Viktima e aksidentit, me varkë për në varrezat e fshatit fqinj
Përmbytjet në Shkodër jo vetëm kanë larguar njerëzit nga zakonet e përditshme, duke i bërë madje të qëndrojnë në ambiente të përbashkëta me kafshët, por ka penguar dhe në respektimin e plotw tw traditave. Një rast i tillë është ai i përcjelljes për në banesën e fundit të viktimës së aksidentit të së martës, 48-vjeçares Albina Gocaj. Viktima ishte banore e fshatit Obot, i cili prej ditësh nuk ka asnjë cep të pambuluar nga uji. Bashkë me familjen gruaja nuk ishte shpërngulur nga fshati. Ajo kishte udhëtuar me varkë për të dalë në rrugën kryesore e më pas të kryente disa punë në qytetin e Shkodrës. Ndërsa ishte shkruar të vdiste gjatë përplasjes së dy mjeteve, ceremonia e përcjelljes së saj për në banesën e fundit ka qenë tepër e vështirë. Të afërmit e saj, në pamundësi për të gjetur një copë tokë mbi ujë, për ta varrosur aty ku ajo kishte shtëpinë, kanë qenë të detyruar që ceremoninë mortore ta kryejnë në fshatin Mushan, tek vëllai i Albinës. Por edhe transportimi i trupit të viktimës ka kaluar në jo pak peripeci ditën e djeshme. Pasi është nisur nga morgu i spitalit të Shkodrës në orët e para të mëngjesit me një makinë funeral, tek ura e Goricës, në afërsi të Muriqanit, arkivoli me trupin e pajetë të gruas është hipur mbi varkë dhe është drejtuar në brigjet e Bunës, në afërsi të Mushanit. Prej atje, arkivoli është transportuar për në varrezat e Sukajt të Dajçit. Gjithashtu, me anë të varkave familjarë e të afërm të Gocajt kanë shkuar nga Oboti e zonat e tjera deri në Sukaj, lagje e fshatit Mushan. Rreth 400 vetë mësohet se kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore, numër ky që do të ishte akoma më i madh nëse do të zhvillohej në kushte normale. r.d