E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zidan ndihmon Brazilin: Unë jam rritur kështu

Ish-futbollisti francez, Zinedin Zidan, është pritur si një hero në Brazil, ku ka zhvilluar një ndeshje për bamirësi në qytetin e San Paolos. Ndonëse fantazisti francez ka qenë një "armik" i brazilianëve, pas fitoreve në botërorët e viteve 1998 dhe 2006, ai është pritur ngrohtësisht nga vendasit, të cilët e kanë vlerësuar iniciativën e tij gjatë inaugurimit të një fushe futbolli në Heliopolis, një lagje të varfërish me 125 mijë banorë. "Më në fund mund të kthej pak nga ajo që kam marrë gjatë karrierës sime dhe jam i lumtur që po e bëj një gjë të tillë në një lagje që i ngjan asaj ku jam rritur edhe unë. Ky është vendi i futbollit. Kur isha i vogël ëndërroja të luaja për Brazilin", u shpreh Zidan para turmës që ishte mbledhur për të parë yllin francez. Më pas ai ka zhvilluar një minindeshje futbolli me vendasit, në një stadium të mbushur me njerëz që dëshironin të shihnin edhe një herë magjitë e tij në fushën e lojës. Bileta e kësaj shfaqjeje nuk blihej me para, por të gjithë spektatorët duhej të sillnin me vete 2 kilogramë ushqime, që më pas u janë shpërndarë banorëve të varfër të Heliopolis. Zidan do të vazhdojë turin e tij humanitar edhe në vende të tjera të Amerikës Latine.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›