E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diego, gati kalimi te Reali

Mediat gjermane janë të bindura se braziliani i Verder Bremenit, Diego, është shumë pranë kalimit te Reali i Madridit. Pas humbjes me Volfsburgun, që ka shuar përfundimisht ëndrrat e kësaj skuadre për titullin kampion, ylli brazilian ka humbur durimin dhe kërkon një ekip më të rëndësishëm për të fituar trofe. Kjo ka shtyrë gazetat gjermane të publikojnë lajmin se Diego ka arritur një akord me Ramon Kalderon për sezonin e ardhshëm, duke kaluar në radhët e Realit, ku pritet të kthehet në një prej idhujve të tifozerisë. Në vendimin e tij ka ndikuar jo pak edhe kritika që ka marrë pas eliminimit të Verderit nga Kupa UEFA, ndeshje në të cilat ai u shfaq jashtë formës, duke mos e ndihmuar skuadrën në aspektin ofensiv. Për këtë arsye, braziliani është vënë në kërkim të një ekipi, ku nuk duhet të bëjë gjithçka vetë dhe Reali i Madridit ka një përbërje kampionësh që i japin mundësinë Diegos të shkëlqejë, por edhe të ketë luksin të bëjë disa ndeshje pushim. Kontrata aktuale e Diegos përfundon në vitin 2011, por Verder Bremeni është gati ta lërë atë të largohet, nëse ndonjë skuadër është gati të paguajë rreth 30 milionë euro. Ky do të ishte një përfitim i ndjeshëm për ekipin gjerman, që e bleu vetëm për 5 milionë euro fantazistin nga radhët e Portos vetëm në vitin 2005. Gjatë muajve të fundit, është folur edhe për një interesim të Juventusit e Çelsit për lojtarin. Por duket se futbollisti është bindur nga madrilenët, të cilët japin më shumë garanci, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, pasi cilësohen gjithmonë një nga ekipet pretendente për të fituar çdo trofe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›