzikalit. “Romeo dhe Zhulieta” është vendosur në skenat e Kanadasë, Londrës, Amsterdamit, Budapestit, Moskës, Vjenës, Seulit dhe Taipeit, duke u përkthyer në shumë gjuhë të botës. Deri tani, show është parë nga më shumë se 5 milionë spektatorë, dhe janë shitur më shumë se 7 milionë kopje të albumeve. Festivali do të mbyllet me një prodhim shqiptar. Bëhet fjalë për tragjedinë “Elektra” të Sofokliut, një prodhim i Teatrit Kombëtar, nën regjinë e Adonis Filipit. Në rolet kryesore interpretojnë Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Laert Vasili, Vasian Lami, etj. Si çdo vit, çdo shfaqje do të pasohet ditën që vjen me konferencën për shtyp, ku autorët e veprave pjesëmarrëse, do t’i përgjigjen pyetjeve të gazetarëve, apo kritikëve që nuk i mungojnë edicioneve të këtij festivali.
Programi
Teatri Shtetëror “Vera Komissarzhevskaya”, Saint Petersburg, Rusi
Shfaqja: “ëndrra e një nate ere” nga W. Shekspir
Regjisor: Alexander MORFOV
Teatri Kombëtar Shqiptar Shkup, Teatri Kombëtar Kosovë, Teatri Kombëtar Shqipëri.
Shfaqja : “Peer Gynt” nga Henrik Ibsen
Regjisor: Slobodan UNKOVSKI
Nikoli Teatër, Krakov, Poloni
Shfaqja: “Netë Shopeniane” - Muzikë dhe pantonimë nga koha e Frederic’s Chopin
Regjisor: Nikolai VEPREV
Teatri Kombëtar i Operetës “Ion Dacian”, Bukuresht, Rumani në bashkëpunim me Teatrin e Operetës dhe Muzikës, Budapest, Hungari
Shfaqja: “Romeo dhe Zhuljeta”, muzikal nga Gérard Presgurvic, bazuar në veprën e W.Shekspir
Regjisor: KERO®
Teatri Kombëtar, Shqipëri
Shfaqja: “Elektra” nga Sofokliu
Regjisor: Adonis FILIPI