Humb Dinamo, Bakaj i ‘jep dorën’ Sherifit
Leonard Karaj
Dinamo humbet ndeshjen e parë në Kupën e Kampioneve ndaj Sherif Tiraspol me rezultatin 3-1. Bakaj del me karton të kuq.
Pas një nisjeje të mirë në 45 minutat e para ndaj kampionëve moldavë, blutë e kryeqytetit e humbën toruan jo vetëm duke lëshuar në lojë, por edhe duke u përfshirë nga nervozizmi. Pikërisht kjo gjë çoi edhe Elis Bakajn që të linte skuadrën e tij për më tepër se 22 minuta lojë me 10 lojtarë. Bakaj u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 68-të të takimit nga gjyqtari suedez Daniel Stalhamar për shkak të një ndërhyrjeje shumë të rëndë në dëm të futbollistit të Sherif Tiraspolit, Vranjes. Ndonëse në ato momente vendësit fitonin me rezultatin 2-1, largimi i Bakajt ndikoi në vijimësinë e ndeshjes, pasi dinamovitët as që tentuan më pas të rrezikonin portën e Sherifit, veçse me një gjuajtje nga larg nga ana e Igli Allmuçës.
Trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Blanko, hodhi në fushë një skuadër mjaft të ekuilibruar me treshen sulmuese Vila-Bakaj, Martinena, të ndihmuar edhe nga Gjergji Muzaka. Ndërkohë nga pas vinin me radhë Pisha, Xhafa, Diop, Puntinciani dhe Malakarne, lojtarë këta që jepnin siguri në pamje të parë në repartin difensiv. Por Dinamo e humbi toruan shumë shpejt, që në minutën e 9-të të pjesës së parë, kur Volkov gjeti momentin e duhur për të çuar në rrjetë një top të ardhur nga goditja e këndit. Por kampionët e Superiores ditën që të reagonin dhe vetëm dy minuta më pas erdhi goli i barazimit. është thuajse e njëjta skenë, por thjesht në krahun tjetër: korne për Dinamon, gjuan Bakaj dhe Malakarne në zonën e Sherifit gjuan me kokë duke barazuar. Pjesa e parë mbaroi me këtë rezultat dhe me disa përpjekje të brishta të vendësve, por të neutralizuara nga portieri Hidi.
Në pjesën e dytë trajneri vendës ndryshoi taktikë, duke i dhënë më shumë përparësi sulmit. Kjo gjë dha frytet e veta, sepse pas tri sulmeve radhazi erdhi dhe goli i dytë dhe i tretë i vendësve, ndërkohë që Bakaj doli me karton të kuq. Një humbje kjo që pritej nga ana e skuadrës sonë, po të shikosh edhe statistikat e Dinamos në pjesëmarrjet në Kupat e Evropës. Sidoqoftë, mjaft i vlefshëm goli i Lukas Malakarnes, i cili mund të rezultojë si goli kualifikues në rast se në ndeshjen e kthimit Dinamo fiton 2-0 në Tiranë.
Sherif Tiraspol-Dinamo 1-1
Shënues: Volkov 9’, Nikoliç 62’, Nadson 70’/
Malakarne 11’
Kartonë të verdhë: Voklov 14’, Nikoliç 63’/ Puntincianin 19’, Diop 20’
Karton i kuq: Bakaj 68’
Gjyqtarë: Daniel Stalhamar/ F.Nilsson dhe J.Flink (SUE)
Stadiumi: Sherif, Tiraspol (MDA)
Sherif: Stojanov, Volkov, Tarkhnishvili, Nikoliç (Georgiev 75’), Franca, Vranjes, Fred (Haçiaturov 91’), Bulat (Erhokin 46’), Nadson, Brankoviç, Adamoviç. Trajner: Andrej Sasnitski
Dinamo: Hidi, Pisha, Xhafa, Martinena, Garsia (Soza 79’), Vila, Muzaka (Allmuça 72’), Bakaj, Punticianin, Malakarne, Diop. Trajner: Luis Blanko