Tirania e emergjencave
Blendi Kajsiu Përmbytjet në veri kanë krijuar një situatë aq të jashtëzakonshme, saqë tashmë kemi harruar se për Shqipërinë është më se e zakonshme të ndodhet në situata të jashtëzakonshme, që kërkojnë zgjidhje urgjente. Një distancim sado i pakët nga përditshmëria e zhvillimeve në vend, të kujton se ne jemi gjithmonë në situatë emergjence në një aspekt apo në një tjetër. Në fakt sapo të bjerë urgjenca e përmbytjeve, shumë shpejt skena publike do përmbytet nga emergjencat politike dhe ekonomike. Politikisht me urgjencë do të shtrohet pyetja ‘të futet apo jo opozita në Parlament’. Ekonomikisht shumë shpejt do të ndodhemi përpara një emergjence financiare, si pasojë e rrudhjes së rritjes ekonomike dhe e shpenzimeve elektorale të qeverisë. Si në çdo situatë emergjence, edhe në këto raste do kërkohen zgjidhje urgjente, të atypëratyshme, edhe pse rrënjët e këtyre problemeve janë shumë më të thella se zgjidhjet sipërfaqësore që ato imponojnë. Pikërisht ky është problemi që prodhon tirania e emergjencave. Nën trysninë e tyre ne jemi vazhdimisht të detyruar të merremi ekskluzivisht me pasojat e emergjencave, pa pasur kohë të mendojmë dhe trajtojmë rrënjët e tyre më të thella. Ky është edhe rasti konkret me përmbytjet. Ndërhyrja konkrete synon evakuimin dhe ndihmën për banorët, ndërsa debati politik e redukton analizën te përcaktimi i përgjegjësive. Natyrisht të dyja janë të domosdoshme. Natyrisht që në të gjithë këtë mesele duhet theksuar fort papërgjegjshmëria e qeverisë Berisha, në menaxhimin e burimeve ujore. Pasi nuk do shumë mend të kuptosh se përmbytja nuk është vetëm punë e Zotit, por edhe e qeverisë që i mbushi digat jashtë çdo limiti të lejuar. Ama kjo nuk është e gjithë e vërteta që duhet nxjerrë në pah, për të kuptuar nga na burojnë emergjenca të tilla përtej rastit konkret. Përveç motit dhe qeverisë, një problem themelor mbetet edhe mungesa totale e kontrollit mbi territorin, ndërtimet pa leje dhe pa sens nga banorët e zonës që nxjerrin jashtë loje investimet e bëra për të evituar përmbytjet. Këtu nuk kemi të bëjmë me një problem vetëm të njërës apo tjetrës qeveri, por me një problem strukturor të vetë ekonomisë shqiptare. Sepse mungesa e kontrollit mbi territorin është një problem që fillon nga zemra e Tiranës deri te cepi më i largët i vendit. është një problem që buron nga fakti se industria e ndërtimit është i vetmi sektor realisht dhe lehtësisht fitimprurës në ekonominë shqiptare, çka bën që të gjitha kapitalet vendase të drejtohen aty dhe të ushtrojnë një presion të papërballueshëm mbi qeverisjen. Sipas të njëjtës logjikë, për të kuptuar masakrën urbane që ndodh në zonat rurale ku investohet në ndërtimin e vilave shumëkatëshe më shumë sesa në prodhimin bujqësor, duhet që më parë të kuptojmë se bujqësia shqiptare ende nuk ka treg. Ende sot pas 20 vitesh nuk është kthyer në një sektor fitimprurës. Ndaj fermerët shqiptarë, më shumë sesa te zgjerimi i prodhimit investojnë te zgjerimi dhe lartësimi i vilave shpesh në kurriz të infrastrukturës lokale, siç janë kolektorët. Për sa kohë bujqësia nuk është fitimprurëse, edhe fermerët do kthehen në ndërtues, duke e zhvendosur masakrën urbane në zonat rurale. Dhe diçka të tillë nuk ka ‘burrë nëne’ ta ndalë. Me pak fjalë emergjenca e sotme e përmbytjes, përveçse si pasojë e një qeverie dhe e një moti, duhet parë edhe si pasojë e një deformimi më të thellë strukturor të vetë ekonomisë sonë. Përndryshe, ne do merremi pafundësisht me trajtimin e pasojave pa prekur shkaqet që i prodhojnë ato. Por trajtimi i shkaqeve më të thella dhe strukturore nuk bëhet dot nën tiraninë e emergjencave që, më shumë se zgjidhje afatgjata, imponojnë arnime afatshkurtra. Për pasojë, çdo zgjidhje që ne i japim problemeve merr formën e një arne që mbyll vrimën e radhës, çka lë gjurmë edhe në realitetin ku jetojmë, që gjithnjë e më shumë duket se është i arnuar. Paradoksi është se tashmë arnimi na ka kushtuar më shumë sesa vetë copa. Ndaj ka ardhur koha të mendojmë për një copë të re.