Ekleston: Botërori, atij që fiton më shumë gara
Berni Ekleston ka propozuar rregullat e reja që Formula 1 duhet të përshtatë për të fituar më shumë tifozë dhe spektakël. Propozimi më i fundit i tij është që "titulli të fitohet nga piloti që fiton më shumë gara dhe jo nga ai që grumbullon më shumë pikë". Ekleston duket se nuk e ka pëlqyer fundin e sezonit të kaluar (pavarësisht mbylljes me shumë emocione) dhe ka thënë: "Kam ndërmend që këtë ide të re ta përpunoj në javët në vazhdim". Sipas rregullave aktuale, piloti që e përfundon garën i pari merr 10 pikë, i dyti 8, i treti 6 e kështu me radhë zbritet deri në 1 pikë, që i jepet pilotit të renditur në vendin e tetë. Por, sipas Ekleston, ky sistem nuk funksionon: u lejon pilotëve që të bëjnë shumë llogari gjatë sezonit dhe kjo penalizon spektaklin. "Fjala kyçe në sportin tonë është ‘garimi‘, deklaroi 77-vjeçari. Në këto momente nuk ka shumë parakalime, pasi pilotët kënaqen me atë që arrijnë dhe nuk preferojnë të rrezikojnë. Vendi i dytë u garanton atyre vetëm 2 pikë më pak se fituesi i garës. Unë dëshiroj që kampion të shpallet piloti që ka fituar më shumë gara se të tjerët. Vendet e dyta duhet të merren në konsideratë, vetëm nëse ata e mbyllin sezonin me pikë të barabarta".