E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dielli pushton Shkodrën pas 12 ditësh përmbytjeje

 SHKODER/ RITVAN DIBRADielli pushton Shkodrën pas 12 ditësh vranësi, shi e përmbytje. Në në kohë kur ndryshimi i kësaj gjendjeje varet vetëm nga dora e natyrës, orët e qartësisë së qiellit janë parë si shpresëdhënëse për banorët e zonave të përmbytura që nga fillimi i këtij viti. Në të vërtetë, dita e djeshme ka shënuar rënie të nivelit të ujërave në rajonin e Shkodrës, çka ka bërë që shifrat të mos rriten më tej gjatë ditës së djeshme. Parashikimi i motit nga sinoptikanët për ditët e ardhshme flet për një përmirësim të kushteve në ditët në vazhdim dhe shirat e lehtë pritet të mos kenë ndikim.Përfaqësuesit e shtabit të emergjencës në Shkodër pohuan dje se në lagjet "Ajasëm" dhe "Bahçallëk" të qytetit uji ka pësuar uljen e nivelit prej rreth 20 cm. I njëjti përmirësim ka qenë dhe në lagjen "Xhabije", e cila ditët e fundit u shndërrua në alarmin e qytetit, pasi prej saj uji mund të depërtonte drejt qendrës së Shkodrës. Dhe në këtë zonë ka pësuar ulje niveli i ujit, duke mos rrezikuar përmbytjen e mëtejshme të saj. Menjëherë sapo është konstatuar tolerimi nga niveli i ujit, punonjësit e emergjencave kanë vënë në funksionim pompat e stacionit të ujërave të zeza duke zhvendosur një sasi të konsiderueshme nga kolektori. Derdhja e tyre në gjendje të lirë, nëse do të vazhdonte kështu provokonte shpërthimi e një epidemie në masë. Ndërkohë që vazhdon të ketë probleme rruga e Shirokës për autoveturat e ulëta. Por, megjithë diellin e djeshëm, shirat e së martës provokuan rëndimin e situatës në komunat të tëra, si ajo e Velipojës, Bushatit e Bërdicës. Ndërsa dje, listës së komunave të përmbytura i është bashkuar dhe ajo e Rrethinave, në zonën pranë Anës së Malit. Sipas shifrave që ka nxjerrë ekipi i emergjencave, në to uji ka përmbytur dhe 1 mijë hektarë të tjera, kryesisht tokë bujqësore, duke e çuar shifrën në 11.400 hektarë. Kjo situatë është shoqëruar edhe me një rritje të numrit të të evakuuarve, si nga komunat e Velipojës, Malit të Jushit, por edhe nga zonat e Livadheve të qytetit të Shkodrës. Shtimi i sipërfaqeve të përmbytura është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të banesave nën ujë. Ditën e djeshme, shtëpitë nën ujë ishin 2649 nga 2500 të një ditë më parë. Përhapja e ujit në këto zona është argumentuar me problemet që kanë argjinaturat e lumenjve sot, duke mos e bllokuar dot depërtimin në zonat pranë atyre që u përmbytën në ditët e para. Gjendja ka qëndruar konstante gjatë ditëve të fundit në komuna Dajç e Ana e Malit.Rruga që të çon për tek ura e Bunës ka qenë e kalueshme dhe pa problem, po kështu edhe kthesa problematike tek harku i Bërdicës ka qenë në një nivel minimal të pranisë së ujit. Gjatë ditës së djeshme ka vazhduar të qëndrojë e bllokuar zona e Velipojës, ku mund të depërtohet vetëm me mjete të ushtrisë. Ndërkohë që ka vazhduar shpërndarja e ndihmave dhe operacionet e tjera po kryhen sipas planit të parashikuar në mbledhjen e së martës mbrëma të Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile. Vëmendja e ekipeve të evakuimit, krahas nxjerrjes së personave është përqendruar edhe në evakuimin e bagëtive të banorëve, kjo e kushtëzuar në jo pak raste nga këmbëngulja e vetë banorëve të cilët jetën e familjarëve të tyre e barazojnë me atë të bagëtive. Edhe gjatë paradrekes së djeshme helikopterët e emergjencave dhe të Italisë kanë bërë dërgimin e ndihmave ushqimore dhe koncentrateve të bagëtive kryesisht për zonat e Obotit, të Velipojës, të Dajçit, Bushatit etj. Për zonat e përmbytura të Shkodrës ka vazhduar dje mbërritja e ndihmave humanitare nga njësi vendore të Kosovës, Greqisë, Maqedonisë etj. Nga ana e tyre, ministrat e shtabit të emergjencave, sapo kanë përfunduar mbledhjen e djeshme të qeverisë me kryeministrin Berisha kanë zhvilluar mbledhjen e drekës së shtabit të emergjencave dhe kanë vazhduar me inspektimin e zonave problematike.Situata dje (ora 13:00)FierzaPrurjet             450 m3/sNiveli i liqenit         290.21 metraNiveli maksimal        296 metraDerdhjet                      630 m3/sTurbinat në punë          4 KomaniPrurjet            150 m3/s(anësore)Niveli i liqenit        170.43 metraNiveli maksimal        175 metraDerdhjet                      800 m3/sTurbina në punë              4Vau i DejësPrurjet            200 m3/s (anësore)Niveli i liqenit        74.17 metraNiveli maksimal        76 metraDerdhjet                      730 m3/s Turbina në punë               5Ulëz-ShkopetPrurjet            100 m3/s (anësore)Niveli i liqenit        128.28  metraNiveli maksimal        128.80 metraDerdhjet                      24 m3/sTurbina në punë               (4)(2)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›