Ra ky mot e u pamë
Edi Lesi Kur Kadare tha “Ra ky mort e u pamë”, në esenë e tij për ngjarjet e tmerrshme në Ballkan ai ndoshta e dinte se në fakt po i vinte emrin një dukurie që jo vetëm nuk ishte e fundit, po që do të përsëritej në vazhdimësi. Me shumë pak ndryshim, ky titull duket i paracaktuar, gati fatal, për atë që po ndodh sot në zonën e veriperëndimit të Shqipërisë. Ra ky mot e u pamë. U deshën tonelata me ujë që të shiheshim me këtë pjesë të vendit, me njerëzit që jetojnë atje.Pa shirat e dendur dhe kryeneqësinë e hidrocentraleve, zor se do të kishim mësuar ndonjëherë për këto fshatra e lagje, për mënyrën e jetesës, për zakonet dhe hallet e këtyre shqiptarëve, që nuk gjenden në margjinën e largët por bash rreth e rrotull metropolit të Veriut. Patëm një zbulim, sado që me kosto mjaft të rëndë.Përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës janë vërtetë dramatike. Banorët që lënë shtëpitë e tyre me kokën kthyer pas, janë një foto ngjethëse. Kësaj i shtohen dhe intervistat e tyre, jo shumë të artikuluara dhe të kultivuara, por në thelb të vërteta, të pastra, si të thuash gjenuine. Paçka se shpërngulen disa kilometra më tej, këta familjarë ndihen sikur po shkojnë në një planet të largët.E gjitha kjo histori është tronditëse, e mbrapshtë dhe kullon ujë sado të shtrydhësh. Do të ishte mungesë kriminale e aftësisë empatike të njeriut, nëse do të kërkonim diçka pozitive rreth kësaj ngjarjeje, kur mendon se si jeta normale, edhe ashtu prapë se prapë e vështirë, e mijëra banorëve mori një kthesë të fortë e të papritur.Por gjithsesi, këto ditë kemi vënë re një fenomen që të jep një lloj ngazëllimi, një optimizëm ndoshta në dukje të pakuptimtë. Solidariteti. Solidariteti i fortë, i atypëratyshëm, kudo i pranishëm dhe me një shtrirje të madhe shpirtërore, përtej sinoreve të krahinës gjeografike.Përveç shtetit, që në fakt po bën detyrën dhe këtu nuk kemi pse të kërkojmë vlerësim kontributesh e meritash, janë dhjetëra organizata të ndryshme, bamirësie, vullnetare, mediatike, që gjenden sot pranë shkodranëve të dëmtuar.Si rrallë herë mediat po prekin afër realitetit që ekziston, pa një axhendë të paracaktuar, ndryshe nga sa ndodh shpesh, kur realiteti krijohet nga vetë ato.Përveç këtij mbulimi gazetaresk, janë dhe thirrjet e vazhdueshme për ndihmë dhe insfrastruktura që vihet në dispozicion. Por edhe opozita, përveç galdimit që mund të ndjejë për atë që e quan dështim të qeverisë, nuk duket të ketë ndërtuar menjëherë një skenar mbi këtë fatkeqësi dhe gjendet edhe ajo në mënyrën e saj pranë njerëzve.Për më shumë, janë qytetarët e paorganizuar të këtij vendi, që me gjykimin dhe ndjeshmërinë e tyre personale kanë shfaqur solidaritet. Në rastin më pasiv është pikëllimi dhe keqardhja që ata ndjejnë, dhe jo fërkimi i duarve, një gjë mjaft shpresëdhënëse. Ndërkohë që jo pak vetë kanë derdhur shuma parash për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj krize.Vajza ime 7 vjeçe më rrëmbeu një ditë celularin dhe dërgoi një sms, kur mësoi se kjo do të ndihmonte moshatarët e saj që i shihte e shtangur në ekran, hipur varkave në mes të dimrit.Di që shumë shokë dhe miq të mi janë angazhuar edhe financiarisht, për aq sa i kanë mundësitë. Shumë biznesmenë gjithashtu. Ka njerëz në Tiranë që kanë pritur prej ditësh të njohur dhe të afërm nga këto zona të Shkodrës.Ky solidaritet ngjan të jetë ilaçi më i mirë për këtë kolaps. Pas të keqes, të paktën u verifikua se ka ende ndjeshmëri dhe përmasa shpirtërore në shoqërinë tonë, që në ditët e zakonshme rend si e marrë veçse drejt interesave dhe hedonizmit të saj.Qeveria dhe strukturat po bëjnë punën që u takon, gjë që me gjasë do të duhet të vazhdojë edhe më tej, kur uji të shkojë në shtratin e tij, dhe kur përgjegjësitë e kujtdo të dalin në dritën e diellit. Kjo mbetet një test që mazhoranca duhet ta kalojë edhe nëse përmbytja nuk zgjat më shumë se tre ditë. Qytetarët nga ana e tyre e kapërcyen provën.