KEK: Dhamë energji deri më 26 dhjetor. KESH: Gati tenderi
Korporatat Energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, sqaruan dje shkëmbimet e energjisë elektrike mes dy vendeve. Sipas KEK, që nga data 26 janar, Kosova po merr energji nga Shqipëria. “Konkretisht, KEK ka marrë varësisht prej orës dhe ditëve deri në 300 MW për orë, apo mbi 5600 MWh brenda 24 orëve, që nga data 26.12.2009. Gjithçka është bërë në bazë të marrëveshjeve KEK-KESH për shkëmbime të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin zyrtar të korporatës kosovare. Nga ana tjetër KEK sqaron se deri para datës 26 dhjetor, ka pasur hyrje të energjisë nga Kosova në Shqipëri. “KEK njofton që nuk ka shitur energji elektrike në Shqipëri gjatë muajit dhjetor, përveç kthimit të një sasie shumë të vogël të borxhit në energji KESH-it. Bëhet fjalë për një sasi të energjisë fare të vogël, e cila është e barabartë gjatë tërë nëntorit dhe dhjetorit me energjinë elektrike që KEK ka marrë nga KESH vetëm gjatë dy ditëve në fund të dhjetorit dhe gjatë janarit”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe drejtori i KESH, Stojku. Në daljen e tij publike ai theksoi se Shqipëria nuk po importon energji nga Kosova, por po dërgon atje energji mesatarisht 5.1 milionë kilovat në ditë. Kreu i KESH theksoi se është shpallur tenderi për eksportin e energjisë dhe sipas tij në garë janë dy firma italiane dhe dy firma serbe. Ftesë në tender i është bërë edhe OSSH.